Komitetit për Politikë Operative Monetare i BPRM-së zhvilloi mbledhjen e tij të rregullt
Më 12 qershor 2018, u zhvillua mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të BPRM-së, në të cilën u shqyrtuan gjendjet në ekonominë e vendit, zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare dhe të vendit si dhe treguesit për ekonominë e vendit në kontekst të qëndrimit të politikës monetare.
Pas zvogëlimit të normës së interesit në muajin mars të vitit 2018, si reflektim i themeleve të shëndosha ekonomike dhe gjatë stabilizimit të mëtejshëm të besimit në subjektet ekonomike, në këtë mbledhje të Komitetit u vendos që norma e interesit të bonove të bankës qendrore të mbetet e njëjtë dhe të jetë 3.00%. Në mbledhje u vendos oferta e bonove të bankës qendrore gjithashtu të mbetet e pandryshuar në nivelin prej 25.000 milionë denarëve.
Në mbledhje u konstatua se krahasimi i treguesve të fundit makroekonomikë me dinamikën e tyre të projektuar tregon devijime të caktuara. Kjo veçanërisht vlen për dinamikën e aktivitetit ekonomik. Gjegjësisht, sipas të dhënave të llogaritura për PBB-në për tremujorin e parë, ekonomia regjistroi një rritje minimale prej 0.1%, që është nën vlerësimet e përfshira në projeksionet e prillit. Në tremujorin e parë, u ruajt vazhdimësia e rritjes solide e aktiviteti eksportues, si dhe ritmi i moderuar i rritjes së konsumit të amvisërive. Megjithatë, në kushte të ndërprerjes së përkohshme dhe zgjatjes së disa nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore, totali i investimeve regjistroi rënie, pothuajse duke i neutralizuar arritjet pozitive në komponentët tjerë të PBB-së.
Në kuadër të ndryshimeve në çmimet e konsumit, të dhënat e disponueshme për muajin maj 2018 tregojnë rritje mesatare vjetore të nivelit të çmimeve prej 1.5%, gjatë rritjes të të gjithë komponentëve dhe me kontribut më të madh të inflacionit bazë dhe ushqimit. Performancat e deritanishme të inflacionit janë më të ulëta në raport me projeksionin e muajit prill, por në të njëjtën kohë janë bërë korrigjime rritëse në çmimet botërore të naftës dhe drithërave për vitin 2018. Në kushte të këtilla, rreziqet sa i përket projeksionit për vitin 2018 prej 2% vlerësohen si të ekuilibruara.
Në periudhën prill-maj, zhvillimet në rezervat e huaja janë në drejtim të rritjes së tyre, gjatë zhvillimeve të favorshme në tregun valutor dhe blerje neto të valutave të huaja nga ana e BPRM-së. Treguesit për mjaftueshmërinë e tyre tregojnë se ata vazhdojnë të qëndrojnë në zonë të sigurt. Në raport me të dhënat e disponueshme të sektorit të jashtëm, numri i tyre aktualisht është i pamjaftueshëm për të tërhequr konstatime më të sigurta në këtë fushë. Performancat në këmbimin e jashtëm tregtar për muajin prill tregojnë mundësi për deficit më të vogël tregtar nga i prituri për tremujorin e dytë të vitit 2018. Të dhënat për tregun e këmbimit valutor nga dekada e parë e muajit maj tregojnë neto hyrje nga tranferet private të cilët janë më të larta se pritjet për tremujorin e parë.
Sa u përket zhvillimeve monetare, të dhënat fillestare monetare për muajin maj tregojnë përshpejtim të konsiderueshëm të rritjes mujore dhe të depozitave dhe aktivitetit kreditues. Rritja e bazës depozitore këtë muaj është kryesisht si pasojë e depozitave më të larta të korporatave, dhe kontributit pozitiv më të moderuar të kursimeve të amvisërive. Në muajin maj, në tregun e kredive pati përshpejtim të aktivitetit kreditues, duke regjistruar rritje të kredive të amvisërive dhe korporatave. Rrjedhat e depozitave dhe të kredive gjatë periudhës prill-maj janë më të larta nga të projektuarat për tremujorin e dytë, që tregon tejkalim të projeksionit për këtë periudhë.
Në periudhën ndërmjet dy mbledhjeve mujore të Komitetit, transaksionet e shtetit mundësuan rritjen e aseteve likuide të bankave, që pjesërisht u zvogëlua me kërkesën e zmadhuar të parave të gatshme në denarë nga popullata. Në tregun valutorë, pavarësisht nga rritja sezonale e kërkesës së valutave të huaja nga kompanitë lidhur me operacionin e tyre të rregullt, në bazë vjetore për nevojat e të gjithë klientëve, bankat realizuan shitje më të ulët neto të valutave të huaja, që kryesisht është si pasojë e realizimeve më të mira në pothuajse të gjithë grupet e klientëve.
Zhvillimet e këtilla në tregun valutor, në kombinim me likuiditetin solid valutor të bankave, mundësuan ofertë më të lartë të valutave të huaja në tregun ndërbankar dhe blerje të tepricës së valutave të huaja të tregut nga BPRM-ja në shumë prej 8.5 milionë eurove. Me këtë, në pesë muajt e parë të vitit, BPRM-ja në total bleu 56.5 milionë euro nga bankat.
Në periudhën e analizuar, rritja e likuiditetit të bankave ndikoi mbi kërkesën e zvogëluar në tregjet e parasë, ku normat e interesit të tregut u ruajtën në nivel relativisht stabil. Gjithashtu, pas plotësimit të kërkesës së tregut, bankat edhe më tej plasonin tepricën e mjeteve të gatshme në depozita të disponueshme brenda natës te Banka Popullore.
Në muajin maj, tregjet ndërkombëtare financiare karakterizoheshin me luhatshmëri të theksuar, në kushte të pasigurisë në Itali rreth formimit të qeverisë dhe tensionet e rritura globale tregtare me futjen e tarifave të importit nga SHBA-ja. Investitorët ishin të fokusuar në investim tek instrumentet e sigurt, kështu që rendimentet e obligacioneve shtetërore në SHBA dhe Eurozonë u zvogëluan, ndërsa euro-ja u zhvlerësua. Zhvillimet e këtilla në masë të caktuar u stabilizuan në fillim të qershorit, si rezultat i përpjekjeve të qeverisë së re në Itali për zvogëlimin e deficitit buxhetor dhe qëndrimit të vendit në Eurozonë, si dhe qëndrimet restriktive të përfaqësuesve të BQE-së dhe përmirësimit të marrëdhënieve të SHBA-së me Korenë e Veriut.
Duke përmbledhur, në mbledhje u konstatua se treguesit dhe vlerësimet e fundit makroekonomikë edhe pse tregojnë devijime të caktuara në raport me dinamikën e projektuar, megjithatë tani për tani nuk shkaktojnë ndryshime të mëdha në perceptimet për kushtet në të cilat zhvillohet politika monetare.
BPRM-ja edhe gjatë periudhës së ardhshme me kujdes do të monitorojë të gjithë treguesit ekonomikë dhe zhvillimet në ekonominë e vendit, dhe nëse është e nevojshme, do të ndërmarri masa.