Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë organizon Konferencën e shtatë hulumtuese vjetore, 12 dhe 13 prill 2018, Ohër
Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë, javën e ardhshme organizon Konferencën e shtatë hulumtuese vjetore, të titulluar: “Gati një dekadë pas krizës: Drejt ciklit të ri global dhe normalizimit të politikës monetare”, e cila do të mbahet më 12 dhe 13 prill, në Ohër.
Kjo konferencë tradicionalisht mbahet për të shënuar pavarësinë monetare të Republikës së Maqedonisë. Dita e parë e konferencës i kushtohet prezantimit të materialeve hulumtues të bankave qendrore dhe institucioneve akademike, ndërsa dita e dyte u kushtohet panel-diskutimeve për politikat e përfaqësuesve në nivel të lartë.
Në ditën e parë të Konferencës do të prezantohen materiale hulumtuese të përfaqësuesve të bankave qendrore të Polonisë, Çekisë, Indonezisë, Austrisë, Bankës Qendrore Evropiane, si dhe të përfaqësuesve të institucioneve të shquara akademike nga Italia, Suedia dhe nga Maqedonia. Diskutim mbi temat e materialeve hulumtuese do të zhvillojnë përfaqësuesit e Shkollës Londineze për Ekonomi, Bankës Qendrore Evropiane, Universitetit të Orleans, Francës dhe BPRM-së. Gjatë ditës së parë do të shqyrtohen më shumë tema, ndër të cilat: konvergjenca reale e vendeve në rajon, integrimi financiar dhe nxitësit e investimeve të huaja direkte, ndikimi i normalizimit të politikës monetare në vendet e zhvilluara mbi vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, rezistenca ndaj krizave, rreziqet bankare, kërkesat kapitale për bankat dhe qasja në financat e vendeve të rajonit. Gjithashtu, gjatë ditës së parë do të ndahet edhe Çmimi Vjetor për Punimin më të Mirë për Hulumtues të Rinj nga fusha e makroekonomisë dhe veprimtarisë bankare.
Dita e dytë do të fillojë me leksion hyrës të guvernatorit të Bankës Qendrore të Belgjikës, në temën kryesore të Konferencës. Folës në panel-diskutimin e parë, i paraparë për ditën e dytë të Konferencës, janë guvernatorët e bankave qendrore nga Maqedonia, Belgjika, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova. Tema e panel-diskutimit të guvernatorëve është cikli i ri global dhe normalizimi i politikës monetare. Në panel-diskutimin e dytë do të marrin pjesë: përfaqësuesi rezident rajonal i FMN-së për Evropën Qendrore dhe Lindore, drejtori i Institutit të Përbashkët të Vjenës (JVI), zëvendës-drejtori i Sekretarit për ekonomi dhe politika të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) dhe Viceguvernatori i Bankës së Sllovenisë. Tema në panel-diskutimin e dytë do të jenë flukset kapitale - perspektivat dhe rreziqet e rajonit.
Përveç pjesëmarrësve të përmendur, në Konferencë do të marrin pjesë edhe përfaqësues të më shumë bankave qendrore të rajonit, BE-së dhe më gjerë, si dhe të universiteteve të shquara botërore dhe organizatave ndërkombëtare. Bankat e Republikës së Maqedonisë dhe institucionet tjera financiare, si dhe institucionet shtetërore gjithashtu do të jenë prezent me përfaqësuesit e tyre.
Kjo konferencë paraqet mundësi për këmbim të eksperiencave me përfaqësues të komunitetit më të gjerë ndërkombëtarë për çështje kyçe në fushën e makroekonomisë, politikës monetare dhe stabilitetit financiar, si për përfaqësuesit e BPRM-së ashtu edhe për bankat dhe institucionet tjera financiare të vendit.
Kabineti i Guvernatorit