Banka Popullore vazhdon me shtrëngimin e politikës monetare: normat e interesit janë rritur për 0,5 p.p.
Shkup, 13.12.2022
Më 13 dhjetor 2022 u mbajt mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore, ku u rishqyrtuan të dhënat dhe informacionet më të fundit të ekonomisë vendase dhe globale dhe zhvillimet më të fundit në tregjet financiare ndërkombëtare dhe vendase në kontekstin e politikës monetare.
Në mbledhjen e Komitetit u vendos që norma bazë e interesit e bonove të thesarit të rritet për 0,50 p.p. në nivel prej 4,75%. Oferta e bonove të thesarit në ankandin e rregullt nuk ka ndryshuar dhe do të mbahet në 10 miliardë denarë. Në pajtim me rritjen e normës bazë të interesit, janë rritur edhe normat e interesit të kredisë njëditore. Në mbledhje u vendos edhe për rritjen e normave të interesit për depozitat njëditore dhe shtatëditore, gjithashtu për 0,50 p.p.
Me këto ndryshime, Banka Popullore vijon me shtrëngimin e politikës monetare, që filloi që nga fundi i vitit të kaluar, për të ruajtur stabilitetin e kursit devizor dhe stabilitetin afatmesëm të çmimeve. Shkurtimisht, që nga fundi i vitit të kaluar, Banka Popullore menaxhoi në mënyrë aktive likuiditetin përmes ndërhyrjeve në tregun valutor dhe nga prilli e në vazhdim përmes rritjes së normave të interesit. Struktura e tillë monetare mbështetet dhe forcohet nga disa ndryshime në instrumentin e rezervës së detyruar, me qëllim rritjen e kursimeve në denarë, si dhe me masat sistematike, siç është futja e shtresës kundërciklike të mbrojtjes së kapitalit (prej 0,5%), e cila forcon më tej qëndrueshmërinë e sistemit bankar.
Ndryshimet në përcaktimin e politikës monetare vazhdojnë të jenë reagim ndaj inflacionit, ndërkohë që tregu valutor është i qëndrueshëm. Në nëntor, për herë të parë për këtë vit, u ndërpre prirja e përshpejtimit të inflacionit vjetor, nën ndikimin e rritjes së ngadaltë të komponentit ushqimor, dhe në pajtueshmëri me ndryshimet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, rreziqet e efekteve më të forta të përhapjes në inflacionin bazë nga çmimet e energjisë dhe ushqimit, të cilat ekzistojnë ende, si dhe rritja e pritjeve inflacioniste paraqesin nevojën për reagim monetar të mëtejshëm. Duke pasur parasysh ndërlidhjen e monedhës sonë me euron, gjatë vendimmarrjes ndikojnë edhe ndryshimet në politikën monetare të Bankës Qendrore Europiane, për të cilën pritet të vazhdojë me rritjen e normave të interesit edhe në periudhën e ardhshme.
Për sa i përket treguesve të fundit, norma vjetore e inflacionit në muajin nëntor është ngadalësuar në 19,5%, ku inflacioni mesatar vjetor në periudhën janar - nëntor të vitit 2022 është 13,8%. Edhe më tutje rreth 76% e kësaj rritjeje është efekt i drejtpërdrejtë i rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe energjisë. Pasiguria nga dinamika e ardhshme e çmimeve të produkteve parësore në bursa, dhe veçanërisht sektori i energjisë është i theksuar për shkak të zhvillimeve ushtarake në Ukrainë dhe sanksioneve ndaj Rusisë, për këtë shkak me rëndësi të jashtëzakonshme është zhvillimi i politikave vendase të kujdesshme dhe menaxhimi i kujdesshëm i kërkesës vendase.
Tregu vendas valutor është i qëndrueshëm, me kërkesë më të madhe për valutë në sektorin e korporatave, e cila në masë të madhe neutralizohet nga lëvizjet e favorshme të tregut valutor dhe pozicioni solid valutor i bankave. Banka Popullore pothuajse nuk ka ndërhyrje në tregun valutor, dhe rezervat valutore nga korriku e në vazhdim kanë shënuar rritje të vazhdueshme dhe janë mbi vlerësimet e projeksioneve të fundit. Niveli i rezervave valutore i plotëson standardet ndërkombëtare të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit të monedhës vendase. Lidhur me të dhënat e fundit të disponueshme nga sektori i jashtëm, deficiti tregtar në tetor 2022 është momentalisht brenda pritshmërive për tremujorin e katërt, sipas projeksionit të tetorit, por periudha e vlerësimit është shumë e shkurtër për të nxjerrë përfundime më të sakta. Të dhënat mbi operacionin e këmbimit, përfshirë fundin e nëntorit 2022, tregojnë mundësinë e arritjes së flukseve neto hyrëse nga transferet private të cilat janë pak më të larta nga pritshmëritë.
Sa i përket aktivitetit ekonomik vendas, në tremujorin e tretë të vitit, dolën në pah efektet negative të krizës energjetike dhe nga rritja e kostove në sektorë të caktuar të ekonomisë, gjë që çoi në ngadalësimin e rritjes ekonomike (2%). Arritjet në tremujorin e tretë të 2022, si dhe për tre tremujorët e parë të vitit (rritje prej 2,7%), janë pak më të mira se sa ishte parashikuar. Të dhënat e disponueshme me frekuencë të lartë për aktivitetin e brendshëm ekonomik në tremujorin e katërt janë të pamjaftueshme, por për momentin janë në mbështetje të pritjeve që rritja të ngadalësohet deri në fund të vitit. Kështu, të dhënat për muajin tetor tregojnë rënie të vogël reale vjetore të qarkullimit në totalin e tregtisë, kundrejt rritjes së vogël në tremujorin e mëparshëmdhe zhvillimeve të mëtejshme jo të favorshme në prodhimin industrial.
Në aspektin e lëvizjeve monetare, sipas të dhënave paraprake për muajin nëntor, aktiviteti kreditor vazhdon të rritet, por në mënyrë të moderuar dhe në pajtueshmëri me pritjet, ndërkohë që rritja e depozitave përshpejtohet më fuqishëm nga pritshmëritë.
Në nëntor, në tregjet financiare ndërkombëtare është ulur paqëndrueshmëria, dhe pritshmëritë e tregut tregojnë për shtrëngim të mëtejshëm të politikës monetare nga bankat qendrore globale. Në SHBA, për shkak të perceptimeve të investitorëve se presionet e çmimeve në SHBA janë zvogëluar, janë rritur pritshmëritë e rritjes më të moderuar të normës së interesit referencë nga FED-i. Pritshmëritë e tregjeve për normën e interesit të BQE-së gjithashtu janë në drejtimin e rritjes të vazhdueshme të saj, si përgjigje e presioneve inflacioniste në eurozonë, dhe me pasiguri të lartë nga dinamika e ardhshme e çmimeve globale të produkteve parësore.
Në përgjithësi, mjedisi i jashtëm i pafavorshëm dhe rreziqet e theksuara kërkojnë zbatimin e politikave të brendshme jashtëzakonisht të kujdesshme. Banka Popullore i mbikëqyr nga afër të dhënat makroekonomike dhe rreziqet. Si deri më tani, banka qendrore është e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet e nevojshme dhe të marrë masa që do të kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit, stabilizimi i pritjeve inflacioniste dhe stabiliteti afatmesëm i çmimeve.