Mbahet mbledhja e rregullt e Këshillit të Bankës Popullore
Miratohet Raporti vjetor për vitin 2019 dhe Raporti për rreziqet në sistemin bankar në vitin 2019
Shkup, 29 prill 2020
Këshilli i Bankës Popullore mbajti mbledhjen e rregullt në të cilën u shqyrtuan dhe miratuan Raporti vjetor për vitin 2019 dhe Raporti për rreziqet në sistemin bankar në vitin 2019.
„Ashtu si episodet e krizave të së kaluarës, kriza globale e koronës tregon se, për një reagim të shpejtë dhe efikas është e domosdoshme që vazhdimisht të investohet në kapacitetet institucionale, zhvillim të politikave të kujdesshme dhe krijimi i hapësirës që të mund të përdoret kur të jetë e nevojshme për të trajtuar tronditjet. Edhe në vitin e kaluar, ne ruajtëm me sukses stabilitetin e çmimeve duke ruajtur stabilitetin e kursit të këmbimit të denarit në raport me euron dhe siguruam forcim të mëtejshëm të stabilitetit financiar në ekonomi. Duke bërë këtë, ne jo vetëm që zhvilluam një politikë të rregullueshme monetare, por gjithashtu ndërmorëm edhe një sërë aktivitetesh drejt përmirësimit të mjedisit të përgjithshëm. Në të njëjtë kohë, vazhdimisht punuam në forcimin e kapacitetit tonë institucional.“ - thekson guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska në fjalën hyrëse të Raportit të miratuar vjetor.
Raporti ofron një përmbledhje të detajuar të drejtimit të politikës monetare dhe mjedisit makroekonomik, si dhe aktiviteteve më të rëndësishme që Banka Popullore i ndërmori gjatë vitit të kaluar, duke i arritur qëllimet dhe detyrat e saj ligjore dhe duke avancuar punën e saj në pajtim me standardet e fundit ndërkombëtare dhe përvojat e mira në komunitetin e bankingut qendror.
Ndër të tjera, gjatë vitit të kaluar, Banka Popullore intensifikoi aktivitetet për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet rregullatorëve financiar, si në drejtim të forcimit të vazhdueshëm të stabilitetit financiar, ashtu edhe në drejtim të avancimit të edukimit financiar dhe përfshirjes financiare. Punohej intensivisht dhe u arritën rezultate të konsiderueshme edhe në fushën e statistikës, duke u bërë vendi i tetëmbëdhjetë në botë që aderoi në standardin më të lartë statistikor SDDS plus, dhe gjithashtu u lëshua në përdorim edhe ueb-portali i ri statistikor „NBStat“. Për të forcuar zhvillimin dhe aplikimin e inovacioneve financiare, Banka Popullore hapi Portën e Inovacionit - një platformë për komunikim me sektorin fintech, dhe në të njëjtën kohë punohej në rregulloren e re për shërbimet e pagesave dhe sistemet e pagesave, e cila në masë të madhe do të jetë e harmonizuar me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Për të mbështetur tregtinë elektronike, është liberalizuar hapja dhe zotërimi i llogarive të përdoruesve nëpër shërbimet elektronike për transaksione të pagesave. Vazhdimisht është punuar në konvergjencën me standardet e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore duke formuar edhe Komitetin për Eurointegrime. Njëkohësisht, vazhdimisht është investuar në forcimin e transparencës së Bankës Popullore dhe avancimin e komunikimit me publikun.
Siç theksohet në Raport, Banka Popullore do të vazhdojë të jetë e përkushtuar dhe konsistente në arritjen e qëllimeve të saj.
Të dhënat dhe konstatimet në Raportin e miratuar për rreziqet në sistemin bankar konfirmojnë se sistemi është i shëndoshë dhe stabil dhe i vendosur mbi baza të qëndrueshme, si dhe se është i gatshëm të përballet me tronditje të ndryshme, përfshirë edhe efektet e pafavorshme nga kriza aktuale shëndetësore. Banka Popullore, përmes avancimit të vazhdueshëm të standardeve në pajtim me rregulloret evropiane, dhe bankat me sjelljen e tyre të kujdesshme, mundësuan ruajtjen e likuiditetit dhe aftësisë së lartë paguese. Këto janë dy shtyllat kryesore të stabilitetit të sistemit bankar, fushëveprimi dhe cilësia e të cilave sigurisht do të ndihmojnë që bankat më lehtë të përballen me sfidat që i bart paraqitja e virusit korona.
