Sot, në Ohër filloi Konferenca e njëmbëdhjetë për pagesa dhe infrastrukturë të tregut, nën organizimin e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Holandës. Këtë vit, Konferenca, e cila tradicionalisht ka karakter ndërkombëtar është titulluar: "Koha është për digjitalizim” dhe do të mbulojë tema të cilat, mes tjerash, kanë të bëjnë me teknologjitë e reja digjitale për pagesë të zhvilluara në sektorin FinTech, sigurinë në transformimin digjital, trendet globale në financimin e tregtisë, si dhe rregullativën e re të Bashkimit Evropian në fushën e pagesave.

“Depërtimi i pagesave digjitale lidhet me mundësitë e shumta që ato i ofrojnë. Pranimi i digjitalizimit të pagesave ka potencial për të ulur ndjeshëm kostot, për ta rritur efikasitetin dhe për të mundësuar qasje më të gjerë në shërbimet e pagesave. Me rritjen e teknologjive të reja digjitale për pagesa të zhvilluara nga ana e “FinTech”, të cilat gjithnjë e më shumë miratohen nga bankat, sot konsumatorët dhe shitësit kanë një gamë të gjerë produktesh për pagesë prej së cilës mund të zgjedhin. Me zhvillimin e inovacioneve, siç janë pagesat e menjëhershme, shërbimet për inicimin e pagesave, pagesave nga personi në person përmes celularëve dhe pagesave pa kontakt, procesi i digjitalizimit është i shoqëruar me zgjidhje të cilat janë inovative në thelbin e tyre. Inovacionet pagesore dhe procesi i digjitalizimit, gjithashtu, kanë ndikim mbi transformimin e infrastrukturës së tregut të shërbimeve pagesore. Këto ngjarje, megjithatë, ngritën çështje të ndryshme lidhur me kërkesat për gatishmërinë e bankave, sigurinë e blerësve, transparencën dhe besimin në tregut e shërbimeve pagesore, si dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve. Prandaj, rregullatorët duhet të miratojnë kornizë të përshtatshme ligjore e cila mbështet digjitalizimin, inovacionet dhe konkurrencën, dhe gjithashtu, duhet të kujdeset për sigurinë dhe mbrojtjen. Në këtë pikëpamje, mund të vërehet se Bashkimi Evropian është lider global në këtë fushë.” - theksoi mes tjerash në fjalimin e saj përshëndetës Guvernatorja e BPRM-së, D-r Anita Angelovska-Bezhoska.

Pas trajtimit të shkurtër të gati gjithë trendeve të cilat paraqiten si rezultat i teknologjive të reja për pagesa, si dhe hapave të ndërmarra nga ana e BE-së me rishikimin e Direktivës për Shërbime Pagesore (PSD2), ajo potencoi se në këtë ambient të ndryshueshëm përplot me sfida, Republika e Maqedonisë nuk duhet të qëndrojë anësh. “Për tu ballafaquar me sfida më të mëdha, tanimë kemi përgatitur projektligj për shërbime pagesore dhe sisteme për pagesa në të cilat janë transportuar Direktiva për Shërbime Pagesore 2, si dhe direktivat tjera relevante dhe rregullativa të Bashkimit Evropian në fushën e pagesave. Rregullativa e re për pagesa synon të nxisë konkurrencën në tregun e pagesave në të cilin, tradicionalisht, pjesëmarrjen më të madhe kanë bankat, përmes hapjes së hyrjes së “FinTech” kompanive të cilat mund të sigurojnë shërbime inovative pagesore, si dhe të vendosin dhe menaxhojnë sisteme të reja pagesore. Njëkohësisht, ne jemi të fokusuar në ruajtjen e stabilitetit financiar përmes rritjes së rezistencës së infrastrukturave të tregut të shërbimeve pagesore, të cilat vlerësohen në pajtim me Principet për Infrastrukturë të Tregjeve Financiare.” - theksoi D-r Angelovska-Bezhoska
Gjatë fjalimit të saj, ajo kujtoi se sistemi më i madh për pagesa të vogla në Republikën e Maqedonisë në vitin 2017 vendosi skemë garantuese, e cila në pajtim me regullativën e BPRM-së e cila ka për qëllim të sigurojë shlyerje në ditën e njëjtë dhe me këtë të minimizojë rrezikun e likuiditetit në sistemin e rëndësishëm pagesor në rast të mospërmbushjes së obligimit të pjesëmarrësve. Njëkohësisht, kujtoi se janë bërë përpjekje për të lehtësuar pagesat ndërkufitare në euro në vitin 2017, përmes vendosjes së lidhjes mes sistemit tonë pagesorë RTGS MIPS dhe TARGET 2 i cili mbështetet në bashkëpunimin lartë të vlerësuar me Bankën e Italisë.

“Dhe të mos ndalemi këtu. Përpjekjet tona të fundit fokusohen në ndërtimin e Strategjisë për zvogëlim të përdorimit të parave të gatshme, dhe me të rritjen e digjitalizimit dhe pagesave pa para të gatshme, që është projekt i përbashkët i bankës qendrore, Ministrisë së Financave dhe bashkësisë së bankave.” - tha Guvernatorja e BPRM-së.

Në tri ditët e ardhshme, deri të premten, ligjërues të Konferencës do të jenë përfaqësues të lartë nga Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane, bankat qendrore të cilat i përkasin Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, Banka për Shlyerje Ndërkombëtare dhe Banka Botërore. Gjithashtu, në Ohër, si pjesëmarrës në këtë ngjarje të rëndësishme janë përfaqësues të 21 bankave qendrore nga rajoni i Evropës Perëndimore, Qendrore dhe Lindore, Bashkësia e Shteteve të Pavarura, Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore. Gjithashtu do të zhvillohet edhe një panel-diskutim në të cilin ekspertë të shquar të sistemeve për pagesa, FinTech sektorit dhe përfaqësues të institucioneve pagesore do të diskutojnë për fuqinë transformuese të pagesave digjitale dhe sfidat e pagesave në botën e integruar.