Shkup, 26 shkurt 2021
Këshilli i Bankës Popullore sot mbajti mbledhjen e rregullt në të cilën miratoi Vendim për kufizim të përkohshëm të shpërndarjes dhe pagesës së dividendëve të aksionarëve të bankave. Ky vendim u referohet shtëpive të kursimit.
Siç u theksua në mbledhje, me shpërthimin e pandemisë së Kovid-19, Banka Popullore miratoi disa masa për lehtësim monetar dhe fleksibilitet rregullator, në mbështetje të sistemit bankar dhe ekonomisë në tërësi, në kushte krize. Treguesit e fundit konfirmojnë që sistemi bankar po ruan me sukses stabilitetin e tij, me kreditë që vazhdojnë të rriten edhe më tej dhe pozicionet e qëndrueshme të kapitalit të bankave. Sidoqoftë, pasiguria nga kriza e koronës ende vazhdon. Prandaj, Vendimi i miratuar në mbledhjen e sotme, i cili është një masë e përkohshme, vepron në mënyrë parandaluese, për rritje të mëtejshme të qëndrueshmërisë së sistemit bankar dhe ruajtje të stabilitetit, në kushte të pasigurisë rreth rrjedhës së mëtejshme të krizës shëndetësore.
Vendimi është i natyrës së përkohshme dhe do të vlejë deri në fund të këtij vitit dhe Banka Popullore, më së voni deri më 30 shtator, do të rivlerësojë rrethanat e pandemisë për shkak të së cilës u miratua ky vendim. Në varësi të vlerësimit, Banka Popullore mundet të heqë para kohe kufizimet nga ky vendim.
Siç u theksua në mbledhje, pikërisht për shkak të pasigurisë që ekziston ende, pritet që bankat, si më parë, të vazhdojnë të planifikojnë me kujdes nevojat e tyre për kapital dhe t’i japin prioritet ruajtjes dhe forcimit të mëtejshëm të burimeve kapitale. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit të sistemit bankar, si dhe për sigurimin e mëtejshëm të mbështetjes së qëndrueshme kreditore për qytetarët dhe kompanitë. Për shkak të krizës së koronës, kufizimet e këtilla të përkohshme lidhur me dividendët janë futur edhe në vende tjera të rajonit dhe më gjerë.
Këshilli i shqyrtoi dhe miratoi Raportet financiare të Bankës Popullore dhe Llogarinë vjetore për vitit 2020, të cilët u audituan nga një kompani e pavarur auditimi. Në përputhje me opinionin e auditorit të pavarur, i cili u prezantua në mbledhje, Raportet financiare paraqesin objektivisht, në të gjitha aspektet materiale, situatën financiare të Bankës Popullore më 31 dhjetor të vitit 2020, si dhe rezultatet nga operacionet dhe rrjedhat e parave të gatshme për vitin që është përfundon, në pajtueshmëri me Standardet Ndërkombëtare për Raportim Financiar.
Këshilli shqyrtoi edhe çështje tjera brenda kompetencave të tij.