Shkup, 29 shtator 2025
Në Bankën Popullore u mbajt sesioni i 55-të i Klubit të Hulumtuesve. Në këtë sesion u prezentua kërkimi shkencor "Modelimi i kërkesës afatshkurtër për paratë e gatshme në qarkullim në Maqedoninë e Veriut" nga autorja Marija Stojkoska. Sesionin e hapi guvernatori i Bankës Popullore, dr. Trajko Sllaveski, i cili theksoi se Klubi përfaqëson platformë për prezantimin dhe shqyrtimin e punimeve kërkimore shkencore të Bankës Popullore, e cila ka mbështetur aktivitetet kërkimore shkencore në vend gjatë 12 viteve të kaluara. Ai theksoi se punimi shqyrton një fushë që është jashtëzakonisht e rëndësishme për bankën qendrore, si institucion përgjegjës për miratimin dhe zbatimin e politikës monetare. Prandaj, saktësia në parashikimet e lëvizjes së parave të gatshme në qarkullim në baza ditore, duke përdorur mjete moderne dhe teknika ekonometrike, është me rëndësi të veçantë.
Autorja Stojkoska theksoi se paratë e gatshme në qarkullim janë pjesë e bilancit të bankës qendrore dhe janë me rëndësi të madhe sepse ndikojnë drejtpërdrejt në sasinë e mjeteve likuide që u nevojiten bankave në monedhë vendase. Kjo është arsyeja pse parashikimi i parave të gatshme në qarkullim është i rëndësishëm për bankën qendrore - e ndihmon atë të menaxhojë likuiditetin më lehtë dhe të zbatojë me sukses politikën monetare. Për këtë qëllim, në kuadër të punimit, autorja ndërton model serie kohore bazuar në modelin ARIMA për parashikimin e parave të gatshme në denarë në qarkullim çdo ditë, duke marrë parasysh përvojën ndërkombëtare të bankave të tjera qendrore dhe rekomandimet nga literatura, dhe shpjegon modelin në detaje. Hulumtimi përshkruan zbatimin e modelit në vendin tonë, dhe rezultatet e marra tregojnë saktësinë e tij të lartë në parashikimin afatshkurtër. Zbatimi i tij në praktikë do të kontribuojë në përmirësimin e parashikimeve të likuiditetit bankar dhe menaxhimin më efikas të fluksit të parasë përmes vendosjes së përshtatshme të instrumenteve monetare.
Pas prezantimit, u hap diskutim mes pjesëmarrësve të sesionit.
Sesionet e Klubit mbahen katër herë në vit. Banka Popullore shpall thirje për hulumtuesit për të dorëzuar punim, i cili mund të jetë edhe në version pune. Punimet punohen në pajtim me trendet dhe standardet e hulumtimeve bashkëkohore, që nënkupton analizë empirike, si dhe konkluzione të sistematizuara nga hulumtimi. Në sesionet marrin pjesë analistë dhe hulumtues nga institucionet shkencoro arsimore dhe financiare, studentë dhe pjesëmarrës apo dëgjues të tjerë të interesuar.
Anëtarësimi është i hapur dhe më shumë informacion rreth Klubit mund të gjenden në linkun e mëposhtëm: https://www.nbrm.mk/klub_na_istrazhuvachi.nspx
Sesioni i ardhshëm do të mbahet në muajin dhjetor të këtij viti.