Miratohen Raporti Vjetor për vitin 2020 dhe Raporti për Rreziqet në Sistemin Bankar në vitin 2020
Shkup, 29 prill 2021
Miratohen Raporti Vjetor për vitin 2020 dhe Raporti për Rreziqet në Sistemin Bankar në vitin 2020
Këshilli i Bankës Popullore mbajti mbledhjen e rregullt në të cilën u miratuan Raporti Vjetor i Bankës Popullore për vitin 2020 dhe Raporti për Rreziqet në Sistemin Bankar në vitin 2020.
Raporti Vjetor për vitin 2020 ofron një pasqyrë të detajuar të realizimit të qëllimeve dhe detyrave të Bankës Popullore në fushën e politikës monetare dhe ruajtjes së stabilitetit financiar, si dhe aktiviteteve më të rëndësishme të Bankës Popullore gjatë vitit të kaluar.
Në kuadër të raportit është theksuar ruajtja e suksesshme e qëllimeve të përcaktuara ligjërisht të Bankës Popullore, në kushte të një konteksti jashtëzakonisht të paparashikueshëm të shkaktuar nga pandemia e Kovid 19. Inflacioni u mbajt në një nivel të ulët dhe stabil, në kuadër të strategjisë monetare të ruajtjes së kursit stabil të këmbimit të denarit në raport me euron. Në të njëjtën kohë, treguesit për stabilitetin e sistemit bankar vërtetuan kontributin e Bankës Popullore në ruajtjen e stabilitetit të përgjithshëm financiar në vend.
Reagimi i Bankës Popullore ndaj goditjes së vitit 2020 ishte i shpejtë dhe në kohë dhe në drejtim të lehtësimit monetar, fleksibilitetit rregullator dhe komunikimit të intensifikuar me publikun. Lehtësimi i politikës monetare u bë në kushte të një niveli komod të rezervave valutore dhe inflacionit të moderuar, me qëllim ruajtjen dhe stimulimin e flukseve të kredisë dhe mbështetjen e ekonomisë. Që në muajt e parë të pandemisë, Banka Popullore gradualisht e reduktoi normën e interesit dhe u ndërmorën më shumë masa për rritjen e likuiditetit të sistemit bankar. Duke pasur parasysh pasigurinë e lartë dhe kështu mundësinë e shtrëngimit të kushteve në tregjet financiare, me rëndësi të veçantë është edhe repo linja e miratuar nga BQE-ja, me të cilën u mundësua qasje e pandërprerë dhe e shpejtë në likuiditet në valutë të huaj, nëse është e nevojshme. Në të njëjtën kohë u prezantuan edhe ndryshime rregullatore me të cilat mundësohet fleksibilitet më i madh i bankave në procesin e huadhënies, dhe u lehtësua edhe barra financiare e subjekteve më të prekura. Në vitin 2020, Banka Popullore pati komunikim të intensifikuar me publikun për shkak të ruajtjes së pritjeve të qëndrueshme dhe besimit në kushte të krizës. Rrjedhimisht, duhet të theksohet se në një vit jashtëzakonisht kompleks, depozitat dhe kreditë të bankave në sektorin privat shënuan një rritje vjetore prej 5,7% dhe 4,7%, përkatësisht.
Përveç aktiviteteve për parandalimin e pasojave ekonomike nga pandemia, në vitin 2020, Banka Popullore vazhdoi me punë në më shumë projekte, të destinuara drejt përmirësimit të mëtejshëm të të dhënave statistikore dhe publikimin e statistikës së llogarive financiare, duke zgjeruar gamën e modeleve të vendimmarrjes me një model të ri dinamik stoastik të ekuilibrit të përgjithshëm, forcim të mëtejshëm të kornizës rregullatore në të gjithë fushat e punës (veçanërisht në mbikëqyrjen bankare dhe sistemet e pagesave), mbështetje të inovacioneve dhe dixhitalizimit të sektorit financiar, përpjekje të mëtejshme në fushën e edukimit dhe përfshirjes financiare, si dhe përafrim me punën e SEBQ-së përmes projektit të implementuar të binjakëzimit në katër sferat kryesore të punës.
Sa i përket Raportit për Rreziqet në Sistemin Bankar në vitin 2020, të dhënat konfirmojnë se në kushte të një krize të fortë shëndetësore dhe rrjedhimisht ekonomike, sistemi bankar ruajti stabilitetin dhe ndihmoi në zbutjen e pasojave nga Kovid kriza, duke shënuar një rritje të qëndrueshme në aktivitete.
Në fund të vitit 2020, norma e mjaftueshmërisë së kapitalit të sistemit bankar arriti në 16,7%, që është për 0,4 pikë përqindjeje më shumë krahasuar me fundin e vitit 2019. Rritja e mjeteve vetjake, para së gjithash si rezultat i fitimit të riinvestuar dhe emetimit të aksioneve të reja, kishte kontributin më të madh në rritjen e normës së mjaftueshmërisë së kapitalit. Mbi 90% të mjeteve vetjake në vitin 2020 i përkasin kapitalit bazë të nivelit të parë, i cili përfaqëson segmentin me cilësi më të lartë të kapitalit rregullator të bankave.
Raporti thekson se në vitin 2020 pozicioni likuid i bankave u përmirësua edhe më tej, për shkak të rritje së aktivit likuid. Rrjedhimisht, shumica e treguesve përmes të cilëve monitorohet dhe vlerësohet likuiditeti shënuan përmirësim. Treguesit përmes të cilëve monitorohet cilësia e portofolit kreditor të bankave gjithashtu shënoi përmirësim në vitin 2020. Në fakt, pjesa e kredive me probleme në totalin e kredive ra në nivelin më të ulët historik prej 3,4%. Lëvizje të ngjashme kanë edhe pjesëmarrjet e kredive me probleme në totalin e kredive të sektorit të korporatave dhe amvisërive, të cilat në fund të vitit 2020 arritën në 5,2% dhe 1,6%, përkatësisht.
Sipas të dhënave të botuara në Raport, sistemi bankar i vendit vazhdoi të punoi me fitim edhe gjatë vitit të kaluar, gjë që është me rëndësi të veçantë për ruajtjen e pozicionit kapital të bankave, gjegjësisht stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e tyre.
Gjatë mbledhjes, Këshilli shqyrtoi edhe çështje tjera brenda kompetencave të tij.