Norma bazë e interesit rritet në 2,50%
Shkup, 13 korrik 2022
Norma bazë e interesit rritet në 2,50%
Më 12 korrik 2022 u mbajt mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore. Në mbledhje u rishqyrtuan të dhënat dhe informacionet më të fundit për ekonominë vendase dhe globale dhe zhvillimet më të fundit në tregjet financiare ndërkombëtare dhe vendase.
Për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve parësore në bursat botërore dhe ndërprerjeve në zinxhirët e furnizimit, të cilat prekin edhe llojet e tjera të produkteve, inflacioni vazhdon të shfaqë prirje rritëse, si në nivel global, ashtu edhe në ekonominë tonë, e cila kryesisht varet nga importi. Duke marrë parasysh lëvizjet inflacioniste, si dhe lëvizjet e tregut valutor, Banka Popullore përdor vazhdimisht të gjitha instrumentet në dispozicion për menaxhimin e likuiditetit dhe ndikimin mbi normat e interesit. Ndërhyrjet e Bankës Popullore në tregun valutor, nga tremujori i fundit i vitit të kaluar, kontribuojnë në uljen e likuiditetit, ndërsa për të ruajtur nivelin optimal të tij përdoren edhe instrumente të tjera, si depozita njëditore, depozita shtatëditore, operacione repo dhe bonot e thesarit. Gjatë vitit, në dy raste, janë bërë ndryshime në instrumentin e rezervës së detyrueshme me qëllim të veprimit më të fokusuar në procesin e euroizimit, gjë që ndikon edhe në kërkesën e tregut valutor. Kjo masë është në pajtim me Strategjinë e denarizimit në ekonominë vendase.
Banka Popullore vijon me normalizimin gradual të politikës monetare për ruajtjen e stabilitetit afatmesëm të çmimeve, nëpërmjet rritjes së mëtejshme të normës bazë të interesit. Në mbledhjen e Komitetit u vendos rritja shtesë e interesit të bonove të thesarit me 0,50 p.p., deri në nivelin 2,5%. Oferta e bonove të thesarit në ankandin e rregullt nuk ka ndryshuar dhe do të mbahet në 10 miliardë denarë. Pritet që rritja e mëparshme e normave të interesit, së bashku me ndryshimet e bëra në normat e alokimit të rezervave të detyrueshme në valutë vendase dhe të huaja, të vazhdojë të ndikojë në politikën e interesit të bankave duke nxitur kursimet në monedhën vendase.
Gjatë vendimmarrjes, janë marrë parasysh veçanërisht zhvillimet e fundit në inflacion. Në periudhën janar - qershor 2022, norma vjetore e inflacionit është mesatarisht 10%, që është më e lartë në raport me projeksionet e fundit. Pjesa më e madhe e inflacionit vendas është rezultat i presionit nga çmimet e importit të ushqimeve dhe energjisë, të cilat deri tani janë duke u rritur më shumë nga pritshmëritë. Këto presione kalojnë shpejt në çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera dhe nxisin më tej pritjet inflacioniste. Të dhënat dhe pritshmëritë më të fundit në tregjet botërore tregojnë për lehtësim gradual të presioneve mbi çmimet. Përkatësisht, për herë të parë pas një periudhe të caktuar, pritshmëritë për çmimet e ushqimeve janë rishikuar në rënie. Në të njejtën kohë, si çmimet e naftës ashtu edhe ato të ushqimeve pritet të stabilizohen në gjysmën e dytë të vitit 2022 dhe më pas edhe ulja e tyre. Megjithatë, pasiguria e lëvizjeve të ardhshme të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve është e theksuar për shkak të zhvillimeve ushtarake në Ukrainë.
