Shkup, 20 nëntor 2025
"Në kushtet e rritjes së pasigurisë globale dhe një mjedisi ekonomik të paqëndrueshëm, themelet e forta ekonomike vendase janë çelësi për ruajtjen e stabilitetit dhe arritjen e një rritjeje të qëndrueshme. Vitet e fundit janë shënuar nga paqëndrueshmëri e lartë, e dukshme edhe përmes indekseve të larta të pasigurisë globale, të cilat ndikojnë ndjeshëm në proceset e vendimmarrjes ekonomike", thekson guvernatori i Bankës Popullore, dr. Trajko Sllaveski, në një artikull të botuar në edicionin "100 Eksportuesit më të mirë"..
"Luhatshmëria dhe paparashikueshmëria e lartë globale kanë qenë pjesë e pashmangshme e matricës së vendimmarrjes së të gjithë vendimmarrësve për gjysmë dekade. Duket se e vetmja konstante në këtë periudhë është pasiguria. Kjo është e dukshme edhe përmes indekseve sasiore, për shembull indeksi i pasigurisë globale, i cili mbahet në nivele historikisht të larta. Sigurisht, kjo nuk është e rëndësishme vetëm për ne si vendimmarrës makroekonomik, por edhe për sektorin privat, i cili duhet të marrë vendime investimi, të vendosë për projekte të reja dhe të përcaktojë plane biznesi afatmesme", thekson guvernatori Sllaveski, duke iu referuar edhe politikave tregtare të SHBA-së që kanë krijuar presione shtesë mbi tregtinë ndërkombëtare.
"Ekonomia maqedonase nuk bëri përjashtim në aspektin e zbatimit të masave të reja. Edhe pse tarifa e shpallur për produktet tona fillimisht ishte 33%, më vonë u ul në 15%. Duke pasur parasysh pjesën e ulët të eksporteve në SHBA (mesatarisht 0,9% në pesë vitet e fundit, ose1,4% në vitin 2024)", efektet e drejtpërdrejta në ekonominë vendase janë të kufizuara. Priten ndikime indirekte, më të mëdha, përmes pasojave të mundshme në ekonominë europiane si partneri ynë më i rëndësishëm tregtar", theksoi guvernatori, duke iu referuar ekspozimit më të lartë të drejtpërdrejtë të eksporteve të Bashkimit Europian në tregun amerikan. Guvernatori shtoi se pavarësisht shqetësimeve fillestare, ekonomia globale deri më tani ka treguar qëndrueshmëri relative, dhe flukset tregtare po përshtaten më shpejt se sa pritej. Kjo reflektohet edhe në parashikimet për ekonominë maqedonase, të cilat presin forcim gradual të kërkesës së jashtme dhe përshpejtim të moderuar të aktivitetit eksportues në vitin 2026.
"Për ne, si një ekonomi e vogël dhe e hapur, kushtet globale janë me rëndësi të jashtëzakonshme, por baza e qëndrueshme ekonomike është parakusht i rëndësishëm për përballimin me sukses të goditjeve të jashtme të paparashikueshme. Gjatë gjithë kësaj periudhe të trazuar të mbushur me sfida të vazhdueshme, Banka Popullore do të mbetet e përkushtuar fuqimisht në arritjen e qëllimeve të saj - ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në afat të mesëm dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar", vlerësoi guvernatori Sllaveski në edicionin e ri të"100 eksportuesit kryesorë".