Shkup, 23 tetor 2024
Norma e interesit e bonove të thesarit ulet për 0,25 p.p. - edhe më tutje ruhet karakteri i kujdesshëm i politikës monetare
Më 22 tetor 2024 u mbajt mbledhja e rregullt e Këshillit Ekzekutiv për vendosjen e politikës monetare të Bankës Popullore, në të cilën u shqyrtuan të dhënat dhe informacionet e fundit për ekonominë globale dhe vendase dhe ngjarjet e fundit të tregjeve financiare ndërkombëtare dhe vendase në pikëpamjen e vendosjes së politikës monetare.
Në mbledhje u vlerësua se kushtet më të reja ekonomike mundësojnë të vazhdohet me kujdes normalizimi i vendosjes së politikës monetare. Prandaj, u vendos që norma e interesit e bonove të thesarit të ulet për 0,25 p.p. deri në nivelin prej 5,8%. Normat e interesit të depozitave njëditore dhe shtatë ditore janë të pandryshuara, përkatësisht në nivelet 4.20% dhe 4.25%. Oferta e bonove të thesarit në ankandin e rregullt mbetet e pa ndryshuar dhe është 10 miliardë denarë.
Me ndryshimin e normës së interesit të bonove të thesarit, me norma të pandryshuara të interesit të depozitave njëditore dhe shtatë ditore, u mbajt qasja e kujdesshme e menaxhimit të politikës monetare. Kjo kryesisht vjen si rezultat i kontekstit i cili përfshin rreziqe të lidhura me mjedisin e jashtëm, por edhe me faktorët e brendshëm të cilët ndikojnë mbi kërkesën agregate. Ende pritet që niveli i normave të interesit, së bashku me ndryshimet e mëparshme në rezervën e detyrueshme dhe masat makroprudenciale të marra, të kontribuojnë në stabilitetin e çmimeve në periudhën afatmesme dhe në ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit.
Vendimi për politikën monetare është bazuar në vlerësimet për inflacion, i cili lëviz brenda pritshmërive si dhe në lëvizjet e vazhdueshme favorizuese të tregut valutor. Norma vjetore e inflacionit në shtator është 2,6% (2,2% në gusht), me përshpejtim të lehtë të çmimeve të ushqimit, që është e lidhur me zhvendosjen e sezonit të produkteve bujqësore shkaku i kushteve të pafavorshme kohore dhe ndikimi i tyre negativ mbi normave të kthimit. Megjithatë, inflacioni bazë ka shënuar rënie në krahasim me muajin paraardhës dhe ka lëvizje të qëndrueshme në bazë vjetore, ndërsa çmimet e komponentit të energjisë kanë shënuar rënie të mëtejshme. Duke marrë parasysh bazën më të ulët krahasuese nga viti 2023 (shkaku i masave të viteve të kaluara për kufizim të përkohshëm të rritjes së çmimeve), deri në fund të vitit është e mundur një ndryshim i përcaktuar në normën vjetore të inflacionit, por në mesatare për tërë vitin 2024 pritet që inflacioni të jetë në kuadër të ciklit të parashikimeve të prillit, pra 3,5%. Në anketimet e Ke-së për pritjet e konsumatorëve, tashmë gjashtë muaj me radhë mbizotërojnë pritjet për uljen e çmimeve në periudhën e ardhshme. Lidhur me çmimet e bursës të produkteve primare, parashikimet e fundit janë të rishikuara në rënie, në pajtim me rritjen e ofertës dhe uljen e kërkesës, që është e lidhur me pritjet e rritjes ekonomike.
Gjendja e tregut valutor është e qëndrueshme dhe zhvillimet janë të favorshme. Niveli i rezervave valutore në fund të shtatorit arrijnë 4.406,6 milionë euro, që është e mjaftueshme për të ruajtur stabilitetin e kursit të valutës vendase. Në pajtim me zhvillimet e favorshme të tregut valutor, Banka Popullore nga fillimi i vitit intervenon me blerje neto të valutave, që kontribuoi edhe për arritje më të mira te rezervat valutore. Lidhur me të dhënat të disponueshme të fundit nga sektori i jashtëm, për momentin deficiti tregtar në korrik dhe gusht 2024 është më i mirë krahasuar me pritshmëritë për tremujorin e tretë të ciklit të parashikimeve të prillit. Arritjet në tregun e këmbimit në fund të muajit shtator janë pak më të ulëta se flukset neto të parashikuara nga transferimet private. Deficiti i realizuar në llogarinë rrjedhëse të bilancit të pagesave në tremujorin e dytë të vitit 2024 është më i ulët se sa pritej sipas parashikimeve të prillit, me flukse financiare neto më të larta të realizuara njëkohësisht.
Lidhur me politikën e Bankës Qendrore Europiane (BQE), si faktor të cilin Banka Popullore gjithashtu e merr parasysh, në mbledhjen e fundit në tetor për herë të tretë këtë vit u miratua vendim për uljen e normës së interesit për 0,25 p.p.
Rritja ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2024 u përshpejtua dhe arrin 2,3%, që është thuajse identike me parashikimet e Bankës Popullore. Gjithashtu, edhe rritja e arritur në gjysmën e parë të vitit prej 1,8% është afër parashkimit tonë prej 1,9%. Të dhënat me freukencë të lartë për tremujorin e tretë të vitit 2024 me të cilat disponon për momentin tregojnë për një përshpejtim të mëtejshëm të rritjes ekonomike. Për momentin, të dhënat e korrikut dhe gushtit, mesatarisht, tregojnë rritje të prodhimit industrial, në krahasim me rënien në tremujorin paraardhës, dhe një përshpejtim i moderuar i rritjes reale vjetore vërehet në qarkullimin në totalin e tregtisë. Zhvendosje të favorshme vërehen edhe në sektorin e ndërtimit dhe hotelierisë, bazuar në të dhënat e disponueshme për muajin korrik. Për sa i përket rreziqeve për rritjen në periudhën e ardhshme, ato ende ekzistojnë dhe lidhen mbi të gjitha me zhvillimet në mjedisin e jashtëm, por edhe me intensitetin e zbatimit të projekteve të infrastrukturës së brendshme.
Në sektorin monetar, arritjet në tremujorin e tretë kryesisht janë në pajtim me parashikimet. Gjegjësisht, potenciali depozitues i bankave është ende solid, me dinamikë rritjeje afër pritjeve, dhe rritja e aktivitetit kreditues është ende pak mbi parashikimin.
Në përgjithësi, zhvillimet e fundit në treguesit kryesorë makroekonomikë, si dhe perceptimet për ecurinë e tyre në të ardhmen, kanë krijuar një mundësi për ulje të mëtejshme të normës së interesit të bonove të thesarit. Rreziqet që lidhen me mjedisin e jashtëm duhet të vazhdojnë të monitorohen, mbi të gjitha çmimet e produkteve parësore, të cilat ende ndikohen nga konteksti i paqëndrueshëm gjeopolitik dhe ndryshimet klimatike, si dhe duhet kushtuar vëmendje edhe rreziqeve nga faktorët e brendshëm që mund të ndikojnë në kërkesën dhe në çmimet në periudhën e ardhshme. Prandaj, zbatimi i politikave të kujdesshme makroekonomike do të jetë prioriteti ynë edhe në të ardhmen. Banka Popullore është ende e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet e nevojshme dhe të marrë masat e duhura që do të kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit dhe stabilitetit të çmimeve në afat të mesëm.