Shkup, 13 mars 2024
Norma bazë e interesit vijon të mbetet në nivelin prej 6,30%
Më 12 mars 2024 u mbajt mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Monetare Operative të Bankës Popullore, në të cilën u shqyrtuan të dhënat dhe informacionet më të fundit për ekonominë globale dhe vendase si dhe zhvillimet e fundit në tregjet financiare ndërkombëtare dhe vendase në kontekst të përcaktimit të politikës monetare.
Në mbledhjen e Komitetit u vlerësua se përcaktimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për kushtet në ekonomi. Kështu, norma e interesit e bonove të thesarit mbetet në nivelin prej 6,30%, dhe normat e interesit të depozitave njëditore dhe 7 ditore janë përkatësisht në nivelet 4,20% dhe 4,25%. Oferta e bonove të thesarit në ankandin e rregullt është gjithashtu e pandryshuar dhe është 10 miliardë denarë. Njëkohësisht, në fund të shkurtit, u soll vendim për ndryshime në përcaktimin dhe mënyrën e mbajtjes së rezervës së detyrueshme. Konkretisht, vendimi përfshin një grup masash gjithëpërfshirëse, të cilat do të zbatohen në faza, por pjesa më e madhe e tyre do të zbatohen nga qershori i vitit 2024 dhe janë kryesisht të synuara në mbështetjen e mëtejshme të procesit të denarizimit dhe rritjen e kursimit afatgjatë në sistemin bankar. Pritet që niveli aktual i normave të interesit, së bashku me ndryshimet e bëra deri më tani në rezervën e detyrueshme dhe me masat makroprudenciale të marra, do të kontribuojnë në ngadalësimin e mëtejshëm të inflacionit dhe në ruajtjen e stabilitetit të kursit valutor të këmbimit.
Në kushtet e tregut të favorshëm valutor, theksi kryesor gjatë marrjes së vendimit për ruajtjen e përcaktimit aktual të politikës monetare u vu mbi nevojën për të stabilizuar inflacionin në nivele të ulëta historike dhe pritjet inflacioniste në bazë më të përhershme, por duke marrë parasysh rreziqet. Përkatësisht, inflacioni i brendshëm po ngadalësohet dhe në shkurt të vitit 2024 u reduktua në 3% në nivel vjetor, me presione të reduktuara ndjeshëm nga çmimet e ushqimeve dhe energjisë, por edhe presione më të ulëta të çmimeve nga kategoritë më pak të luhatshme, në pajtim me masat monetare të marra. Sinjalet nga anketat për pritjet inflacioniste të konsumatorëve, gjithashtu janë të favorshme, gjegjësisht në shkurt tashmë mbizotërojnë pritjet për uljen e çmimeve në periudhën e ardhshme. Norma e inflacionit në muajin shkurt është afër me atë të Eurozonës. Çmimet e produkteve primare të bursave edhe më tej përshtaten në rënie dhe njëkohësisht janë rishikuar në rënie parashikimet për periudhën e ardhshme. Realizimet e inflacionit nga fillimi i vitit janë më të ulëta se sa pritej, por niveli është ende mbi mesataren historike dhe rreziqet në lidhje me dinamikën e ardhshme të çmimeve ende ekzistojnë. Gjegjësisht, ende mungon transmetimi më i theksuar i lëvizjeve të bursës mbi çmimet e ushqimeve vendore, dhe ekziston pasiguri për shkak të konflikteve aktuale ushtarake, si dhe për shkak të ndërprerjes së masave të përkohshme për disa produkte ushqimore vendore. Prandaj, u vlerësua se nevojitet kujdes i mëtejshëm gjatë menaxhimit të politikave, përfshirë edhe politikat që ndikojnë në kërkesën në ekonomi. Lidhur me politikat e Bankës Qendrore Europiane (BQE), në mbledhjen e fundit të muajit mars u soll sërish vendimi për mbajtjen e normave bazë të interesit në të njëjtin nivel.
Gjendja në tregun valutor është e stabile dhe lëvizjet janë të favorshme. Niveli i rezervave valutore në fund të muajit shkurt është 4.348,1 milionë euro, që është i përshtatshëm për ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit të valutës vendase. Lëvizjet në tregun valutor janë të favorshme, me reduktim mesatar të kërkesës neto nga sektori korporativ dhe më tej të hyra të larta të valutave në tregun e këmbimit. Të dhënat e disponueshme nga sektori i jashtëm për tremujorin e parë të vitit janë ende të kufizuara dhe të pamjaftueshme për vlerësim më të saktë. Deficiti i realizuar në llogarinë rrjedhëse të bilancit të pagesave në tremujorin e katërt të vitit 2023 është dukshëm më i ulët se sa pritej në pajtim me projeksionin e tetorit, njëkohësisht të hyra financiare neto të realizuara.
Rritja ekonomike e realizuar në tremujorin e fundit të vitit 2023, si dhe për të gjithë vitin, është nën të parashikuarën, që tregon në ngadalësim më të fuqishëm të rritjes ekonomike sesa pritej. Gjegjësisht, rritja reale e ekonomisë vendase në vitin 2023 është 1%, ndërsa rritja e PBB-së në tremujorin e katërt të vitit është 0,9% në bazë vjetore. Analizuar sipas komponentëve, rritja në tremujorin e fundit rezulton nga eksporti neto, të plotësuara me rritje të mëtejshme solide dhe nga konsumi personal, ndërkohë kontribut të moderuar ka edhe konsumi publik. Investimet bruto edhe më tej shënojnë rënie reale të lartë, nën ndikimin e rënies rë rezervave për shkak të bazës së lartë krahasuese të vitit të kaluar, që është e lidhur me rritjen e rezervave të lëndëve të para dhe energjentëve. Të dhënat me frekuencë të lartë për tremujorin e parë të vitit 2024 me të cilat disponohet aktualisht janë të kufizuara. Për momentin, të dhënat e muajit janar tregojnë për rritje solide të prodhimit industrial, ndërsa qarkullimi në totalin e tregtisë shënon rënie reale. Lidhur me rreziqet për rritjen në periudhën e ardhshme, ato ende ekzistojnë dhe janë të lidhura kryesisht me zhvillimet në mjedisin e jashtëm, por edhe me intensitetin e realizimit të projekteve të brendshme të infrastrukturës.
Në sektorin monetar, sipas të dhënave fillestare për muajin shkurt të vitit 2024, depozitat edhe më tej rriten, pak më fuqishëm se sa pritej, por po përshpejtohet edhe aktiviteti kreditues i bankave, me rritje vjetore që aktualisht është mbi parashikimet për fundin e tremujorit të parë.
Në përgjithësi, mjedisi për zhvillimin e politikës monetare është mesatarisht më i favorshëm se sa pritej, megjithatë, ai kërkon monitorim të mëtejshëm të kujdesshëm të dinamikës dhe faktorëve të inflacionit dhe pritjeve inflacioniste dhe kujdes në lidhje me menaxhimin e politikave makroekonomike që ndikojnë mbi kërkesën në ekonomi, duke përfshirë përmes tregut të punës. Banka Popullore është ende e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet e nevojshme dhe të marrë masat e duhura që do të kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit të kursit valutor, stabilizimin e pritjeve inflacioniste dhe stabilitetin e çmimeve në afat të mesëm.