Menaxhimi me rezervat valutore
Funksionet bazë të rezervave valutore janë sigurimi i mbështetjes gjatë zbatimit të politikës monetare dhe regjimit të kursit të këmbimit, sigurimi i ekonomisë së brendshme nga goditjet e jashtme, pagesa e rregullt e borxhit publik të jashtëm dhe ruajtja e kredibilitetit të ekonomisë së brendshme në kuadrin ndërkombëtar. Në këtë kuptim, sipas përkufizimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, rezervat valutore përfaqësojnë “asetet valutore që janë të disponueshme dhe menaxhohen nga autoriteti monetar për financimin e drejtpërdrejtë të disbalancave të pagesave, për rregullimin indirekt të madhësisë së këtyre disbalancave nëpërmjet ndërhyrjeve në tregun e brendshëm valutor, në drejtim të ruajtjes së stabilitetit të kursit të këmbimit të monedhës vendase, si dhe për qëllime të tjera”.
Në pajtim me Ligjin e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë, Banka Popullore menaxhon rezervat devizore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Krahas dispozitave të Ligjit, menaxhimi i rezervave valutore më për së afërmi është rregulluar me Politikën për menaxhimin e rezervave valutore të Republikës së Maqedonisë, të miratuar nga Këshilli i Bankës Popullore, me të cilin janë përcaktuar instrumentet dhe mënyra e plasimit të rezervave valutore, të udhëhequr nga kriteret e sigurisë, likuiditetit dhe rentabilitetit. Guvernatori i Bankës Popullore miraton Rregulla të posaçme për vendosjen dhe mbajtjen e rezervave valutore, me të cilat përcakton më saktë instrumentet në të cilat plasohen rezervat valutore, si dhe mënyrën sipas së cilës menaxhohet (kontrollohet) dhe ndiqet rreziku i kredisë, valutës, likuiditetit dhe interesit.
Në pajtim me zbatimin e strategjisë monetare të shënjestrimit të kursit nominal të këmbimit, euro ka pjesmarje dominuese në rezervat valutore. Nga ana tjetër, duke marrë parasysh strukturën valutore të detyrimeve kreditore të shtetit jashtë vendit, si dhe nevojën për të ruajtur likuiditetin aktual gjatë pagesave jashtë vendit, krahas euros, struktura valutore e rezervave valutore përfshin edhe dollarin amerikan dhe disa monedha të tjera (dollari australian dhe kanadez, franga zvicerane, krona daneze, norvegjeze dhe suedeze, paundi britanik, jeni japonez dhe të drejtat speciale të tërheqjes).
Banka Popullore i menaxhon rezervat valutore përmes tre portofoleve: portofolit të likuiditetit, portofolit të investimeve dhe arit. Ruajtja e portofolit në ar është në funksion të garantimit të sigurisë dhe likuiditetit të rezervave valutore nëpërmjet diversifikimit të investimeve, duke pasur parasysh se ari përfaqëson një mjet të rëndësishëm në kushtet e paqëndrueshmërisë globale, ekonomike apo politike në tregje. Portofoli i likuiditetit mbulon nevojat për mjete likuide të Bankës Popullore gjatë ndërhyrjeve në tregun valutor dhe për kryerjen e pagesave të shtetit jashtë vendit, ndërsa portofoli i investimeve siguron të ardhura të qëndrueshme dhe të parashikueshme dhe ruajtjen e vlerës së rezervave valutore duke investuar mjetet në një afat më të gjatë.
Duke pasur parasysh se Republika e Maqedonisë së Veriut, si një ekonomi e vogël e hapur, ka një shkallë të lartë të varësisë nga flukset financiare botërore, pa mundësi për të ndikuar në çmimet në tregjet botërore, lëvizjet në tregjet financiare mund të gjenerojnë disa lloje të rreziqeve gjatë menazhimit të rezervave valutore. Prandaj, pjesë përbërëse e procesit të menaxhimit të rezervave valutore është menaxhimi i rreziqeve gjatë investimit të mjeteve në instrumente të ndryshme financiare.
Banka Popullore kontrollon rrezikun e kredisë, si rrezik i uljes së vlerës së rezervave valutore për shkak të mungesës së likuiditetit, falimentimit dhe uljes së notës për vlerësimin e kredisë së vendeve, institucioneve financiare ose emetuesve të letrave me vlerë, nëpërmjet plasimit së rezervave valutore në përputhje me kriteret e përcaktuara për përzgjedhjen dhe limiteve të ekspozimit ndaj vendeve, institucioneve financiare dhe emetuesve të letrave me vlerë.
Banka Popullore kontrollon rrezikun e likuiditetit, si rrezikun e mospasjes së mjeteve likuide të mjaftueshme, duke mbajtur një nivel adekuat të portofolit të likuiditetit, të plasuar në instrumente afatshkurtra me shpërndarje të barabartë të maturimeve, si dhe nëpërmjet plasimit të portofolios së investimeve në treg dhe instrumenteve likuide.
Banka Popullore kontrollon rrezikun e interesit, si rrezik i zvogëlimit të vlerës së rezervave valutore për shkak të ndryshimit të çmimeve të tregut të instrumenteve në të cilat plasohen rezervat valutore, duke përcaktuar dhe ruajtur kohëzgjatjen bazë të rregulluar (target modified duration) të portofolit të investimeve, si qëllim strategjik i cili pasqyron nivelin optimal të kthimit të pritur nga investimi i rezervave valutore, në një nivel të pranueshëm të përcaktuar rreziku.
Rreziku valutor paraqet rrezikun e zvogëlimit të vlerës së rezervave valutore për shkak të ndryshimit të marrëdhënieve intervalutare të valutave në të cilat plasohen dhe mbahen rezervat valutore. Pjesa e rezervës valutore që mbahet në euro nuk është e ekspozuar ndaj rrezikut valutor, duke marrë parasysh zbatimin e strategjisë “de facto” kursi fiks i denarit në raport me euron. Ekspozimi i rezervave valutore ndaj rrezikut valutor ekziston nga ana e rezervave valutore që mbahen në monedha të tjera dhe në ar dhe kufizohet duke përcaktuar limitet e pjesëmarrjes së valutave të tjera në portofolin e rezervave valutore.
Përveç kufizimit kuantitativ të rrezikut valutor dhe të interesit, Banka Popullore mat ekspozimin e rezervave valutore ndaj këtyre rreziqeve të tregut duke përdorur konceptin “vlera e ekspozuar në rrezik” (Value at Risk).
Banka Popullore informon rregullisht për rezultatet e menaxhimit dhe trajtimit të rezervave devizore përmes përgatitjes së raporteve gjashtëmujore dhe vjetore.