Shkup, 20 shtator 2023
Ndryshime në rezervën e detyrueshme për të mbështetur më tej denarizimin dhe rritjen e normave të interesit për 0,15 pikë përqindje
Më 19 shtator u mbajt mbledhja e Këshillit të Bankës Popullore, si dhe mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Monetare Operative të Bankës Popullore, ku u shqyrtuan të dhënat dhe informacionet më të reja të ekonomisë së vendit dhe asaj globale dhe zhvillimet më të fundit në tregjet financiare ndërkombëtare dhe vendase në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.
Në përshtatshmëri me kushtetaktuale ekonomike dhe financiare, në seancën e Këshillit u miratua Vendimi për rritjen e normës së shpërndarjes së rezervës së detyrueshme në valutë, si mbështetje e mëtutjeshme e procesit të denarizimit. Njëkohësisht, në seancën e Komitetit për Politikën Operative Monetare, u vendos rritja e normës së interesit të bonove të thesarit të rritet për 0,15 p.p. deri në nivelin prej 6,30%.Në këtë mbledhje u miratua Vendimi për rritjen e normave të interesit të depozitave të disponueshme, gjithashtu për 0,15 p.p., ku normat e interesit të depozitave brenda natës dhe në shtatë ditë do të arrijnë 4,20% dhe 4,25%, përkatësisht. Oferta e bonove të thesarit në ankandin e rregullt është e pandryshuar dhe arrin 10 miliardë denarë.
Për shkak të forcimit të efekteve pozitive të deritanishme në strukturën valutore të kursimit, si dhe për të mbështetur procesin e transmetimit monetar, Këshilli i Bankës Popullore miratoi vendim për rritjen e mëtejshme të normës së rezervës së detyrueshme të detyrimeve valutore të bankave prej 20% deri në 21%, ndërsa është rritur edhe përqindja e mbajtjes së rezervës së detyrueshme nga detyrimet në valutë të huaj, e cila plotësohet në euro, prej 80% në 81%. Këto ndryshime do të zbatohen prej datës 20 dhjetor të vitit 2023. Ndryshimet në rezervën e detyrueshme, së bashku me masat makroprudenciale të marra deri më tani, do të kontribuojnë në forcimin e qëndrueshmërisë sistematike dhe do të përfaqësojnë mbështetje shtesë të ndryshimeve monetare. Shtrëngimi monetar filloi nga fundi i vitit 2021, fillimisht përmes ndërhyrjeve në tregun valutor dhe menaxhimit optimal të likuiditetit, e më pas nga prilli i vitit të kaluar edhe me rritjen e normës së interesit të bonove të thesarit, si dhe të normave të interesit të instrumenteve tjera monetare.
Vendimi për ndryshimin e normave të interesit kushtëzohet nga të dhënat dhe vlerësimet më të fundit të treguesve kryesorë të politikës monetare, të cilët referojnë për stabilizim gradual, megjithëse rreziqet ende ekzistojnë. Në pajtim me masat monetare të marra nga fundi i vitit 2021 e në vazhdim, si dhe me presionet e reduktuara nga çmimet e importit, inflacioni i brendshëm vazhdon të ngadalësohet dhe në gusht të vitit 2023 në bazë vjetore paraqet 8,3%. Norma e inflacionit bazë po ngadalësohet gjithashtu, duke treguar presione dukshëm më të ulëta të çmimeve nga kategoritë më pak të ndryshueshme të çmimeve, dhe në pajtim me ngadalësimin e vazhdueshëm të rritjes së konsumit personal. Për sa i përket çmimeve botërore, pritet ende ulja e tyre, gjatë një korrigjimi më të madh në rënie, krahasuar me vlerësimet e mëparshme. Megjithatë, inflacioni i brendshëm është ende në nivel relativisht të lartë, gjë që paraqet rrezik për pritjet inflacioniste. Këto aspekte, së bashku me paparashikueshmërinë e tregjeve botërore për shkak të luftës në Ukrainë, kërkojnë kujdes të mëtejshëm në drejtimin e politikës monetare. Duke marrë parasysh strategjinë monetare të zbatuar, gjatë marrjes së vendimeve monetare merret parasysh pozicionimi i politikës së Bankës Qendrore Europiane (BQE), e cila rriti sërish normat e interesit në mbledhjen e fundit për të stabilizuar më tej inflacionin në Eurozonën.
Sa i përket aktivitetit ekonomik vendas, në tremujorin e dytë të vitit 2023 rritja reale e PBB-së u ngadalësua deri në 1,1% në bazë vjetore, prej 2,1% në tremujorin e mëparshëm. Nga pikëpamja strukturore, rritja rrjedh nga eksportet neto, të plotësuara dhe nga konsumi personal, i cili gradualisht po ngadalësohet. Realizimiet në gjysmën e parë të vitit janë pak më të mira nga projeksionet e Bankës Popullore, por rreziqet nga mjedisi i jashtëm për dinamikën ekonomike janë ende të pafavorshme. Të dhënat me frekuencë të lartë për tremujorin e tretë të vitit 2023 që janë në dispozicion për momentin janë të pamjaftueshme për të kuptuar situatën në tërësi, por tani për tani të dhënat e korrikut tregojnë lëvizje të vogla negative në prodhimin industrial, si dhe thellim të moderuar të rënies reale të qarkullimit në totalin e tregtisë.
Në pajtim me standardet ndërkombëtare, niveli i rezervave valutore në fund të muajit gusht është i mjaftueshëm për të ruajtur stabilitetin e kursit të këmbimit të valutës vendase. Që nga fillimi i vitit, rezervat valutore shënojnë rritje, si rezultat i lëvizjeve të favorshme në tregun valutor. Banka Popullore, nga janari e në vazhdim, ndërhyn me blerje neto të valutës, gjatë lëvizjeve jashtëzakonisht të favorshme gjatë periudhës korrik -gusht. Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme nga sektori i jashtëm, deficiti tregtar në korrik të vitit 2023 është aktualisht më i ulët nga pritshmëritë e projeksionit të prillit, por periudha e vlerësimit është shumë e shkurtër për të nxjerrë përfundime më të sakta. Të dhënat mbi operacionet e këmbimit në gusht 2023 tregojnë për arritje më të mira dhe hyrje neto më të larta nga transfertat private, krahasuar me projeksionin e prillit.
Në sektorin monetar, të dhënat më të fundit të gushtit 2023 vazhdojnë të tregojnë për rritje më të fortë të depozitave krahasuar me pritjet e muajit prill, dhe në tregun e kredisë, aktiviteti i kredisë është në pajtim me pritjet në projeksionin e prillit.
Marrë në përgjithësi, të dhënat më të fundit të disponueshme për treguesit kryesorë makroekonomikë tregojnë se nevojitet kujdes i mëtejshëm në udhëheqjen e politikave makroekonomike që mund të ndikojnë në kërkesë. Banka Popullore mbikëqyr me kujdes të dhënat dhe rreziqet makroekonomike dhe është e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet e nevojshme dhe të marrë masa që do të kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit të listës së kursit të këmbimit, stabilizimin e pritjeve inflacioniste dhe stabilitetin e çmimeve në afat të mesëm.