Shkup, 17 maj 2021
Guvernatorja Anita Angelovska-Bezhoska dhe një pjesë e ekipit të Bankës Popullore zhvilluan një takim konultativ pune me përfaqësuesit e Odës së Pavarur të Hotelerisë (OPH), në të cilën morën pjesë edhe përfaqësues të sektorit bankar.
Në takim, guvernatorja theksoi se Banka Popullore me kujdes i monitoron zhvillimet në ekonomi dhe sektorët individualë, përfshirë edhe në veprimtarinë e hotelerisë. Ajo rikujtoi se në fillim të pandemisë shëndetësore, Banka Popullore mori masa rregullatore për të siguruar një fleksibilitet më të madh se si bankat mund të lehtësojnë kushtet e kredisë së huamarrësve në mënyrë që të zvogëlojnë barrën e tyre financiare përballë punës së vështirësuar për shkak të pandemisë. Siç u theksua, këto, si dhe masa të tjera të marra nga Banka Popullore ndihmuan edhe për ruajtjen e stabilitetit të bankave, por edhe në forcimin e kapacitetit të tyre për mbështetjen e kredisë së ekonomisë, gjë që konfirmohet nga rritja e kredisë që u arrit vitin e kaluar.
Përfaqësuesit e OPH-së shpalosën sfidat me të cilat përballen kompanitë nga sektori i hotelerisë në financimin e aktiviteteve të tyre të përditshme, duke pasur parasysh edhe kufizimet në veprimtarin e tyre për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së virusit korona. Siç theksuan ata, ndalimet dhe kufizimet në orarin e punës, si dhe rekomandimet dhe protokollet e veçanta për punë, kanë efekt në uljen e të ardhurave për hotelierët, gjë që ndikon në gatishmërinë e tyre për shlyerjen në kohë dhe të plotë të detyrimeve të tyre, përfshirë detyrimet e investimeve.
Takimi arriti në përfundimin se në legjislacionin aktual nuk ka asnjë pengesë për bankat për të siguruar ristrukturimin e detyrimeve të klientëve të tyre. Përfaqësuesit e bankave theksuan se sektori i hotelerisë ende mund të llogarisë në mbështetjen e bankave në kapërcimin e pasojave të krizës së koronës dhe se disa prej bankave tashmë po ndërmarrin aktivitete që ofrojnë mundësi më të përshtatshme për klientët e tyre në këtë sektor.
Në fund të takimit të punës u konkludua se nisma e OPH-së gjeti një përgjigje nga Banka Popullore dhe bankat, dhe tani për tani do të vazhdojë me ndërmarrjen e aktiviteteve në nivel individual nga bankat për klientët e sektorit të hotelerisë. Me sugjerim të ekipit të Bankës Popullore, OPH-ja do të vazhdojë me komunikim të drejtpërdrejtë me bankat, dhe në rast nevoje, së bashku do të organizojë takime shtesë midis bankave, Odës dhe hotelierëve, në mënyrë të gjetjes së zgjidhjeve të mëtejshme për mbështetje financiare kreditore në interes të të dy palëve. Në varësi të zhvillimit të mëtejshëm të ngjarjeve, nëse ka nevojë, do të shqyrtohet mundësia për masa dhe aktivitete shtesë, të cilat do të mundësojnë tejkalimin e kushteve të vështira të përkohshme të punës të sektorëve më të prekur.