Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore
Shkup, 13 tetor 2021
Më 12 tetor 2021, u mbajt mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore, në të cilën u rishikuan zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare dhe të vendit dhe treguesit për ekonominë vendase në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.
Në mbledhje u vlerësua se niveli aktual i normës bazë të interesit është i përshtatshëm me kushtet aktuale ekonomike dhe financiare, dhe u vendos që të qëndroj në nivel prej 1.25%, dhe shuma e bonove të thesarit që do të ofrohen të ngelin në vlerë prej 10 miliardë denarë. Në mbledhje u vlerësua se në mungesë të presioneve nga ana e kërkesës, lëvizjet e moderuara rritëse të inflacionit për momentin burojnë nga faktorët në anën e ofertës. Prandaj, për momentin, nuk ka nevojë për reagim monetar ndaj këtyre lëvizjeve të çmimeve, por do të vazhdojmë t'i monitorojmë me kujdes.
Krahasimi i treguesve më të fundit makroekonomikë nga ekonomia vendase me dinamikën e tyre të parashikuar nuk tregon devijime të rëndësishme në segmentet individuale të ekonomisë. Bruto prodhimi i brendshëm në gjysmën e parë të vitit u rrit për 5.2%, që është pothuajse plotësisht në përputhje me parashikimet e Bankës Popullore prej 5.4%. Të dhënat me frekuencë të lartë të disponueshme për tremujorin e tretë të vitit 2021 kryesisht tregojnë për rritje të mëtejshme vjetore të aktivitetit ekonomik, por më të moderuar, krahasuar me rritjen e lartë vjetore të regjistruar në tremujorin e dytë. Domethënë, të dhënat për periudhën korrik-gusht tregojnë ritme të larta vjetore të rritjes së qarkullimit në tregtinë totale dhe hotelieri dhe rënie minimale të prodhimit industrial. Lidhur me punimet ndërtimore të kryera, të dhënat për muajin e parë të tremujorit tregojnë për performancë më të ulët për momentin, por gjithashtu duhet të merret parasysh ndryshueshmëria e theksuar e lëvizjeve sipas muajve në aktivitetin e ndërtimit.
Përsa i përket lëvizjeve të inflacionit, në periudhën janar - shtator, mesatarisht, rritja vjetore e çmimeve shënon 2.8%. Në këtë periudhë, kontribut i rëndësishëm në rritje vërehet nga kategoritë e çmimeve të brendshme që lidhen me lëvizjet e çmimeve të produkteve primare në bursat botërore, me efektin e transmetuar të rritjes së çmimeve të vitit të kaluar të natyrës rregullatore, si dhe nga faktorë të caktuar të veçantë për krizën pandemike dhe në kushte të lehtësimit të masave kufizuese. Prandaj, vlerësohet se presionet e çmimeve tani për tani kryesisht vijnë nga faktorët në anën e ofertës, pa presione më të mëdha nga kërkesa. Ecuritë në inflacion janë pak më të larta se sa pritej, gjë që së bashku me rishikimet rritëse të çmimeve të importit tregojnë rreziqe për një inflacion mesatarisht më të lartë se norma e inflacionit prej 2.2% të parashikuar për këtë vit. Kështu, theksohet pasiguria dhe ndryshueshmëria në lëvizjen e çmimeve botërore të produkteve primare, dhe mbi të gjitha të energjisë, në periudhën e ardhshme.
Rezervat valutore mbeten në nivelin e duhur dhe në zonën e sigurt. Në tremujorin e tretë të vitit 2021, u realizua blerje e valutës së huaj nga Banka Popullore në përputhje me zhvillimet e favorshme në tregun e këmbimit valutor, u pagua eurobondi i emetuar në vitin 2014 dhe u ndanë 160 milionë euro nga të drejtat e tërheqjes speciale nga FMN. Në bazë kumulative, rritja e rezervave valutore që nga fillimi i vitit është pak më e lartë se sa pritej sipas parashikimeve të prillit. Në periudhën korrik - gusht 2021, deficiti tregtar është më i lartë se sa pritej për tremujorin e tretë të vitit, ndërsa të dhënat për operacionet e këmbimit valutor tregojnë hyrje neto më të larta në transferet private sesa pritej për tremujorin e tretë të 2021.
Lëvizjet brenda sektorit monetar janë ende solide, dhe sipas të dhënave fillestare për muajin shtator 2021, depozitat totale janë në nivelin e rritjes vjetore të parashikuar, ndërsa kreditë totale janë mbi nivelin e parashikuar për tremujorin e tretë të 2021, sipas parashikimeve të muajit prill.
Në tregun valutor në shtator, pati neto-kërkesë më të lartë për valutë nga sektori i korporatave, gjatë forcimit të aktivitetit ekonomik dhe rritjes së çmimeve të energjisë në nivel global, dhe në masë më të vogël për shkak të pagesës së dividentëve. Bankat në tërësi plotësuan neto-kërkesën për valutë nga aktivet e tyre valutore, por edhe nga hyrjet solide të likuiditetit në valutë të huaj nga zyrat e këmbimit dhe individët, e cila ishte afër niveleve në të njëjtën periudhë në vitin 2019. Në rrethana të tilla, Banka Popullore nuk ndërhyn në tregun valutor.
Në shtator, bankat qendrore kryesuese në nivel global vazhduan të ndjekin politikë monetare ekspansioniste, kurse disa prej tyre njoftuan mundësinë e një reduktimi gradual të sasisë së likuiditetit i cili vendoset përmes programeve për lehtësim sasior. Në rrethana të tilla, në tregjet financiare ndërkombëtare, çmimet e obligacioneve qeveritare në eurozonë dhe në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të bien (rendimentet e tyre u rritën), dhe vlera e dollarit amerikan u rrit.
Në përgjithësi, në mbledhjen e Komitetit u arrit në përfundimin se tani për tani treguesit makroekonomikë kryesisht lëvizin në përputhje me pritjet. Rimëkëmbja e ekonomisë është pothuajse plotësisht në përputhje me parashikimet, lëvizjet monetare janë pak më të mira se parashikimet, ecuritë në rezervat valutore janë mesatarisht më të mira se parashikimet dhe lëvizjet e inflacionit janë mesatarisht më të larta se parashikimet, kryesisht për shkak faktorëve të importit në anën e ofertës. Sidoqoftë, pasiguria dhe rreziqet nga rrjedha e mëtejshme e pandemisë me Kovid-19 vazhdojnë të jenë prezente. Banka Popullore do të monitorojë nga afër tendencat dhe rreziqet e mundshme edhe në periudhën e ardhshme dhe do të reagojë në përputhje me rrethanat.