Shkup, 15 shtator 2021
Kriza globale e koronës ka nxjerrë në pah edhe më shumë çështjen e barazisë gjinore si dhe shkallën e përfshirjes e grave në shoqëri, sepse sipas të dhënave të disponueshme, ajo në mënyrë joproporcionale me shumë prek gratë sesa burrat. Pandemia imponoi nevojën për masa kufizuese që goditën më së shumti aktivitetet e bazuara në ndërveprim shoqëror, pra sektorin e shërbimeve, por edhe ekonominë joformale, ku pjesëmarrja e grave është më e lartë. Kështu, kriza e koronës theksoi edhe më shumë nevojën për të rritur aktivitetet për të bërë të mundur barazinë gjinore.
Këtë e theksoi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, në panel diskutimin me temë "Kovid-19 dhe ndikimi ekonomik tek gratë" në Konferencën e parë vjetore të Ministrisë së Punëve të Jashtme-"Gratë në politikën e jashtme".

Në diskutim, guvernatorja, duke iu referuar situatës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, theksoi se sipas studimeve të institucioneve ndërkombëtare, çdo vit ekonomitë e rajonit humbasin rreth 18% të PBB-së së tyre për shkak të hendekut gjinor në tregun e punës, si dhe dy e treta e të ardhurave të humbura shpjegohet pikërisht nga përfshirja e ulët e grave në tregun e punës.
"Në rrethana të krizës shëndetësore, rritja e mëtejshme e joaktivizimit tek gratë është veçanërisht shqetësuese. Përfshirja më e madhe e grave në fuqinë punëtore sjell përfitime jo vetëm për gratë, por edhe për të gjithë shoqërinë, me çka sipas disa studimeve është vërtetuar se përfshirja më e lartë e grave mund të çojë në PBB më të lartë deri në 10% në vendet e zhvilluara madje deri në 30% në vendet në zhvillim. "- theksoi Angelovska-Bezhoska.
Ndër të tjera, ajo theksoi se për përfshirje më të madhe të grave janë të nevojshme politika institucionale të cilat do të sigurojnë qasje të barabartë në arsim, shëndetësi si dhe qasje më të madhe në financa.
"Prandaj, janë të nevojshme aktivitete për të lehtësuar qasjen në financa, për të rritur edukimin financiar, veçanërisht tek gratë me të ardhura më të ulëta, rritje të aftësive digjitale, krijim të fondeve speciale për mbështetje financiare të investimeve të grave." - theksoi Angelovska-Bezhoska.
Në panel diskutimin, përveç guvernatores, Anita Angelovska-Bezhoska, morrën pjesë edhe kryetarja e Odës Ekonomike të Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit-MASIT dhe konsullja e nderit e Kanadasë, Aneta Antova-Pesheva, anëtarja e Bordit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Qanije Selimi, kryetarja e Asociacionit të Odave Ekonomike të Maqedonisë dhe konsullja e nderit e Hungarisë, Danela Arsovska dhe Nadire Rexhepi, nga Nisma për Zhvillim Ekonomik të Romëve - REDI.