Shkup, 30 korrik 2021
Këshilli i Bankës Popullore mbajti mbledhje të rregullt në të cilën u miratua raporti i fundit tremujor. Siç theksohet në Raport, gjatë tremujorit të dytë pati një stabilizim të dukshëm të situatës epidemiologjike dhe lehtësim të masave kufizuese, gjë që i bën treguesit e aktivitetit ekonomik global të favorshëm. Burimet kryesore të pasigurisë dhe rrezikut në korniza globale mbeten të lidhura me zhvillimin e pandemisë dhe procesin e imunizimit.
Indikatorët e fundit makroekonomik të ekonomisë vendore lëvizin kryesisht brenda kornizave të parashikuara. Të dhënat e vlerësuara të PBB-së për tremujorin e parë të vitit 2021 tregojnë një rënie prej 1.9%, që paraqet thellim të rënies vjetore, e cila pritej edhe në parashikimet e muajit prilli. Nga ana tjetër, të dhënat e disponueshme me frekuencë të lartë mbi aktivitetin ekonomik për tremujorin e dytë tregojnë lëvizje pozitive, duke pasur parasysh stabilizimin e valës së tretë të pandemisë, si dhe imunizimin e filluar në vend dhe tërheqjen graduale të masave kufizuese, të cilat kontribuan në rimëkëmbjen ekonomike. Për sa i përket inflacionit, norma mesatare vjetore e inflacionit në gjysmën e parë të vitit ishte 2.4%, e cila është një dinamikë e pritshme duke pasur parasysh rritjen e çmimeve botërore të produkteve primare. Paqëndrueshmëria e lartë e çmimeve në tregjet botërore mbetet burimi kryesor i pasigurisë në lidhje me lëvizjet e ardhshme të çmimeve të brendshme.
Të dhënat e fundit të disponueshme për bilancin e pagesave tregojnë ecurinë e transaksioneve aktuale dhe financiare që janë në përputhje me pritjet nga parashikimi i muajit prill. Në tregun valutor, gjatë tremujorit të dytë të vitit, Banka Popullore ndërhyri me një neto blerje të vogël të valutave të hauaja, e cila tregon zhvillime të favorshme në këtë segment të tregut. Të dhënat mbi rezervat valutore bruto për tremujorin e dytë tregojnë një dinamikë më të mirë se sa pritej, pra vazhdojnë të jenë në zonën e sigurt.
Aktiviteti kreditor i sektorit bankar gjatë tremujorit të dytë të vitit pati rritje të përshpejtuar, e cila është e zakonshme për këtë periudhë të vitit. Kështu, ruajtja e natyrës akomoduese të politikës monetare, si dhe aftësia paguese dhe likuiditeti i bankave janë faktorë që vazhdojnë të stimulojnë ofertën e kredive. Në baza vjetore, rritja kreditore në fund të tremujorit të dytë arriti në 5.1%, e cila është mbi rritjen vjetore të parashikuar në parashikimet e muajit prill. Në të njëjtën kohë, u regjistrua një rritje e përshpejtuar e bazës së depozitave, si burimi kryesor i financimit të aktivitetit kreditues të bankave. Rritja vjetore e depozitave totale në fund të muajit qershor ishte 6.7%, që është një rritje solide dhe është në përputhje me pritjet sipas parashikimit të muajit prill.
Në mbledhje, Këshilli vendosi të mbajë normën e shtresës mbrojtëse kundërciklike te kapitalit për ekspozime në vendin tonë dhe për ekspozime ndaj vendeve të tjera në 0%. Shtresa mbrojtëse kundërciklike e kapitalit paraqet instrument makroprudencial të prezantuar pas krizës globale, qëllimi i të cilit është të kontribuojë në zvogëlimin e rritjes së tepërt kreditore në kushtet e zgjerimit të ciklit financiar, domethënë të ndihmojë në përballimin e prociklit në sistemin financiar. Mbajtja e nivelit të shtresës kundërciklike të kapitalit në 0% bazohet në treguesit e rritjes së moderuar kreditore, elasticitetin e sistemit bankar dhe arritjet e ekonomisë së brendshme, të cilat tregojnë për rimëkëmbjen e tij.
Këshilli gjithashtu shqyrtoi dhe miratoi ndryshimet në Vendimin mbi mënyrën dhe kushtet në të cilat rezidentët të cilët nuk janë banka të autorizuara mund të hapin dhe të kenë llogari jashtë vendit. Me ndryshimet hiqet kufiri prej 2,500 euro në muaj për person për flukset hyrëse nga llogaritë tek institucioni pagesor ose një institucioni për para elektronike jashtë vendit.
Në mbledhje, Këshilli gjithashtu shqyrtoi Raportin mbi vlerësimin e jashtëm të kryer për cilësinë e punës së auditimit të brendshëm të Bankës Popullore, të përgatitur nga një ekip ekspertësh nga Banka Qendrore e Holandës. Raporti vlerëson se përputhshmëria e operacioneve të auditimit të brendshëm të Bankës Popullore me Standardet Ndërkombëtare të Institutit të Auditorëve të Brendshëm është në nivelin më të lartë të tre shkallëve të pajtueshmërisë.
Këshilli gjithashtu shqyrtoi edhe çështje të tjera brenda kompetencës së tij.