Shkup, 12 korrik 2021
Transparencë më të lartë dhe qasje për qytetarët në të dhënat për produktet bankare dhe mbrojtje më të madhe të konsumatorëve, parashikohet me Udhëzimet që u miratuan dje, për përmbajtjen, formën dhe mënyrën e publikimit të të dhënave mbi produktet më përfaqësuese të kredive dhe depozitave të bankave dhe shtëpive të kursimit për persona fizik. Udhëzimet u nënshkruan nga Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska dhe kryetarja e Shoqatës së Bankave të Maqedonisë (SHBM), Maja Stevkova-Shterieva.
Nënshkrimi i këtij dokumenti në fushën e sektorit bankar është hapi i parë dhe i rëndësishëm që nga implementimi i Strategjisë së parë nacionale për Edukim Financiar dhe Përfshirje Financiare, e cila u miratua kohët e fundit nga rregullatorët financiarë. Gjegjësisht, Strategjia, brenda pjesës për përfshirje financiare, parashikon rritjen e transparencës në përpunimin dhe publikimin e të dhënave për shërbimet financiare nga sektori financiar privat, duke përfshirë edhe standardizimin e të dhënave të publikuara për të njëjtin lloj shërbimi.
"Përmes zbatimit të Udhëzimeve, të cilat i nënshkruam me SHBM, bankat dhe shtëpitë e kursimit do të fillojnë të publikojnë të dhëna për produktet të ndara bankare në një formë të standardizuar, të cilat do të ofrojnë shikueshmëri më të madhe, krahasueshmëri produktesh dhe gjithashtu informim më të gjerë për qytetarët. Në këtë mënyrë, ne veprojmë drejtë mbrojtjes më të madhe të konsumatorëve, si dhe edukimit të tyre për lloje të caktuara të kredive dhe depozitave, të cilat do të kontribuojnë në vendime të matura për zgjedhjen e produkteve që u përshtaten më së miri nevojave të personave fizik", tha guvernatorja Angelovska-Bezhoska.
"Bankat dhe shtëpitë e kursimit të cilat janë anëtare të Shoqatës së Bankave të Maqedonisë janë subjekte ekonomike transparente që publikojnë rregullisht të dhëna për veprimatarinë e tyre. "Krijimi i një qasjeje të standardizuar gjatë publikimit të informacioneve mbi produktet e depozitave dhe kredive për qytetarët, në përputhje me Udhëzimet që kemi nënshkruar, do të kontribuojë në një transparencë edhe më të lartë dhe, më e rëndësishmja, krahasueshmëri më të lehtë të produkteve bankare," tha Presidentja e SHBM Stevkova-Shterieva.
Udhëzimet përshkruajnë formën, mënyrën dhe të dhënat që publikohen për produktet bankare për popullatën, veç e veç, nga secila bankë dhe shtëpi kursimi për produktet e tyre. Parashikohet që kushtet të publikohen në një vend të spikatur në faqet e internetit të bankave dhe shtëpive të kursimit, si dhe në qendër të faqes së internetit të Bankës Popullore dhe të përditësohen rregullisht nga bankat dhe shtëpitë e kursimit, të paktën një herë në tre muaj. Publikimi do të përfshijë llojet më përfaqësuese të kredive konsumatore dhe të strehimit për popullatën, si dhe llojet më përfaqësuese të depozitave të popullatës në banka dhe shtëpi kursimi. Përveç informacionit bazë mbi produktet bankare, të tilla si maturimi, monedha dhe norma e interesit, njoftimet pritet të përfshijnë informacion shtesë të detajuar (të tilla si shuma e kostos totale të kredive konsumatore dhe kostot që nuk përfshihen në këtë normë, lloji të kolateralit dhe raportit minimal kolateral / kredi për kreditë për strehim, mundësinë e shlyerjes së parakohshme të depozitave, etj.). Rrjedhimisht, të dhënat e publikuara duhet të japin një pasqyrë më të mirë të kushteve të ofruara nga bankat dhe shtëpitë e kursimit si bazë për të vendosur mbi përzgjedhjen e produktit më të përshtatshëm, në përputhje me mundësitë dhe preferencat e konsumatorëve.
Udhëzimet e miratuara nga Banka Popullore dhe SHBM do të zbatohen nga bankat dhe shtëpitë e kursimit nga fillimi i gushtit.