Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, është kyçur në nismën e shërbimit informativ udhëheqës global të bankimit qendror dhe financat, "Central banking", për të promovuar barazinë, diversitetin dhe përfshirjen. "Central banking" publikoi një tekst autorial të guvernatores, në të cilin theksohet se dallimet gjinore, etnike dhe kulturore janë një përfitim i madh për kulturën institucionale, gjithasthu edhe në miratimin dhe zbatimin e politikave.
"Gjithnjë e më shumë të dhëna sugjerojnë se diversiteti, i trashëguar - si raca dhe gjinia, ose i fituar - si përvojë dhe kulturë, lidhet me suksesin e biznesit sepse mbart një heterogjenitet të vlerave, besimeve dhe qëndrimeve. Ekipet heterogjene mund të çojnë në një kulturë më të mirë institucionale, e cila do të ndihmojë bankat qendrore t'u përgjigjen në mënyrë efektive ndryshimeve” tha guvernatorja, Angelovska-Bezhoska.
Guvernatorja theksoi se të dhënat empirike tregojnë se pjesëmarrja e gruas në komitetet e politikës monetare shoqërohet me rezultate më të mira në drejtim të stabilitetit të çmimeve.
Një analizë e të dhënave nga tetë vende, politika monetare e të cilëve ka për qëllim ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, siç është përshkruar në "Central banking", tregon se bankat qendrore të drejtuara nga guvernatore gra vënë në theks stabilizimin e inflacionit në krahasim me ato të udhëhequra nga kolegët e tyre burra.
"Në bankën tonë qendrore, afër 60% e punonjësve janë gra. Si dhe në pozitat menaxhuese të bankës janë 70% gra. Banka Popullore është një institucion i fortë për sa i përket përfaqësimit gjinor. Por mund të arrihet më shumë duke përmirësuar kulturën tonë institucionale. Ne aktualisht jemi duke rishikuar dhe do promovojmë Kodin e Etikës, si përpjekje për të përmirësuar kulturën tonë institucionale. Duam t'i inkurajojmë edhe më shumë të gjithë punonjësit që të respektojnë diversitetin: gjininë, përkatësinë etnike, karakterin, arsimin dhe opinionin" tha guvernatorja Angelovska-Bezhoska.
Angelovska-Bezhoska gjithashtu thekson se ka nevojë për përfshirje më të madhe të gruas në pozita menaxhuese në sektorin financiar. Siç u njoftua, në vendin tonë, pjesa e gruas në bordet drejtuese dhe mbikëqyrëse të bankave është rreth 30%.
Në njoftimin e "Central Banking", guvernatorja thekson se përfshirja më e madhe financiare e gruas, pra përfshirja e tyre më e madhe në sektoret financiare, ka një rëndësi të veçantë, sepse stimulon rritjen ekonomike dhe zvogëlon hapësirën për pabarazinë e të ardhurave.
Kohët e fundit, "Central Banking" veçoi Angelovska-Bezhoskën në mesin e tre guvernatorëve në botë që me sukses përballojnë sfidat e krizës së koronës.