Në fund të vitit të kaluar, norma e mjaftueshmërisë së kapitalit të sistemit bankar ishte 16.3%, që është dy herë më shumë se sa minimumi i përcaktuar me ligj. Pothuajse gjysma e fondeve vetjake të sistemit bankar bien mbi shtesat e kapitalit të përcaktuar në përputhje me vlerësimin mbikëqyrës dhe amortizatorët e kapitalit, që janë veçanërisht të rëndësishëm në kushte të krizës, kur ato mund të përdoren për të trajtuar sfida të natyrave të ndryshme. Testi i kryer i stresit tregon që, në bankat veçmas dhe në sistemin bankar në tërësi, rezistenca ndaj goditjeve është rritur vitin e kaluar në krahasim me vitin 2018.
Siç theksohet në Raport, gjatë vitit të kaluar, pozicioni i likuiditetit të bankave është përmirësuar më tej, kryesisht si rezultat i rritjes të aktiveve likuide, që është i larti në nëntë vitet e fundit. Rrjedhimisht, treguesit përmes të cilëve monitorohet dhe vlerësohet likuiditeti shënuan përmirësim. Afërsisht një e treta e aktivit të sistemit bankar janë mjete likuide, që mbulon afër 60% të depozitave të amvisërive. Konfirmim i vëllimit të kënaqshëm të aktivit likuid që lejon bankat të kryejnë pa ndërprerje aktivitetet e tyre të biznesit janë edhe rezultatet e simulimeve për tronditjet likuide të kombinuara. Ato tregojnë për një administrim të duhur të rrezikut të likuiditetit nga ana e bankave dhe rezistencë të kënaqshme ndaj daljeve të supozuar ekstreme të likuiditetit.
Gjatë kësaj periudhe, pikërisht teprica strukturore e likuiditetit dhe kapitalizimi i mirë i bankave vendase, kontribuojnë në kapacitetin e tyre të qëndrueshëm dhe gatishmërinë për të përmbushur nevojat e klientëve të tyre. Është me rëndësi të veçantë që vitin e kaluar, ekspozimi i sistemit bankar ndaj rrezikut të kredisë është zvogëluar. Norma e kredive me probleme të sektorit jo-financiar është reduktuar në nivelin më të ulë historik prej 4,8%, gjegjësisht 95,2% të kredive të bankave shlyhen rregullisht ose me vonesë deri më 90 ditë.
Sipas të dhënave të botuara në Raport, sistemi bankar vendas edhe gjatë vitit të kaluar vazhdoi me operacione fitimprurëse, megjithëse me fitime më të ulëta dhe rrjedhimisht tregues më të ulët të kthimit të kapitalit dhe aktivit, krahasuar me vitin 2018.
Në mbledhje, Këshilli gjithashtu miratoi ndryshime rregullatore që lejojnë bankat dhe shtëpitë e kursimit të ndryshojnë kushtet e marrëveshjes së kredisë për të lehtësuar barrën financiare të huamarrësve, të cilëve u është aprovuar kredia në periudhën nga 1 deri në 24 mars të këtij viti. Më konkretisht, vendimi i marrë gjatë muajit të kaluar përfshinte përdoruesit e kredisë të cilët nuk kishin problem me shlyerjen e detyrimeve të kredisë deri në fund të shkurtit. Me ndryshimet e miratuara rregullatore, tani mundësohet trajtim i njëjtë i klientëve të bankave dhe shtëpive të kursimit të cilët kanë marrë mbështetje kreditore gjatë marsit, deri në hyrjen në fuqi të ndryshimeve rregullatore, sipas të cilave tashmë janë shpallur ofertat për shtyrjen e pagesës së detyrimeve të kredisë.
Këshilli gjithashtu miratoi një vendim për heqjen e tarifës për sigurimin e të dhënave për individë nga Regjistri Kreditor i Bankës Popullore për borxhin e tyre ndaj bankave dhe shtëpive të kursimit. Për më tepër, të gjithë qytetarët në nevojë, certifikatën nga Regjistri Kreditor do ta marrin falas, gjë që do të lehtësojë barrën e tyre financiare.
Në mbledhje, u miratuan ndryshime dhe plotësime në Vendimin për Metodologjinë e Përcaktimit të Mjaftueshmërisë së Kapitalit, të cilat sigurojnë zbatim më të përshtatshëm të dispozitave të Rregullores Evropiane për kërkesat e kapitalit.
Këshilli shqyrtoi edhe çështje tjera brenda juridiksionit të tij.