Këshilli i Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë sot mbajti mbledhjen e tij të rregullt në të cilën u shqyrtua dhe miratua Raporti për stabilitet financiar në Republikën e Maqedonisë në vitin 2017. Ku u konstatua se sistemi financiar maqedonas, gjatë vitit të kaluar funksionoi në një mjedis më të favorshëm në krahasim me vitin 2016. Ai e ruajti stabilitetin e tij dhe të gjithë segmentet e tij funksiononin pa ndërprerje. Sistemi financiar maqedonas ka një strukturë relativisht të thjeshtë, një lidhje modeste të aktiviteteve të segmenteve individuale dhe mungesë të instrumenteve të ndërlikuara financiare, dhe si pasojë rreziku nga derdhja e mundshme të problemeve midis segmenteve institucionale është i vogël.
Në mbledhje, gjatë shqyrtimit të Raportit u theksua se edhe në vitin 2017, bankat mbetën faktori më i rëndësishëm i ruajtjes së stabilitetit të sistemit të përgjithshëm financiar dhe institucioneve individual financiare. Sistemi bankar është segmenti më i madh i sistemit financiar, në të cilin janë investuar depozitat e sektorit jo financiar, por edhe institucioneve tjera financiare. Gjatë vitit të kaluar, nuk kishte ndryshime më të rëndësishme sa i përket ekspozimit të sistemit bankar ndaj rreziqeve gjatë punës. Rreziqet nga kreditë me probleme nuk janë të mëdha, duke qenë se bankat ofrojnë mbulim të lartë të tyre me zhvlerësim, ku mospagesën e plotë eventual të tyre nuk do të dëmtonte aftësinë paguese të bankës.
Mes tjerash, në Raport theksohet se vitin e kaluar pati përmirësim të aftësisë paguese të sistemit bankar, ku norma e mjaftueshmërisë së kapitalit arriti 15,7%. Shuma dhe kualiteti i lartë i mjeteve vetjake me të cilat disponojnë bankat, mundësoi harmonizim relativisht të lehtë me pretendimet e reja më të larta kapitale, të cilat u futen për shkak të zbatimit të standardeve ndërkombëtare në këtë fushë, para së gjithash standardit Bazel III, qëllimi i të cilit është përforcimi i rezistencës së bankave dhe sistemit bankar. Likuiditeti i sistemit bankar është i kënaqshëm, ku në vitin 2017, mjetet likuide u ruajtën në nivel i cili mundësoi realizimin e pandërprerë e aktiviteteve të biznesit të bankave.
Në Raport, veçmas nënvizohet se në vitin 2017, sektori korporativ i vendit regjistroi përmirësim të treguesve të funksionimit të përcaktuar në bazë të raporteve financiare zyrtare të agreguara të sektorit, që në masë të madhe bazohet në kapacitetet e reja të orientuara drejt eksportit. Borxhi i sektorit të korporatave rritet më ngadalë, ku për herë të parë në shtatë vitet e fundit u regjistrua zvogëlim i borxhit neto të tij drejt kreditorëve të jashtëm, si pasojë e rritjes së kredive të dhëna nga klientët korporativ të vendit drejt jo rezidentëve. Megjithatë, eksperienca e bankave tregon rreziqe më të mëdha nga sektori i korporatave, krahasuar me amvisëritë, prandaj edhe interesi i tyre për mbështetje kredituese të amvisërive është në rritje. Interesi më i madh për mbështetje kredituese të amvisërive gjithashtu mbështetet edhe me kërkesën e zmadhuar për kredi para së gjithash në fushën e kredive për banim, performancat e favorshme në tregun e punës dhe pritjet e favorshme të konsumatorëve në aspekt të papunësisë dhe gjendjes financiare. Stimul për kreditim më të madh për amvisëritë gjithashtu paraqet edhe pagesa solide dhe rrjedhimisht cilësia e mirë e portfolios kredituese të bankave drejt amvisërive, që vërehet përmes normës së ulët dhe stabile të kredive me probleme prej 2,4%.
Gjatë shqyrtimit të Raportit, kujdes i veçantë iu kushtua edhe financimit kapital të sigurimit pensional dhe sektorit të sigurimeve, si dy segmentet tjera më të mëdha të sistemit financiar. Duke konstatuar se ata nuk paraqesin rreziqe për stabilitetin financiar. Fondet pensionale hyjnë në vitin e trembëdhjetë të themelimit të tyre dhe akoma nuk kanë detyrime më të mëdha në bazë të pagesës së pensioneve dhe gjithashtu aplikojnë strategji konservative të investimit të mjeteve të mbledhura. Kompanitë e sigurimeve karakterizohen me aftësi paguese dhe likuiditet të lartë. Segmentet tjera më të vogla institucionale të sistemit financiar, me fushëveprimin e tyre të kufizuar të aktiviteteve, gjithashtu nuk paraqesin rrezik për stabilitetin financiar. Në Raport theksohet se nevojitet vëmendje më e madhe ndaj kompanive financiare të cilat janë gjerësisht të pranishme dhe lehtë të arritshme, për shkak të rritjes së mundshme të borxhit të shtrenjtë të huamarrësve të tyre.
Gjatë diskutimit në lidhje m Raportin, edhe njëherë u potencua se BPRM mbetet në gatishmëri të ndërmarrë të gjithë masat e nevojshme për ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve si qëllim i saj themelor, por edhe si mbështetje për stabilitetin financiar si qëllim i saj i dytë ligjërisht i përcaktuar.
Në mbledhje, Këshilli shqyrtoi dhe miratoi edhe Vendim të ri për metodologjinë e menaxhimit të riskut të kredisë, i cili është përpunuar në drejtim të harmonizimit të rregullativës së vendit me kërkesat e Standardit Ndërkombëtarë për Raportim Financiar SNRF 9, si dhe dispozitave nga standardet evropiane të miratuara nga Trupi Bankar Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane, para së gjithash sa i përket definimit të ekspozimeve të kredive me probleme dhe kredive të ristrukturuara. Ky Vendim do të hy në fuqi nga 1 korriku i këtij viti.
Këshilli shqyrtoi edhe çështje tjera brenda juridiksionit të tij.