Shkup, 29 maj 2020
Afër 500 nxënës nga shkollat fillore dhe të mesme nga i gjithë vendi, sot morën pjesë në garën nacionale të Kuizit Evropian të Parasë, i cili si në vendet tjera evropiane u zhvilluar përmes platformës elektronike Kahut (Kahoot!).
· Vendin e parë e fitoi Edon Hambari nga shkolla fillore „Ismail Qemaili“ - Shkup, nën mentorimin e Merita Tairit.
· Vendin e dytë e fitoi Andrej Shumanski nga shkolla fillore „Kiril Pejçinoviq“ - Shkup, nën mentorimin e Aleksandra Boshkovska-Spasovska.
· Vendin e tretë e fitoi Antonio Jordanoski nga shkolla fillore „Rampo Levkata“ - Prilet, nën mentorimin e Ilço Jordanoski.
Kuizi është projekt i Asociacionit Bankar Evropian dhe ka për qëllim të motivojë shkollat dhe kuadrin arsimor në Evropë që edhe më shumë të investojnë në edukimin financiar të nxënësve të moshës 13-15 vjeç. Vendi ynë është pjesë e këtij projekti për herë të dytë, me nismën dhe organizimin e Asociacionit Bankar Maqedonas, në bashkëpunim me Bankën Popullore dhe Komisionin e Letrave me Vlerë dhe me mbështetje të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Për shkak të situatës me pandeminë të Kovid-19, këtë vit, garat nacionale në disa vende evropiane, përfshirë këtu edhe vendin tonë, u zhvilluan në një mënyrë të ndryshme krahasuar me vitin e kaluar - me pjesëmarrje online dhe përmes performancave individuale të nxënësve, pa ekipe. Para mbajtjes së garës, me testimin e brendshëm nëpër shkollat u përfshinë rreth 5500 nxënës, gjë që vërteton se aktualisht kjo është njëra nga ngjarjet më të mëdha të natyrës garuese-edukative i destinuar për të rinjtë që organizohet në vendin tonë.
Mbyllja zyrtare e Kuizit Evropian të Parasë për vitin 2020 do të mbahet online, më 16 qershor, me finalen e madhe në gjuhën angleze në të cilën, përveç nxënësve, janë të ftuar edhe mentorët, prindërit dhe të gjithë personat e tjerë të interesuar për edukimin financiar. Në këtë ngjarje do të prezantohen fituesit e garave nacionale për të rinjtë e moshave 13 deri 15 vjeç, ndër të cilët është edhe Edon Hambari, ndërsa Federata Bankare Evropiane do të promovojë edhe Raportin e saj për kulturë financiare në Evropë.
Banka Popullore, Asociacioni Bankar Maqedonas, Komisioni i Letrave me Vlerë, Ministria e Financave dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës u urojnë të gjithë nxënësve, mentorëve dhe pjesëmarrësve të cilët pavarësisht sfidave të shumta me krizën e koronës, demonstruan ndërgjegjësim të lartë për rëndësinë e madhe të investimit në kulturën financiare dhe në një periudhë të këtillë punuan me përkushtim që përmes Kuizit Evropian të Parasë të arrijnë rezultate të rëndësishme, që janë edhe një investim në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë maqedonase dhe një garanci e llojit të saj për përgatitjen e gjeneratave të reja për përfshirje aktive në flukset financiare.
Përvojat që institucionet financiare i fitojnë gjatë krizës së koronës edhe një herë e vërtetojnë rëndësinë e investimit në edukimin financiar dhe nxitjen e përfshirjes më të lartë financiare të popullatës. Të gjithë institucionet që marrin pjesë dhe e mbështesin mbajtjen e Kuizit Evropian të Parasë në vendin tonë vazhdojnë me aktivitetet e tyre në këtë sferë, me ç’rast në dimensionimin e një pjese të aktiviteteve do të përdoren edhe përvoja që janë fituar gjatë kësaj periudhe.
Fituesi i garës nacionale Kuizi Evropian i Parasë, si dhe pjesëmarrësit që fituan vendin e dytë dhe të tretë dhe mentorët e tyre do të shpërblehen me çmime të përshtatshme.