Bruksel-Shkup, 12 korrik 2021
Institucionet e BE-së vlerësuan lartë arritjet e Bankës Popullore në konstatimet e përbashkëta të Programit për Reforma Ekonomike të vitit të kaluar. Në të njëjtën kohë, lehtësimi monetar nga Banka Popullore gjatë krizës së koronës vlerësohet si i përshtatshëm. Në konstatimet e përbashkëta të dialogut ekonomik dhe financiar të këtij viti midis BE-së dhe vendeve kandidate theksohet se gjatë krizës së koronës është ruajtur stabiliteti financiar, si dhe njëkohësisht vendimet dhe masat e Bankës Popullore kanë kontribuar në zbutjen e efekteve të krizës tek qytetarët dhe kompanitë. U vu re se sektori bankar u është përgjigjur në mënyrë adekuate sfidave të krizës së koronës deri më tani, duke ruajtur indikatorë të shëndoshë, në të cilët kanë kontribuar edhe politikat e Bankës Popullore. Njëkohësisht, u theksua se përparimi i bërë me fillimin e punës së Komitetit për Stabilitet financiar, i koordinuar nga Banka Popullore, me pjesëmarrjen e të gjithë rregullatorëve financiarë, është jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Në vëzhgimet e tyre, institucionet e BE-së gjithashtu theksojnë se pavarësia e Bankës Popullore është vendimtare, sepse është e rëndësishme për ruajtjen e çmimit dhe stabilitetin financiar.
Në dialogun e sotëm ndërministror mbi programet për reforma ekonomike të vendeve kandidate për anëtarësim në BE, mori pjesë edhe guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska. Ajo falënderoi institucionet e BE-së për vlerësimet e larta për realizimin e aktiviteteve të Programit të cilat janë në kompetencë të Bankës Popullore.
Në fjalimin e saj, ndër të tjera, guvernatorja theksoi se kjo është kriza e parë në të cilën reagimi primar i Bankës Popullore ishte lehtësimi dhe jo shtrëngimi i politikës monetare. Ajo theksoi se këtë herë bazat solide ekonomike dhe pozicioni i fortë i rezervave valutore mundësuan lehtësimin e politikës monetare dhe miratimin e fleksibilitetit rregullator, i cili kontribuoi në mbështetjen e qytetarëve dhe kompanive që kanë nevojë për mbështetje kreditore. Hapësirë shtesë u krijua me vendimin e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) për ti mundësur qasje për herë të parë Bankës Popullore, në likuiditetin valutor të euros të siguruar nga BQE, me iniciativë të Bankës Popullore.
Ajo gjithashtu iu referua sfidave aktuale për hartuesit e politikave, duke pasur parasysh pasigurinë në lidhje me krizën shëndetësore.
"Nga pikëpamja e Bankës Popullore, përparësia jonë është se ne kemi akoma hapsirë për politikëbërje. Norma bazë e interesit është ende në anën pozitive, dhe niveli i rezervave valutore edhe më tej është i rehatshëm dhe sistemi bankar është stabil. Pavarësisht nga ky pozicion, ne duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm jo vetëm për shkak të efekteve konvencionale anësore të mundshme nga lehtësimi shumë i gjatë monetar, por edhe për shkak të lidhjes kthyese të pafavorshme midis sektorit realë dhe financiarë, si dhe nga i ashtuquajturi rreziku i "zombifikimit". Prandaj, për tu mbrojtur nga këto rreziqe, është e nevojshme të vazhdohet me masat për forcimin e mëtejshëm të rrjetit të sigurisë financiare dhe kjo është në fakt një nga prioritetet tona. "- tha Angelovska-Bezhoska.
Në fjalimin e saj, guvernatorja theksoi se përpjekjet parapandemike për të rritur potencialin për rritje më të shpejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike nuk duhet të lihen anash.
"Kjo kërkon zhvendosje graduale të fokusit në ngushticat strukturore të para-krizës, si dhe në sfidat e reja strukturore që do të mbeten si trashëgimi nga pandemia." Është e qartë se bankat qendrore nuk mund të luajnë rol kryesor në këto segmente, por mundemi të ofrojmë mbështetje në procese. Në këtë kontekst, pavarësisht çështjeve të lartëpërmendura, është e rëndësishme që ne si bankë qendrore arritëm të ruajmë fokusin në një numër çështjesh strukturore siç është digjitalizimi - duke punuar në Strategjinë e parë kombëtare për të mbështetur sektorin fintek dhe angazhimin për financat e gjelbra, dhe u bëm anëtarë të Rrjetit Ndërkombëtar për gjelbërimin e sistemit financiar dhe realizuam hulumtimin e parë mbi statusin aktual të financave të gjelbra." - tha Angelovska -Bezhoska.
Dialogu ndërministror mbahet çdo vit. Qëllimi i të cilit është arritja e konstatimeve të përbashkëta për aktivitetet reformuese që do të bëhen pjesë e Programit të ri për reforma ekonomike, i cili, nga ana tjetër, është pjesë e dialogut për anëtarësim të vendit në BE. Konstatimet për periudhën e ardhshme, të cilat janë në kompetencën e Bankës Popullore, tregojnë ruajtjen e një kornize të fortë rregullatore për sektorin financiar, i cili do të jetë në përputhje me praktikat më të mira botërore dhe praktikat e BE-së, në mënyrë që të sigurohet më tej menaxhim i rrezikut kreditor dhe mbrojtjen e pavarësisë së Bankës Popullore me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar dhe stabilitetit të çmimeve.