Shkup, 28 prill 2022
Shkup, 28 prill 2022
Ballafaqimi me sfidat aktuale nuk duhet të shtyjë reformat strukturore. Përkundrazi, duhet të vazhdohen paralelisht, sepse janë ata që do të japin rezultate afatgjata. Ky ishte mesazhi i konferencës së përbashkët për shtyp të guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska dhe nënkryetares së Bankës Europiane të Investimeve, Liljana Pavllova, të mbajtur me rastin e Konferencës së 8-të Ndërkombëtare Hulumtuese të Bankës Popullore, me titull: "Forcimi në kohë krize: Roli i politikave."
Guvernatorja e Bankës Popullore theksoi se pas një dekade inflacioni të ulët, tashmë pothuajse të gjitha ekonomitë po shohin norma më të larta. Rreth gjysma e ekonomive në zhvillim shënuan inflacion më të lartë se 7%, ose nivel më i lartë gjatë dy dekadave të kaluara, ndërsa të dhënat e fundit tregojnë se presionet e çmimeve mund të zgjasin më shumë se sa pritej. Institucionet financiare ndërkombëtare po rrisin projeksionet e inflacionit duke ulur pritshmëritë e rritjes në nivel vjetor. Megjithatë, me projeksionet e fundit pritet rezultat pozitiv ekonomik, si në nivel global, ashtu edhe në atë vendas.
"Tani, bankat qendrore duhet të përqendrohen në mandatin e tyre kryesor për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, gjë që kërkon normalizim gradual të politikës monetare, ndërsa efektet afatshkurtra të krizës duhet të zgjidhen me përdorimin e mjeteve të politikës fiskale të cilat duhet të kenë synim të mirë dhe të kufizuara në kohë. Ka shumë faktorë që mund të kontribuojnë në përmirësimin e rezultatit të përgjithshëm ekonomik, si: konkurrenca e ekonomisë, cilësia e kapitalit njerëzor, cilësia e institucioneve, inovacioni dhe gatishmëria teknologjike. Janë të nevojshme reforma strukturore dhe do të theksoj se ballafaqimi me sfidat aktuale nuk duhet t'i lërë në pritje reformat strukturore, përkundrazi, ato duhet të vazhdojnë paralelisht, sepse janë ato që do të japin rezultate afatgjata”, tha guvernatorja Angellovska-Bezhoska.
Guvernatorja vuri në dukje se bankat qendrore mund të ofrojnë mbështetje në disa nga këto segmente, si lehtësim rregullator për digjitalizim më të madh të shërbimeve financiare dhe inovacionet financiare, për të rritur produktivitetin dhe sfidat e ndryshimeve klimatike që ndikojnë në kapacitetin e rritjes, lëvizjen e çmimeve dhe stabilitetin financiar. Të njejtat, siç theksoi ajo, gjenden lartë në agjendën e bankës sonë qendrore, gjegjësisht janë vendosur si synime strategjike dhe tashmë janë duke u realizuar më shumë aktivitete në atë drejtim.
Nënkryetarja e BEI-së, Pavllova, theksoi se si organizatë janë të gatshëm të mbështesin vendet e Ballkanit Perëndimor në tejkalimin e sfidave të krijuara nga situata aktuale.
“Ashtu siç pandemia krijoi urgjencë për digjitalizim, kriza aktuale inkurajon tranzicionin e gjelbërt drejt efikasitetit energjetik, burimeve të rinovueshme, menaxhimit të gjelbërt dhe inovacioneve miqësore ndaj klimës. Si bankë e Bashkimit Europian, e cila mbështet projektet në aspektin e trajtimit të ndryshimeve klimatike, BEI-ja planifikon të ofrojë mbështetje për vendet e Ballkanit Perëndimor. Përveç financimit të ndërtimit të rrjeteve energjetike më të sigurta dhe të shumëllojshme, jemi duke i ndihmuar rajonit të rrisë rezistencën ndaj ndryshimeve klimatike, si dhe të zhvillojë projekte të reja të qëndrueshme në kuadër të "Planit Ekonomik dhe Investues për Ballkanin Perëndimor". Vitin e kaluar, BEI-ja vuri në dispozicion 257 milion euro për të mbështetur dekarbonizimin dhe kalimin në një ekonomi të gjelbër në rajon" thekosi Pavllova.
Pavllova gjithashtu theksoi se prioritet në agjendë duhet të ketë edhe bujqësia e qëndrueshme, veçanërisht prodhimtaria e ushqimit, duke theksuar se BEI-ja ka përvojë të konsiderueshme në këtë fushë.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh ndikimet e luftës në Ukrainë, të cilat ndoshta do të ndikojnë në tregun global bujqësor. Prandaj, ne jemi të gatshëm të mbështesim projekte të cilat do të ndihmojnë vendet që janë më të varura nga importet e ushqimit për të rritur prodhimtarinë e tyre vendase dhe për të përmirësuar furnizimin e përgjithshëm" tha Pavllova.
Në konferencën ndërkombëtare, e organizuar në të njëjtën kohë kur Banka Popullore feston 30 vjetorin e pavarësisë monetare, marrin pjesë mbi 40 pjesëmarrës: guvernatorë dhe anëtarë të bordeve të bankave qendrore, përfaqësues të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe përfaqësues të komunitetit akademik në vend dhe jashtë vendit. Po debatohet për sfidat kryesore të ekonomive në rajon të cilat lidhen me normalen e re pas pandemisë, duke pasur synim rregullimet e politikës pas-pandemike, si dhe efektet e rritjes së pasigurisë që rrjedhin nga përshkallëzimi i rreziqeve gjeopolitike në Europën Lindore, por edhe në "sfida strukturore" të rëndësishme si tranzicioni klimatik, qëndrueshmëria ekonomike dhe përfshirja financiare.