Lufta në Ukrainë do të shkaktojë rimëkëmbje më të ngadaltë ekonomike nga pandemia
Lufta në Ukrainë do të shkaktojë rimëkëmbje më të ngadaltë ekonomike nga pandemia
Shkup, 18 mund 2022
Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska, soti prezantoi projeksionet e fundit makroekonomike të Bankës Popullore, para bashkësisë ndërkombëtare - trupit diplomatik dhe përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare. Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN-së), Kombeve të Bashkuara (OKB-së), Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP-së), Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH-së), Delegacioni i Bashkimit Evropian (BE-së ), si dhe përfaqësitë diplomatike të Austrisë, Bullgarisë, Gjermanisë, Italisë, Kinës, Kosovës, Mbretërisë së Bashkuar, Sllovenisë, Serbisë, Shteteve të Bashkuara, Hungarisë, Holandës, Francës, Kroacisë, Zvicrës dhe Spanjës.
Në prezantim, guvernatorja vuri në dukje se lufta në Ukrainë shkaktoi presione të forta çmimesh në tregjet ndërkombëtare të mallrave parësore, si dhe pasiguri në lidhje me perspektivën ekonomike globale. Si ekonomi e vogël dhe e hapur, e cila është pjesë e sistemit tregtar dhe financiar botëror, nuk jemi të imunizuar nga këto lëvizje dhe rrjedhimisht në projeksionet e fundit është bërë rishikim në rënie i rritjes vjetore, me projeksion të rritjes së PBB-së prej 2,9%, ndërsa pritjet vjetore për inflacionin janë më të larta, me normë prej 8,8%. Ajo theksoi se për shkak të pasigurisë së lartë, projeksionet e institucioneve financiare ndërkombëtare ndryshojnë, por kryesisht për këtë vit rishikimet për rritjen janë në rënie, ndërsa për inflacionin në rritje.
Në periudhë afatmesme pritet stabilizim i caktuar i treguesve ekonomikë. Përsa i përket lëvizjeve të çmimeve, pritshmëritë janë që inflacioni të fillojë të ngadalësohet në mënyrë të moderuar në gjysmën e dytë të vitit 2022, si rezultat i stabilizimit të çmimeve të mallrave. Vitin e ardhshëm, rritja e çmimeve do të ngadalësohet ndjeshëm, kryesisht si rezultat i parashikimeve për rënie të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve në bursat botërore, nga organizatat financiare ndërkombëtare. Kështu, për vitin 2023, norma e inflacionit pritet të reduktohet në 3%. Në periudhën afatmesme, projeksioni është që inflacioni të lëvizë rreth 2%, mesatarisht.
Për vitin 2023, ekonomia vendase pritet të rritet me 3,6%, në pajtim me pritshmëritë për stabilizim të krizës dhe presioneve të çmimeve, rimëkëmbjen e kërkesës së huaj dhe uljen e problemeve të zinxhirit të furnizimit në vitin e ardhshëm. Në periudhën afatmesme, pritet të ruhet rritja solide ekonomike, me normë reale prej 4% në vitin 2024.
Projeksionet tregojnë se sektori bankar do të vazhdojë të jetë mbështetje e rëndësishme për ekonominë. Për vitin 2022 pritet rritje e kredisë prej 7,7%, dhe me dinamikë të ngjashme do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, pra në periudhën 2023 - 2024 mesatarisht do të jetë 7,6%. Rritja e depozitave në vitin 2022 do të jetë 5%, ndërsa në periudhën e ardhshme do të përshpejtohet në mënyrë të moderuar dhe do të arrijë mesatarisht 7,5% në periudhën 2023 - 2024.