Shkup, 28 shkurt 2023
Banka Popullore është në fazën përfundimtare të hartimit të strategjisë së parë kombëtare për nxitjen e financimit të gjelbër. Strategjia parashikon një numër të madh aktivitetesh që do të kontribuojnë për t'u përballur me efektet e ndryshimeve klimatike, të cilat kanë ndikim negativ në rritjen ekonomike të vendeve dhe presionet inflacioniste. Banka Evropiane e Investimeve (BEI) ka shprehur gatishmërinë e saj nëpërmjet ekipit të saj konsulent, të specializuar për “gjelbërimin e sistemeve financiare", për të mbështetur zbatimin e strategjisë. Kjo u theksua në takimin e guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska me nënkryetaren e BEI-së, Liljana Pavllova, në margjinat e forumit të grupit të BEI-së "Përshtatja ndaj botës që ndryshohet", ku merr pjesë guvernatorja.
Ndryshimet klimatike janë burim rreziqesh për stabilitetin financiar dhe për këtë arsye një numër i madh i bankave qendrore në botë përfshijnë financat e gjelbra në qëllimet e tyre. Banka Popullore, si institucion me përgjegjësi shoqërore përpiqet të jetë shembull dhe të jep kontribut në krijimin e ekonomisë “së gjelbër” dhe të qëndrueshme, për shkak të përmirsimit të cilësisë së jetës së qytetarëve dhe standardit të tyre të jetesës. Prandaj, Banka tashmë po ndërmerr një sërë aktivitetesh për të inkurajuar financimin e projekteve të gjelbra nga sektori bankar, ndër të cilat është hartimi i strategjisë së financave të gjelbra.
Strategjia për nxitjen e financave të gjelbra do të ndikojë në disa segmente, si stabiliteti financiar, rregullimi dhe mbikëqyrja bankare, politika monetare, hulumtimi, tregjet financiare dhe forcimi i kapaciteteve të Bankës Popullore. Disa nga aktivitetet më të rëndësishme në kuadër të strategjisë janë përgatitja e udhëzimeve për funksionimin e bankave në fushën e financave të gjelbra, si dhe testet e rregullta të stresit për vlerësimin e rezistencës së sistemit bankar ndaj ndryshimeve klimatike.
Banka Popullore në periudhën e kaluar filloi të ndërtojë portofoli të gjelbër të letrave me vlerë në rezervat valutore. Nga viti i kaluar përmes rezervës së detyrueshme, banka qendrore ka ndërhyrë për të nxitur kreditimin e gjelbër nga bankat.
Në periudhën e kaluar vërehet progres në financimin e gjelbër në vend, por ende ka hapësirë për përmirsimin e tij. Banka Popullore ka filluar njoftimin e rregullt për kreditimin e gjelbër të bankave - sipas të dhënave të fundit që ka në dispozicion ka rritje prej gati 80% të kreditimit të gjelbër në krahasim me fundin e vitit 2019 (prej kur mblidhen të dhënat). Gjatë kësaj periudhe "kreditë e gjelbra", ose kreditë për financimin e energjisë së rinovueshme, efikasitetit të energjisë, bujqësisë së qëndrueshme dhe inovacionet teknologjike, u rritën për 0.9 pikë përqindje si ndarje të kredive të përgjithshme dhe tani arrijnë në 3.1%.
Bashkëpunimi i vendit tonë me Bankën Evropiane të Investimeve daton prej vitit 1977. Deri më tani ata mbështesin projekte zhvillimi në sektorin publik dhe privat, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës në vend. Pjesa më e madhe e projekteve kanë të bëjnë me investimet në rrjetin e transportit, energjetikës, si dhe furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujërave të zeza, si dhe mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përmes linjave kreditore të plasuara përmes bankave komerciale.