1) Banka Qendrore e Suedisë është banka qendrore më e vjetër në botë. Cilat janë elementet që kanë mbetur thelbësisht të pandryshuara në bankarizmin qendror gjatë më shumë se tre shekujve?
Ekzistojnë disa ngjashmëri ndërmjet Bankës Qendrore të Suedisë sot dhe bankës së themeluar në vitin 1668, e cila atëherë quhej Banka e Shtresave Shtetërore (Riksens Ständers Bank). Në atë kohë, parlamenti suedez, Riksdagu, përbëhej nga katër shtresa: fisnikëria, kleri, qytetarët dhe fshatarët.
Një nga ngjashmëritë është se atëherë, ashtu si edhe sot, banka vepronte në interes të publikut dhe jo në interes të pronarëve privatë. Të dyja bankat – ajo e themeluar në vitin 1668 dhe Riksbanku i sotëm – u krijuan për të avancuar stabilitetin ekonomik të vendit. Banka e vitit 1668 u themelua pas falimentimit të bankës private “Stockholms Banco”, kur Riksdagu synonte të krijonte një institucion më të sigurt dhe të përgjegjshëm ndaj publikut. Sot, Riksbanku është një institucion publik përgjegjës për politikën monetare dhe për stabilitetin e sistemit financiar.
Ngjashmëria e dytë lidhet me rolin e bankës në fushën e parasë dhe pagesave. Që në fillimet e saj, banka ka operuar me kredi, depozita dhe ka mundësuar pagesa në të gjithë mbretërinë. Sot, Riksbanku vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në sistemin e pagesave në Suedi dhe është përgjegjës për emetimin e valutës kombëtare, kronës suedeze.
Ngjashmëria e tretë është rëndësia e besimit. Në vitin 1668, rikthimi i besimit pas kolapsit bankar ishte një nga çështjet më të rëndësishme. E njëjta gjë vlen edhe sot: bankat qendrore moderne varen nga besimi i publikut në vlerën e parasë dhe në stabilitetin e sistemit financiar.
Ngjashmëria e katërt është roli mbikëqyrës i Riksdagut. Që nga themelimi, banka ishte vendosur nën kompetencën e Riksdagut dhe jo nën kontrollin e mbretit, gjë që në atë kohë përbënte përjashtim në Evropë. Sot, Riksdagu ka një rol të veçantë kushtetues në lidhje me Riksbankun. Ai emëron Këshillin e Përgjithshëm, i cili më pas emëron Bordin Ekzekutiv, dhe njëkohësisht vlerëson politikën monetare të ndjekur nga Riksbanku.
2) Sipas jush, cila përbën kthesën më të rëndësishme në bankarizmin qendror modern – Depresioni i Madh, inflacioni i viteve 1970 apo krizat më të fundit?
Është pothuajse e pamundur të klasifikohen këto ngjarje. Si Depresioni i Madh, ashtu edhe inflacioni i viteve 1970 ndryshuan në mënyrë thelbësore bazat e politikës monetare në mënyra të ndryshme, gjë që mund të ndodhë edhe me krizat e fundit, megjithëse ende nuk është e qartë se si. Regjime të ndryshme të politikës monetare përdoren për t’u përballur me sfidat e kohës përkatëse.
Pas Depresionit të Madh, roli i bankave qendrore ndryshoi ndjeshëm. Para viteve 1930, shumë banka qendrore e konsideronin ruajtjen e standardit të arit dhe stabilitetin e valutës si detyrën e tyre kryesore. Pas Depresionit të Madh, ato filluan të marrin më shumë përgjegjësi për ekonominë në tërësi, duke përfshirë punësimin, rritjen ekonomike, stabilitetin e sistemit financiar dhe menaxhimin e krizave. Gjatë kësaj periudhe u zhvilluan ose u forcuan shumë nga funksionet që sot i konsiderojmë pjesë përbërëse të bankarizmit qendror: stabilizimi makroekonomik, bashkëpunimi me shtetin në kohë krize, mbikëqyrja e sistemit bankar dhe përdorimi i normës së interesit si instrument kryesor monetar.
Pas përvojave inflacioniste të viteve 1970, fokusi i politikës monetare u zhvendos gradualisht. Bankat qendrore gjithnjë e më shumë i japin përparësi inflacionit të qëndrueshëm ndaj objektivave të tjerë, ndërsa shumë shtete u siguruan bankave të tyre qendrore pavarësi më të madhe ndaj presioneve politike afatshkurtra. Njëkohësisht, ato gjithnjë e më shumë u përqendruan në komunikimin e qartë, parashikueshmërinë dhe forcimin e pritjeve inflacioniste. Në masë të madhe, në këtë mënyrë punojmë edhe sot.
Ende nuk dihet nëse pesëmbëdhjetë vitet e fundit të krizave do të kenë pasoja të ngjashme afatgjata për politikën monetare. Vlerësimi im është se gjasat janë të vogla. Ruajtja e inflacionit të ulët dhe të qëndrueshëm, si dhe stabiliteti makroekonomik dhe financiar, mbeten objektivat përfundimtarë të bankarizmit qendror dhe nuk besoj se do të pësojnë ndryshime thelbësore. Megjithatë, me kalimin e kohës mund të rezultojë se bankave qendrore u është besuar ose vetë kanë marrë një gamë tepër të gjerë përgjegjësish. Nëse kjo rezulton e vërtetë, është e mundur një reduktim gradual i kompetencave dhe objektivave të tyre.
