Shkup, 23 shtator 2021
Masat dhe politikat e zbatuara nga Banka Popullore, si dhe bankat qendrore në përgjithësi, kanë dhënë rezultatet e dëshiruara në zbutjen e efekteve të krizës së koronës. Pavarësisht nga pandemia, aktiviteti i kredive në vend vazhdon të rritet dhe qasja e papenguar në kapitalin e tregjeve ndërkombëtare ka mundësuar forcim të rezervave valutore dhe financim të masave kundër krizës, tha zëvendësguvernatorja e Bankës Popullore, Ana Mitreska, në prezantimin e saj në Shkollën Verore Ekonomike Ndërkombëtare - "Bëni ndryshimin: Mësoni si të vlerësoni ndikimin ekonomik të pandemisë së Kovid-19", organizuar nga Fakulteti Ekonomik në Universitetin "Shën Kiril dhe Metodij ".

Që në fillimet e krizës së koronës, bankat qendrore, përfshirë edhe Bankën Popullore, lehtësuan politikën monetare, domethënë ulën normën e interesit dhe siguruan likuiditet shtesë për të stimuluar aktivitetin ekonomik.
Përveç instrumenteve të zakonshme për lehtësim të politikës monetare, disa nga bankat qendrore të ekonomive në zhvillim kanë zbatuar edhe programe për të rritur aktivën e letrave me vlerë të qeverisë dhe korporatave, tha zëvendësguvernatorja Mitreska.
Siç u theksua në prezantim, politikat e zbatuara dhanë rezultatet e dëshiruara. Qasja në kapital për vendin dhe rajonin është e papenguar, duke lënë hapësirë për veprim përmes politikës fiskale, ndërsa kreditimi në vend vazhdon të rritet dhe të stimulojë aktivitetin ekonomik.
- Efektiviteti i bankave qendrore dhe mbështetja që ata ofruan ishin një nga shtyllat bartëse në rimëkëmbjen ekonomike dhe zbutjen e efekteve të krizës në ekonomi.
Nëse sektori bankar ishte një nga burimet kryesore të krizës financiare globale, tani është një nga faktorët kryesorë për rimëkëmbje pas pandemisë" tha zëvendësguvernatorja Mitreska.
Zëvendësguvernatorja vuri në dukje se kriza financiare globale ka kontribuar në rimendimin e arkitekturës rregullatore financiare globale, me standarde, mjete dhe praktika të reja për kujdes më të madh. Prandaj, sektori bankar në vend dhe në përgjithësi, krizën e përjetoi në formë të qëndrueshme dhe stabile, madje edhe u forcua gjatë pandemisë.