Shkup, 30 shtator 2021
Zgjidhja për tejkalim më të shpejtë të pasojave të shkaktuara në ekonomi nga pandemia, qëndron në stimulimin e produktivitetit dhe përforcimin e qëndrueshmërisë së ekonomisë. Produktivitet më i lartë mund të arrihet përmes investimit në kapitalin njerëzor, inovacionit dhe përparimit teknologjik, i cili do të kontribuojë për rritje ekonomike të shpejtë dhe të qëndrueshme. Kjo u theksua në takimin në mes guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska dhe këshilltarit për çështje politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vend, Xherek Bas.

Shfrytëzimi i përfitimeve nga digjitalizimi dhe miratimi i produkteve dhe proceseve të reja, i mundësojnë sektorit privat t’iu përgjigjet më shpejtë nevojave të cilat i imponon gjendja e re. Prandaj, investimi në teknologji të reja, pararelisht edhe në potencialin njerëzor - përmirësimi i kualifikimeve dhe krijimi i aftësi të reja, është mënyrë për t'i kthyer ekonomitë në zonën pozitive, dhe më pas në kahje të rritjes së qëndrueshme ekonomike, u theksua në takim.
Në takim, Guvernatorja Angelovska-Bezhoska, iu referua efekteve të pandemisë në ekonominë e vendit, e cila vitin e kaluar shënoi rënie prej 4.5%, i ngjashëm me rënien mesatare të shteteve në rajon. Gjithashtu theksoi se pa ndërhyrjen e politikës monetare dhe fiskale, rënia e aktivitetit ekonomik me siguri do të ishte më e madhe. Lidhur me bankën qendrore, u theksua se që nga fillimi i krizës, politika monetare ishte e relaksuar, dhe njekohësisht u ndërmorën masa me të cilat u mundësua fleksibilitet rregullator dhe lehtësim i përkohshëm i ngarkesës financiare të sektorit privat. Këto masa mundësuan rritje të likuiditetit në ekonomi, qasje më të lehtë në financim dhe mbështetje të aktivitetit ekonomik. Gjegjësisht, u theksua se aktiviteti i kredive ështe në rritje të vazhdueshme, dhe se njëkohësisht zvogëlohet çmimi i kredive. Këto lëvizje në tregun e kredisë mbështeten edhe nga stabiliteti dhe qëndrueshmëria e sektorit bankar, e cila reflektohet nga performansat e tij të mira dhe normën e ulët të kredive me probleme.
Në rrethana të tilla, si dhe në kushtet e përmirësimit të gjendjes epidemiologjike dhe stabilizimit të besimit, u konstatua se ekonomia e brendshme po rimëkëmbet gradualisht. Në gjysmën e parë të vitit është realizuar rritje e prodhimit të brendshëm bruto prej 5.2%, e cila pothuajse përkon me parashikimet e Bankës Popullore për këtë periudhë (5.4%).
Angelovska-Bezhoska iu referua edhe çështjes së inflacionit, duke theksuar se në korniza globale, është vërejtur përshpejtim i inflacionit nën ndikimin e rritjes së çmimeve të produkteve primare dhe faktorëve të përkohshëm të shkaktuar nga pandemia. Stabilizimi i rritjes së çmimeve pritet tashmë gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa lëvizjet vazhdimisht dhe me kujdes monitorohen.