Shkup, 15 shkurt 2021
Ne kemi parashikuar fillimin e aktiviteteve që do të mundësojnë mbështetjen e „financave të gjelbra“ brenda arritjes së qëllimeve tona themelore. Në këtë drejtim, është paraparë nxitja dhe zhvillimi i aktivitetit kërkimor në fushën e „financave të gjelbra“, si një fushë që duhet të përfshihet në prioritetet e çdo institucioni me përgjegjësi shoqërore, që të ndihmojë drejt krijimit të një ekonomie „të gjelbër“ dhe të qëndrueshme, e cila në fund të fundit do të siguronte një standard më të lartë jetese dhe do të përmirësonte cilësinë e jetës së qytetarëve.
Kjo u theksua nga guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, në një intervistë për portalin „Bankarstvo.mk“.
Në intervistë, guvernatorja thekson se ndryshimet klimatike, si një nga kërcënimet më të mëdha globale, po fitojnë gjithnjë e më shumë rëndësi në aktivitetet e bankave qendrore, dhe në vitet e fundit, ata po analizojnë gjithnjë e më shumë ndikimin e ndryshimeve klimatike mbi stabilitetin financiar dhe politikën monetare. Pikërisht për këtë arsye, siç thekson Angelovska-Bezhoska, në fund të vitit të kaluar, Banka Popullore plotësoi Planin e saj Strategjik me përfshirjen e aktiviteteve për monitorimin dhe administrimin e rreziqeve nga ndryshimet klimatike, si dhe analizën e ndikimit të mundshëm nga ndryshimet klimatike mbi sektorin bankar.
Angelovska-Bezhoska gjithashtu u referohet edhe projekteve të tjera zhvillimore që Banka Popullore planifikon t’i zbatojë këtë vit, si pjesë e aktiviteteve programore.
„Ndër të tjera, ne do të përqendrohemi në mbështetjen e zhvillimit të sektorit fintech, gjë që tregohet nga rezultatet e anketës së kryer me mbështetje të EFSE-së. Shumica e të anketuarve mendojnë se: Sektori fintech mund të sigurojë qasje më të madhe në një gamë më të gjerë të shërbimeve financiare, veçanërisht për konsumatorët dhe bizneset e vogla; ka potencial për të rritur përfshirjen financiare, dhe përmes kësaj rritjen ekonomike; dhe mund të kontribuojë në harmonizimin e sistemit financiar me praktikat më të mira ndërkombëtare. Ky është një tregues shtesë se është veçanërisht e rëndësishme të vazhdojmë të intensifikojmë investimet në këtë fushë dhe për këtë qëllim po punohet në përgatitje e Strategjisë për Mbështetje të Zhvillimit të Sektorit Fintech.“ - thekson guvernatorja.
Viti i kaluar, i shënuar nga pandemia, vuri në „rrugë të shpejtë“ procesin e dixhitalizimit të ekonomive dhe shoqërisë në tërësi, të cilit duhet t’i përshtatemi në përputhje me rrethanat. Si pasojë, për të ndjekur risitë dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e dixhitalizimit, përfaqësues të Bankës Popullore iu bashkuan punës së Rrjetit të Inovacionit (ang. Innovation Hub) të Bankës Ndërkombëtare për Shlyerje (BIS), i cili adreson çështjet kryesore për të ardhmen e botës financiare.
Siç thekson guvernatorja në intervistë, një fushë tjetër e rëndësishme të cilës Banka Popullore do t’i japë rëndësi të veçantë në periudhën e ardhshme është edukimi financiar dhe përfshirja financiare.
Në intervistë, Angelovska-Bezhoska adreson gjithashtu pritjet për tendencat në sektorin bankar në vitin 2021, si dhe në fushën e rregullores bankare.
Sipas guvernatores, pas miratimit të Ligjit për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave, do të zbatohet projekte për ndryshime ose miratime të akteve të përshtatshme nënligjore në fushën e shërbimeve të pagesave dhe sistemeve të pagesave nën juridiksionin e Bankës Popullore.