Shkup, 27 Tetor 2021
Denari është stabil, kurse lëvizjet e çmimeve janë si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë në bursat botërore pas rënies së lartë vitin e kaluar, si dhe ndërprerjeve të përkohshme në zinxhirët e furnizimit të shkaktuara nga pandemia. Këto janë ndryshime të karakterit të përkohshëm, të cilat do të zvogëlohen deri në fund të vitit dhe nuk është e nevojshme “nxitje shtesë” e lëvizjeve të inflacionit, tha zëvendësguvernatorja e Bankës Popullore, Emilija Nacevska e ftuar në emisionin “Brifing i mëngjesit”.
- Arsyeja e rritjes më të shpejtë të çmimeve në nëntëmujorin e parë të këtij viti prej 2.8%, krahasuar me pritjet për rritje prej 2.2% për gjithë vitin, janë në kahun e ofertës. Kjo është kryesisht për shkak të rritjes më të lartë të çmimeve të energjisë në nivel global – çmimit të naftës dhe gazit, që rrjedh nga rënia e lartë e çmimeve vitin e kaluar dhe ndërprerjes së zinxhirëve të furnizimit global si pasojë e pandemisë. Me rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik botëror, ka rritje më të shpejtë të kërkesës në raport me ofertën dhe krijimin e mbingarkesës së ofertës që ushtrojnë presion mbi çmimet. Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Evropiane dhe organizatat tjera ndërkombëtare që ndjekin këto lëvizje, vlerësojnë se kjo situatë është e përkohshme dhe pritet që të mbarojë gjatë vitit të ardhshëm, 2022. Ne jemi një vend që energjia dhe lënda e parë varen nga importi dhe lëvizjet në bursat botërore reflektohen edhe në çmimet e brendshme - çmimet e ushqimeve dhe produkteve të tjera. Nga kjo rrjedh edhe rritja e çmimeve - thekson zëvendësguvernatorja Nacevska.
Megjithatë, zëvendësguvernatorja vë në dukje se “nxitjet shtesë” të inflacionit dhe inkorporimi i pabazë i tyre në çmime nga subjektet ekonomike vendase mund të çojë në rritje të inflacionit, gjë që nuk është e nevojshme dhe as që bazohet në parametra objektivë ekonomikë.
- Nuk ka vend për panik nga inflacioni, por duhet të veprojmë me përgjegjësi dhe të mos bëhen presione të paarsyeshme mbi çmimet aty ku nuk ka nevojë, sepse do të ndikojë në të gjithë ekonominë. "Nxitja shtesë" e pritjeve inflacioniste është diçka që mund të çojë në rritje të çmimeve. Në një skenar të tillë, banka qendrore reagon përmes politikës monetare, duke përfshirë edhe rritjen e normave të interesit, e cila ende nuk është e dëshirueshme në kushtet kur nuk ka disbalanca, dhe ekonomia ende ka nevojë për mbështetje për t'u rikuperuar nga pandemia - thotë Nacevska.
Nacevska thekson se gjendja dhe gatishmëria e Bankës Popullore konfirmojnë kapacitetin për arritjen e qëllimeve themelore, dhe këtë e dëshmon rruajtja e stabilitetit makroekonomik pa ndërprerje në 26 vitet e fundit.
Kjo është edhe falë kapacitetit të rezervave valutore, që kemi ndërtuar ndër vite. Niveli i rezervave valutore është adekuat, me mbulim të importeve të ardhshme prej rreth pesë muajsh. Ne ndjekim çdo ditë zhvillimet në tregun valutor dhe të theksoj se në tremujorin e tretë në tregun valutor kemi blerë tepricë valutore. Denari është stabil dhe do të jetë stabil, ndërsa faktorët dhe zhvillimet e jashtme nuk ndikojnë në stabilitetin e kursit të këmbimit - tha zëvendësguvernatorja.
Në emision, zëvendësguvernatorja Nacevska thekson se për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe stabilitetit financiar, rëndësi të madhe ka pavarësia e Bankës Popullore, e cila përmendet në të gjitha raportet e Komisionit Evropian.