Uashington-Shkup, 19 maj 2021
Politika monetare është e përshtatshme dhe ende ka nevojë të jetë e relasksuar. Rritja e fundit e inflacionit është kryesisht për shkak të faktorëve globalë dhe është e përkohshme. Në muajt e fundit, rritja e çmimeve globale të energjisë dhe ushqimit ka ndikuar mbi inflacionin. Megjithëse ka të ngjarë të ketë disa efekte transferimi, inflacioni pritet të ulet në gjysmën e dytë të vitit. Çmimet e konsumit pritet të shënojnë një rritje të moderuar - mesatarisht 2,2%, në vitin 2021.
Këto janë disa nga përfundimet e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga Bergljot Barkbu, pas zhvillimit të takimeve të rregullta.
Në deklaratën e dhënë nga Misioni i FMN-së theksohet se sistemi bankar është i kapitalizuar mirë dhe likuid.
„Kreditë me probleme me siguri do të shënojnë një rritje të caktuar pas përfundimit të fleksibiliteti rregullator dhe zvogëlimit gradual të mbështetjes fiskale për kompanitë. Është e rëndësishme të mbahen rregulla të rrepta mbi klasifikimin e rrezikut dhe ndarjen e rezervimeve për kredi për t'u mundësuar bankave të caktojnë rezerva të mjaftueshme për të mbuluar humbjet e mundshme.“ - thuhet në deklaratë.
Edhe një herë, Misioni i FMN-së thekson rëndësinë e pavarësisë së Bankës Popullore.
„Ruajtja e pavarësisë së Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut (BPRMV) është thelbësore për t'i mundësuar asaj vazhdimin e përmbushjes së mandatit të saj për të ruajtur stabilitetin e çmimeve dhe për të mbrojtur stabilitetin financiar, të cilat janë parakushte për rritje të qëndrueshme ekonomike.“ - thuhet në deklaratë.
Misioni i FMN-së vëren se, me iniciativën e Bankës Popullore, vendi ynë do të marrë pjesë në projektin e ri pilot të FMN-së - Kodi i Transparencës së Bankave Qendrore, ku theksohet se mund të ndihmojë në forcimin e mëtejshëm të kornizës për transparencë dhe llogaridhënie, në mënyrë që të sigurohen rezultate efektive të politikave dhe dialog me palët e interesit.
Në deklaratë, Misioni i FMN-së vë në dukje pritjen për një rimëkëmbjen ekonomike, e cila kushtëzohet nga procesi i vaksinimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të koronavirusit.