Rezervat valutore janë në zonë të sigurt dhe niveli i tyre plotëson kërkesat e përshtatshmërisë sipas standardeve ndërkombëtare. Për këtë kontribuon niveli i lartë i rezervave devizore në periudhën para pandemisë dhe rritja e mëtejshme në dy vitet e pandemisë. Të dhënat më të fundit të disponueshme dhe me frekuencë të lartë nga tregu devizor referojnë në rënie të mëtejshme të kërkesës neto për valutë në sektorin jobankar, kryesisht si rezultat i uljes së nevojës për mjete devizore të kompanive të energjisë elektrike, si dhe oferta e lartë devizore sezonale në tregun e këmbimit. Hyrja e devizave në tregun e këmbimit në këtë periudhë është dukshëm më e lartë se sa pritej, me rritje të ofertës dyfish më të lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, gjë që funksionon në mënyrë të favorshme në pozicionin e bilancit dhe në rezervat valutore. Në periudhën e fundit është e dukshme edhe rënia e interesit të subjekteve vendase për këmbimin e monedhës vendase në valutë të huaj. Lëvizjet relativisht të favorshme të tregut të këmbimit kanë mundësuar praninë e herëpashershme të Bankës Popullore në këtë segment të tregut, ku në korrik për herë të parë që nga shtatori i vitit 2021 është realizuar edhe blerja e valutore.
Në tremujorin e parë të vitit 2022, aktiviteti në ekonominë vendase ka realizuar rritje reale prej 2,4% në bazë vjetore, e ngjashme me arritjet e tremujorit paraardhës. Të dhënat mujore të disponueshme për aktivitetin ekonomik për tremujorin e dytë tregojnë prirje të ngjashme edhe në këtë periudhë. Gjegjësisht, në periudhën prill - maj vazhdoi rritja reale vjetore e prodhimit industrial dhe e qarkullimit në tregti, ndërsa në muajin prill ngadalësohet ndjeshëm rënia e punimeve të ndërtimit. Por, me rishikimet në rënie të kërkesës së huaj për shkak të efekteve të konfliktit ushtarak në Ukrainë dhe ndikimit të fortë në tregjet e mallrave dhe zinxhirët e furnizimit, theksohen rreziqet negative për rritjen.
Në aspektin e lëvizjeve në sektorin monetar, sipas të dhënave paraprake për qershorin e vitit 2022, rritja vjetore e kredive totale mbetet e qëndrueshme dhe është pak më e lartë se sa parashikohej, me rritje më të moderuar të depozitave të totalit.
Në lidhje me lëvizjet globale, në qershor tregjet financiare ndërkombëtare u karakterizuan nga lëvizjet e ndryshueshme, në kushte pasigurie. Në rrethana të tilla, ashtu si në kushtet e shtrëngimit të politikës monetare në SHBA dhe njoftimet për rritjen e normës së interesit të BQE-së, çmimet e obligacioneve qeveritare në SHBA dhe në eurozonë kanë rënë, domethënë të ardhurat e tyre kanë shënuar rritje. Në të njëjtën kohë, vlera e dollarit amerikan në kundërvlerë të euros vazhdon të rritet, dhe në bursat globale janë vërejtur korrigjime në rënie.
Në përgjithësi, rreziqet për kontekstin e përgjithshëm makroekonomik janë akoma të theksuara dhe lidhen kryesisht me mjedisin e jashtëm. Rreziku kryesor vazhdon të jetë pasiguria në lidhje me rrjedhën dhe kohëzgjatjen e konfliktit ushtarak midis Rusisë dhe Ukrainës dhe ndikimin e tij në çmimet dhe aktivitetin ekonomik në nivel global. Nuk duhet të anashkalohen rreziqet e pandemisë Kovid-19, e cila ende nuk ka përfunduar. Në kushte të tilla del në pah më shumë nevoja për politika të brendshme të kujdesshme. Banka Popullore mbikëqyr nga afër të dhënat makroekonomike dhe rreziqet të cilat lidhen me to dhe do të vazhdojë të veprojë duke përdorur të gjitha instrumentet në dispozicion, për të ruajtur stabilitetin e kursit të këmbimit dhe stabilitetin afatmesëm të çmimeve.