Shkup, 31 janar 2024
Norma bazë e interesit mbetet në nivelin prej 6,30%
Më 31 janar 2024 u mbajt mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore, ku u rishqyrtuan të dhënat dhe informacionet më të fundit të ekonomisë vendase dhe globale dhe zhvillimet më të fundit në tregjet financiare ndërkombëtare dhe vendase në kontekstin e pozicionimit të politikës monetare.
Në mbledhjen e Komitetit u vendos që normat e interesit të mbeten të pandryshuara. Kështu, norma e interesit e bonove të thesarit mbetet në nivelin 6,30%, ndërsa normat e interesit të depozitave njëditore dhe 7 ditore, në nivelet prej 4,20% dhe 4,25%, respektivisht. Oferta e bonove të thesarit në ankandin e rregullt gjithashtu është e pandryshuar dhe është 10 miliardë denarë. Në mbledhje u vlerësua se niveli aktual i normave të interesit është i përshtatshëm me kushtet ekonomike dhe sëbashku me ndryshimet e mëparshme në rezervën e detyrueshme dhe masat makroprudenciale të ndërmarra, do të kontribuojnë në ngadalësimin e mëtejshëm të inflacionit dhe ruajtjen e stabilitetin e kursit të këmbimit valutor.
Në kushtet e tregut të favorshëm valutor, theksi kryesor gjatë vendimmarrjes së ruajtjes së përcaktimit aktual të politikës monetare u vendos mbi nevojën për të stabilizuar pritjet inflacioniste dhe inflacionin në bazë më të qëndrueshme, duke marrë parasysh rreziqet. Konkretisht, inflacioni vendas në dhjetor të vitit 2023 ishte 3,6% në bazë vjetore, me rënie të theksuar të presionit nga çmimet e ushqimeve dhe energjisë, por edhe presione më të ulëta të çmimeve nga kategoritë më pak të ndryshueshme, në pajtueshmëri me masat monetare të marra. Në kushtet e prirjeve të ngjashme të inflacionit në vendin tonë dhe në eurozonë, diferenca në normat vjetore është e vogël. Gjithashtu, më të moderuara janë edhe pritjet inflacioniste të konsumatorëve të shprehura në anketat e Komisionit Europian për muajin dhjetor. Norma mesatare e inflacionit vendas u ul në 9,4% në vitin 2023, në pajtim me normën e pritshme prej 9,5%. Megjithatë, ky nivel është akoma mbi mesataren historike dhe rreziqet në lidhje me dinamikën e çmimeve të ardhshme ende ekzistojnë, për të cilën kontribuojnë pasiguria e lëvizjes së çmimeve në bursat botërore, por edhe disa faktorë vendas. Prandaj, u vlerësua se nevojitet kujdes i mëtejshëm në zhvillimin e politikave, përfshirë politikat që ndikojnë mbi kërkesën në ekonomi. Lidhur me politikën e Bankës Qendrore Europiane (BQE), në mbledhjen e fundit të muajit janar, sërish u miratua vendimi për të mbajtur në të njëjtin nivel normat bazë të interesit.
Gjendja e tregut valutor është e qëndrueshme dhe lëvizjet janë të favorshme. Niveli i rezervave valutore në fund të dhjetorit ishte 4.538,5 milionë euro, që sipas standardeve ndërkombëtare dhe treguesve të cilët mbikëqyren, është nivel i përshtatshëm për ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit valutor vendas. Gjatë vitit të kaluar, rezervat valutore shënuan rritje, e cila i tejkaloi pritshmëritë dhe është kryesisht rezultat i ndërhyrjeve relativisht të larta të Bankës Popullore për blerjen neto të mjeteve të tepërta valutore nga sistemi bankar. Lëvizjet e favorshme në tregun valutor janë rezultat i presioneve të zvogëluara nga kriza energjetike, dhe me të, edhe kërkesës më të ulët nga kompanitë, oferta e shtuar në valutë nga personat fizikë si sinjal besimi në valutën vendase, si dhe likuiditeti në përgjithësi i mirë valutor i bankave. Në lidhje me të dhënat e fundit të disponueshme nga sektori i jashtëm për periudhën tetor - nëntor 2023, aktualisht po tregojnë për deficit tregtar pak më të ulët për tremujorin e fundit të vitit nga pritshmëritë sipas projeksionit të muajit tetor, ndërsa më të favorshme janë edhe arritjet në tregun valutor në dhjetor të vitit 2023.
Në tremujorin e tretë të vitit 2023, rritja reale e PBB-së ishte 1,2% në bazë vjetore, e cila është në pajtim me ciklin e projeksionit të tetorit (rritje prej 1,1%). Të dhënat me frekuencë të lartë për periudhën tetor - nëntor 2023 janë aktualisht në pajtim me pritjet për përshpejtimin e rritjes së aktivitetit ekonomik në tremujorin e fundit të vitit. Kështu gjatë kësaj periudhe vihet re rritje reale e prodhimit industrial, qarkullimi në totalin e tregtisë dhe ndërtimit, pas rënies në tremujorin e mëparshëm, ndërkohë që qarkullimi real në industrinë e shërbimeve hotelerike shënon përshpejtim të rritjes vjetore. Për sa i përket rreziqeve ndaj rritjes, ato janë gjithashtu kryesisht në rënie për periudhën e ardhshme dhe lidhen kryesisht me rritjen e tensioneve gjeopolitike.
Në sektorin monetar, sipas të dhënave të muajit dhjetor të vitit 2023, potenciali depozitues i bankave rritet pak më fuqishëm nga pritshmëritë, me normë prej 9,1%, ndërsa mbështetja kreditore e sektorit privat vazhdon të rritet, por në mënyrë më të moderuar dhe është 5,1%.
Në përgjithësi, treguesit kryesorë makroekonomikë tregojnë për arritje që janë në pajtueshmëri me pritshmëritë. Megjithatë, kushtet për zhvillimin e politikës monetare janë ende të pasigurta dhe kërkojnë mbikëqyrje të mëtejshëm të kujdesshme të dinamikës dhe faktorëve të inflacionit dhe pritjeve inflacioniste dhe kujdesin në menaxhimin e politikave makroekonomike që ndikojnë mbi kërkesën në ekonomi. Banka Popullore vazhdon të jetë e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet e nevojshme dhe të marrë masat e duhura që do të kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit, stabilizimin e pritjeve inflacioniste dhe për stabilitetin e çmimeve në afat të mesëm.