Shkup, 15 tetor 2021
Investimi në sigurinë digjitale është një nga prioritetet në periudhën e ardhshme për sektorin bankar dhe financiar. Kjo është për shkak të shprehive të reja që konsumatorët fituan gjatë pandemisë - duke shfrytëzuar gjithnjë e më shumë përfitimet e shërbimeve financiare digjitale. Këtë e tha guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska në panelin "Prioritetet për sektorin e shërbimeve financiare", në kuadër të Samitit të Ballkanit Perëndimor, i cili po mbahet në Shkup, organizuar nga e përjavshmja britanike "Ekonomist".

- Pandemia i drejtoi konsumatorët drejt shërbime financiare digjitale. Në tremujorin e dytë të këtij viti, numri i transfereve kreditore të iniciuara në mënyrë elektronike shënoi rritje vjetore prej 30% dhe numri i pagesave përmes telefonave celularë shënoi rritje prej 55%. Ky është zhvillim pozitiv, i cili gjithashtu thekson rëndësinë e investimit në sigurinë kibernetike, si një nga sfidat kryesore me të cilat përballet industria bankare, si në aspektin e mbrojtjes së konsumatorit ashtu edhe në ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar. Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në dekadën e fundit numri i sulmeve kibernetike është trefishuar, ku më i prekur është sektori i shërbimeve financiare - thekson Angelovska -Bezhoska.
Në panelin e diskutimit, guvernatorja e Bankës Popullore theksoi se sektori bankar ishte pjesë e zgjidhjes në tejkalimin e efekteve të krizës së koronës. Stabiliteti i sektorit bankar dhe gatishmëria e tij për t'u përballur me sfidat e paraqitura nga kriza janë para së gjithash për shkak të gjendjes së mirë të këtij sektori të fituar në periudhën para pandemisë, si rezultat i sërë masash rregullatore të marra që nga Kriza Financiare Globale. Për shkak të kësaj, sektori bankar arriti të apsorboj pjesën më të madhe nga goditja ndaj sektorit real, tha Angelovska-Bezhoska.
Gjithashtu, nëpërmjet masave të marra nga Banka Popullore, të tilla si lehtësimi i politikës monetare dhe fleksibiliteti rregullator për të mundësuar moratorium të borxheve, u kontribua në zbutjen e efekteve të krizës ndaj sektorit të korporatave por edhe ndaj amvisërive.
- Gjatë krizës së koronës, mbështetja kreditore ishte solide dhe madje u përshpejtua, duke lëvizur rreth 6%, ndërsa normat e interesit vazhduan të zvogëlohen, duke arritur kështu nivelin më të ulet historik. Mbështetja kreditore ka luajtur rol të rëndësishëm në mbajtjen e shumë veprimtarive dhe amvisërive, e cila, nga ana tjetër, është vendimtare për ruajtjen e aktivitetit ekonomik - tha guvernatorja.
Angelovska-Bezhoska theksoi se për të forcuar më tej qëndrueshmërinë e sistemit bankar, Banka Popullore së bashku me Ministrinë e Financave në periudhën e ardhshme do të vazhdojnë të punojnë në forcimin e kornizës rregullatore dhe harmonizimin me rregullativën e BE-së. Për atë qëllim, u miratuan edhe Ligji për Stabilitet Financiar, Ligji për ndërhyrje të jashtëzakonshme në banka dhe Ligji për Bankat.
Ministri i Financave, Fatmir Besimi, gjithashtu mori pjesë në panel diskutimin "Prioritetet për sektorin e shërbimeve financiare".