3) A kanë marrë bankat qendrore më shumë përgjegjësi sesa parashikonin kompetencat e tyre fillestare?
Kjo pyetje nuk ka një përgjigje të thjeshtë, pasi do të ishte e gabuar që të gjitha bankat qendrore të vlerësohen sipas të njëjtave kritere. Çdo institucion duhet të shqyrtohet në mënyrë të veçantë.
Megjithatë, në përgjithësi, duhet të merret seriozisht rreziku i zgjerimit të misionit, pra rreziku që bankat qendrore të ndërmarrin veprime jashtë kornizës së kompetencave të tyre. Ky rrezik është veçanërisht i theksuar kur çështje të reja ekonomike dhe politike bëhen objekt i debatit publik. Kjo, megjithatë, nuk do të thotë se bankat qendrore duhet gjithmonë t’i shmangen këtyre temave. Shpesh ekzistojnë arsye të justifikuara për t’u kushtuar vëmendje atyre. Gjithçka varet nga konteksti. Ndryshimet klimatike janë një shembull i mirë në këtë drejtim. Rreziqet e shtuara nga fenomenet ekstreme të motit, ndër të tjera, nënkuptojnë rritje të rrezikut për ndërprerje më të shpeshta në zinxhirët e furnizimit, si dhe rritje të rreziqeve në sistemin financiar. Nga kjo perspektivë, ekzistojnë lidhje të qarta midis politikës monetare dhe stabilitetit financiar që prekin Riksbankun. Megjithatë, Riksbanku nuk duhet të ndërhyjë në çështjen nëse Suedia duhet të investojë në energji bërthamore apo në energji të erës, as në çështje që lidhen me shkallën e detyrimeve për reduktimin e tyre.
Është e rëndësishme që bankat qendrore të mos përfshihen në mënyrë të pamenduar në këto çështje, por të vlerësojnë me kujdes nëse ato hyjnë në kuadër të kompetencave të tyre ligjore dhe në çfarë mënyre.
Një nga arsyet kryesore pse duhet shmangur zgjerimi i misionit është se ai mund të dëmtojë besimin e publikut në bankën qendrore dhe legjitimitetin demokratik të pavarësisë së saj. Besimi dhe mbështetja për pavarësinë nuk duhen marrë si të mirëqena. Ato duhet të fitohen vazhdimisht përmes përmbushjes së qëndrueshme të mandatit, përkatësisht përmes realizimit të detyrave të besuara në një mënyrë transparente, të përgjegjshme dhe të vendosur.
4) Me rastin e shënimit të 80-vjetorit të bankarizmit qendror të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, cila është, sipas jush, roli më i rëndësishëm i bankave qendrore në ruajtjen e besimit dhe stabilitetit në mjedisin gjithnjë e më të pasigurt global?
Një nga temat për të cilat kohët e fundit diskutohet shumë është pavarësia e bankës qendrore, e cila është ndoshta faktori më i rëndësishëm për ruajtjen e besimit dhe stabilitetit në politikën monetare. Në vitin 2025, çështja e pavarësisë së bankës qendrore u bë gjithnjë e më aktuale edhe në nivel ndërkombëtar. Arsyeja pse zbatimi i politikës monetare i besohet një banke qendrore të pavarur është se bankat qendrore që marrin vendime në mënyrë të pavarur e kanë më të lehtë ta mbajnë inflacionin në një nivel të ulët dhe të qëndrueshëm në afat të gjatë. Edhe pse bankat qendrore të pavarura në dekadat e fundit kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në mbarë botën, ekzistojnë edhe raste në të cilat qeveritë kanë ushtruar ndikim të fortë politik mbi politikën monetare.
Madje, edhe në vendet që tradicionalisht i kushtojnë rëndësi të madhe ruajtjes së pavarësisë së bankës qendrore, presionet politike po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Një pjesë e madhe e debatit gjatë vitit të kaluar iu kushtua Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku administrata ushtroi presion të fortë mbi Rezervën Federale për uljen e normave të interesit. Është e paqartë se si do të zhvillohen këto procese në të ardhmen, por është e qartë se ekziston një prirje nga ana e administratës për ndikim më të madh politik mbi vendimet e Rezervës Federale në fushën e politikës monetare.
Pavarësia e bankave qendrore mund të kufizohet edhe nga zhvillimet e pafavorshme në financat publike. Dominimi fiskal është koncepti kryesor në këtë kontekst.
Shkurtimisht, kjo nënkupton se politika fiskale, pra vendimet e qeverisë lidhur me të ardhurat dhe shpenzimet publike, në praktikë kanë ndikim vendimtar mbi politikën monetare. Për këtë arsye, shqetësues është fakti që gjendja e financave publike në shumë vende po përkeqësohet. Ky është një trend që vazhdon prej një kohe të gjatë dhe që, sipas të gjitha gjasave, po intensifikohet edhe më tej.
Në Suedi ekziston një mbështetje e fortë, si juridike ashtu edhe politike, për Riksbankun që ai të mund të marrë vendime të pavarura në fushën e politikës monetare, brenda kornizave të përcaktuara nga sistemi politik. Kornizat e tjera kontribuojnë që Suedia të ketë një kontroll të mirë mbi financat publike. Është thelbësore që ky kontroll të ruhet.