Shkup, 23 tetor 2021
"Banka qendrore, si institucion profesional dhe i pavarur, veproi në mënyrë të përshtatshme gjatë krizës së koronës, nëpërmjet masave mbështetëse, të cilat kontribuan në ruajtjen e stabilitetit të përgjithshëm," tha Paul Hilbers, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar, në të cilin vendi ynë është anëtar. Ai shtoi se "pozicionimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm, por është e nevojshme të monitorohen me kujdes trendet e inflacionit".
Këto konstatime u bënë gjatë Takimeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore, ku mori pjesë edhe ekipi i Bankës Popullore i udhëhequr nga guvernatorja, Anita Angelovska-Bezhoska. Edhe këtë vit, si dhe vitin e kaluar, takimet janë mbajtur në mënyrë virtuele për shkak të pandemisë.
Drejtori ekzekutiv gjithashtu theksoi se ruajtja e pavarësisë së Bankës Popullore është prioritet i lartë dhe se FMN vlerëson ekspertizën dhe këmbënguljen e udhëheqësisë dhe ekipit profesional të Bankës Popullore, veçanërisht në përpjekjet për të tejkaluar efektet e krizës së koronës.
“Banka Popullore ka zbatuar politika dhe ka punuar pa u lodhur së bashku me bankat qendrore të Bashkimit Evropian për tejkalimin e efekteve negative të shkaktuara nga kriza e koronës. FMN-ja i vlerëson lartë këto përpjekje. Profesionalizmi, ekspertiza dhe përkushtimi janë në nivelin më të lartë kur bëhet fjalë për vendimet që zbaton Banka Popullore. "Ne gjithashtu mbështesim plotësisht masat e politikës monetare për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe financiar," tha ai.
Gjatë takimeve, vëmendje e veçantë iu kushtua projeksioneve të fundit të FMN-së, të cilat tregojnë rimëkëmbje të mëtutjeshme të ekonomisë së Maqedonisë, në kushte të mjedisit të jashtëm të favorshëm, besimit më të madh dhe masave stimuluese të politikave. Parashikimet tregojnë gjithashtu ulje të presioneve inflacioniste dhe pozicionim të jashtëm të qëndrueshëm të ekonomisë.
Guvernatorja Angelovska-Bezhoska vuri në dukje se Banka Popullore monitoron nga afër zhvillimet ekonomike dhe konfirmoi se perspektiva ekonomike është në përputhje me pritjet e FMN-së. Ajo vuri në dukje se duke pasur parasysh pasigurinë e përgjithshme të shkaktuar nga pandemia Kovid-19, Banka Popullore do të vazhdojë të monitorojë nga afër të gjithë treguesit, përfshirë edhe lëvizjet e çmimeve dhe pritjet inflacioniste. Banka qendrore është e gatshme të përgjigjet nëse është e nevojshme.
Ministri Fatmir Besimi, i cili drejton ekipin e Ministrisë së Financave, gjithashtu mori pjesë në Takimet Vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore.