Shkup, 24 korrik 2024
Norma bazë e interesit mbetet në nivelin 6,30%
Më 23 korrik 2024, u mbajt mbledhja e rregullt e Këshillit Ekzekutiv për përcaktimin e politikës monetare të Bankës Popullore, në të cilën u shqyrtuan të dhënat dhe informacionet më të fundit për ekonominë globale dhe vendase dhe zhvillimet më të fundit në fushën e tregjeve financiare ndërkombëtare dhe vendase në kuadër të përcaktimit të politikës monetare.
Në mbledhje u vlerësua se përcaktimi aktual i politikës monetare është adekuat me kushtet në ekonomi. Kështu, norma e interesit për bonot e thesarit mbetet në nivelin 6,30%, dhe normat e interesit për depozitat njëditore dhe shtatëditore në nivelet 4,20% dhe 4,25%. E pandryshuar mbetet edhe oferta e bonove të thesarit në ankandin e rregullt dhe është 10 miliardë denarë. Edhe më tej pritet që niveli aktual i normave të interesit, së bashku me ndryshimet e mëparshme në rezervën e detyrueshme dhe masat makroprudenciale të marra, të kontribuojnë në ngadalësimin e mëtejshëm të inflacionit dhe ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit. Në të njëjtën kohë, ndryshimet e fundit në instrumentin e rezervës së detyrueshme, që do të zbatohet nga qershori 2024, do të kontribuojnë në mbështetje shtesë për përcaktimin aktual të politikës monetare.
Në kushtet e një tregu valutor të qëndrueshëm, theksi kryesor gjatë marrjes së vendimit për ruajtjen e përcaktimit aktual të politikës monetare u vu mbi nevojën për të stabilizuar inflacionin dhe pritjet inflacioniste në një bazë më të qëndrueshme, duke marrë parasysh rreziqet aktuale që lidhen me faktorët e brendshëm dhe tensionet gjeopolitike. Norma vjetore e inflacionit u ngadalësua ndjeshëm në muajin qershor, kryesisht në komponentin bazë dhe ushqimor, dhe arriti në 3,2%. Për çmimet e produkteve primare në bursa, parashikimet e fundit janë rishikuar në mënyrë të moderuar në rënie, por ende janë mjaft të ndryshueshme dhe konteksti i paqëndrueshëm gjeopolitik dhe faktorët klimatikë vijojnë të krijojnë pasiguri dhe rreziqe për periudhën e ardhshme. Prandaj, u vlerësua se nevojitet kujdes i mëtejshëm në drejtimin e politikës monetare. Për sa i përket politikës së Bankës Qendrore Europiane (BQE), në mbledhjen e fundit të korrikut u mor vendimi për të mbajtur të njëjtat normat bazë të interesit (pas uljes me 0,25 p.p. në qershor), duke ruajtur shtrëngimin dhe karakterin e kujdesshëm të politikës monetare.
Gjendja në tregun valutor është e qëndrueshme dhe lëvizjet janë të favorshme. Niveli i rezervave valutore në fund të muajit qershor arrin 4.337,5 milionë euro, i cili është i mjaftueshëm për ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit të valutës vendase. Lëvizjet në tregun valutor janë ende të favorshme dhe kontribuojnë për ndërhyrje me blerje neto të valutave nga Banka Popullore që nga fillimi i vitit, me një hyrje solide të valutave në tregun valutor. Për sa i përket të dhënave më të fundit të disponueshme nga sektori i jashtëm, deficiti tregtar në prill dhe maj 2024 është në përputhje me pritjet nga cikli i projeksionit të prillit. Realizimet në tregun e këmbimit në tremujorin e dytë janë pak më të ulëta se flukset neto të parashikuara nga transfertat private.
Rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit 2024 u përshpejtua lehtësisht, në përputhje me parashikimet e Bankës Popullore, por më e moderuar se sa pritej. Rritja reale e ekonomisë vendase është 1,2% në bazë vjetore, me rritje të mëtejshme në baza tremujore. Të dhënat me frekuencë të lartë për tremujorin e dytë 2024 që disponohen aktualisht tregojnë për një përshpejtim të mëtejshëm të rritjes nën ndikimin e arritjeve në sektorin e shërbimeve, i cili është në përputhje edhe me parashikimet për tremujorin e dytë.
Kështu, ndërtimtaria ka arritur një rritje reale vjetore dukshëm më të lartë, ndëtsa rritje të lehtë e normës reale të rritjes është vërejtur edhe në hotelieri dhe turizëm. Gjithashtu, qarkullimi në tregti shënoi rënie reale dukshëm më të dobët në bazë vjetore, por rënia e prodhimit industrial po thellohet. Për sa i përket rreziqeve për rritjen në periudhën e ardhshme, ato ende ekzistojnë dhe lidhen mbi të gjitha me zhvillimet në mjedisin e jashtëm, por edhe me intensitetin e zbatimit të projekteve të infrastrukturës së brendshme.
Në sektorin monetar, potenciali depozitues i bankave në qershor 2024 po rritet me ritme solide, por nën pritshmëritë dhe rritja e aktivitetit kreditues është pak mbi pritshmëritë. Në të njëjtën kohë, kursimet në denarë dhe kursimet afatgjata shënuan rritje edhe në qershor, të mbështetura nga masat e Bankës Popullore.
Në përgjithësi, arritjet e fundit në treguesit kryesorë makroekonomikë janë aktualisht afër pritshmërive nga projeksionet e fundit. Megjithatë, është e nevojshme të monitorohen me kujdes rreziqet nga mjedisi i jashtëm dhe faktorët e brendshëm tek inflacioni, pra kujdes i mëtejshëm në administrimin e politikave makroekonomike që ndikojnë në kërkesën në ekonomi. Banka Popullore është ende e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet e nevojshme dhe të marrë masat e duhura që do të kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit, stabilizimin e pritjeve inflacioniste dhe stabilitetin e çmimeve në afat të mesëm.