Shënohet Dita Botërore e Kursimeve
Shkup, 29 tetor 2021
Rritja e depozitave vazhdoi me ritme solide edhe gjatë krizës së koronës. Sistemi bankar tejkaloi me sukses testin e imponuar nga kriza e pandemisë Kovid-19, tha zëvendësguvernatorja e Bankës Popullore, Ana Mitreska, në manifestimin tradicional të organizuar nga Shoqata e Bankave të Maqedonisë (MBA), me rastin e Ditës Botërore të Kursimeve.

“Potenciali i depozitave po rritet me një intensitet relativisht solid mbi 8% në bazë vjetore, kështu që dinamika e rritjes është shumë e ngjashme me atë të periudhës 2018-2019. Dinamika e këtillë nuk i ngjan aspak ngjarjeve të krizës financiare globale kur në një kohë të shkurtër rritja e depozitave u ngadalësua nga rreth 20% në rreth 7% në vit”, tha zëvendësguvernatorja e Bankës Popullore, Ana Mitreska me rastin e Ditës Botërore të Kursimeve.
Pandemia e Kovid-19, ndryshe nga episodet e tjera të krizës, në fakt ka kontribuar në rritjen e kursimeve dhe ky proces është një fenomen global. Në vendet e zhvilluara, suficiti i vlerësuar i kursimeve në vitin 2020 ishte afër 7% e PBB-së, duke treguar se në pandemi është kursyer më shumë sesa në rrethana normale. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, normat e kursimeve të brendshme shënuan ulje prej 3% të PBB-së, por në kushte të shpenzimeve të forta fiskale për të mbështetur ekonomitë. Kjo do të thotë se kursimet e sektorit privat, përkundër recesionit të madh, me shumë gjasa ngelet relativisht stabil apo në rritje”, tha zëvendësguvernatorja Mitreska.
“Tre arsyet që kanë kontribuar në këtë fenomen janë të ardhurat stabile të disponueshme, pjesërisht për shkak të impulsit fiskal për të mbështetur pagat dhe vendet e punës, zvogëlimi i detyruar i konsumit familjar dhe motivi i kujdesit nga depozituesit”, tha Mitreska.
Gjatë pandemisë, vërehet ndryshim edhe në sjelljen investuese të popullsisë. Për shkak të normave të ulëta të interesit, të ardhurave të disponueshme relativisht të qëndrueshme, mundësive dhe nevojave të reduktuara për konsum dhe ndryshimit të modeleve të punës, ka rritje të kërkesës për patundshmëri dhe çmimeve të pasurive të patundshme në nivel global.
“Ndryshe nga një sërë treguesish ekonomik, të cilët u humbën gjatë pandemisë, çmimet e pasurive të patundshme po rriten. Në vendet e BE-së, në gjysmën e parë të këtij viti, çmimet e pasurive të patundshme u rritën mesatarisht me afro 7%, krahasuar me rritjen prej rreth 4% në vitet e fundit. Në vendin tonë rritja e çmimeve është më e moderuar dhe arrin rreth 4.4% gjatë këtij viti, por kjo “sindromë pandemike” duhet të monitorohet nga afër”, ka përfunduar zëvendësguvernatorja Mitreska.
Duke iu referuar të ardhmes, zëvendësguvernatorja Mitreska theksoi se në të gjitha vendet me rritjen e kursimeve po rriten edhe burimet e financimit të bankave dhe kapaciteti i tyre për të mbështetur ekonominë, veçanërisht në pikat që do të duhet t'u përgjigjen kërkesave të reja post-pandemike dhe të cilat do të zmadhojne potencialin për rritje. Tranzicioni në një ekonomi të gjelbër është padyshim një nga çështjet që për shkak të pandemisë ka kaluar nga margjinat në thelbin e prioriteteve.