Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore
Shkup, 12 maj 2021
Më 11 maj të vitit 2021 u mbajt mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore, në të cilën u shqyrtuan zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare dhe vendore dhe treguesit për ekonominë vendase në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.
Në këtë mbledhje, u vendos që norma bazë e interesit të mbahet në 1,25%, duke ruajtur kështu natyrën e një politike të lehtësuar monetare. Duke marrë parasysh lehtësimin tashmë të kryer në mars të vitit 2021, me pasiguri ende të shprehura dhe rreziqe kryesisht në rënie lidhur me pandeminë, në këtë mbledhje u vendos që norma e bonove të bankës qendrore të mbahet në nivelin aktual, e cila ishte vlerësuar si e përshtatshme për kushtet aktuale ekonomike dhe financiare. Ulja e deritanishme e normës bazë të interesit, si dhe ulja e konsiderueshme e shumës së ofruar të bonove të bankës qendrore, kontribuuan në rritjen e likuiditetit të sistemit bankar dhe mbështetjen e flukseve të kredisë në ekonomi. Në mbledhje u vlerësua se likuiditeti i lëshuar prej gjithsej 15 miliardë denarësh përmes instrumentit themelor të Bankës Popullore gjatë vitit të kaluar është i përshtatshëm, dhe u vendos që në ankandin që do të mbahet sot të ofrohen bono të bankës qendrore në shumë të pandryshuar prej 10 miliardë denarësh.
Sipas treguesve të fundit makroekonomikë për aktivitetin ekonomik, në tremujorin e fundit të vitit 2020, rënia e prodhimit të brendshëm bruto u ngadalësua më tej duke u reduktuar në 0,7%, me ç’rast rënia e ekonomisë për tërë vitit 2020 ishte 4,5%. Vlerësimet aktuale për tremujorin e parë të vitit 2021 tregojnë efekte të të zgjatura nga kriza shëndetësore mbi aktivitetin ekonomik në këtë periudhë, dhe kështu mbi dinamikën e rimëkëmbjes ekonomike, të dukshme përmes të dhënave me frekuencë të lartë, në kushte të valës së tretë të pandemisë dhe përmbajtje të mëtejshme të subjekteve ekonomike. Sidoqoftë, gjatë procesit të filluar të imunizimit masiv, pritet rimëkëmbje graduale e ekonomisë vendase gjatë periudhës së ardhshme, e cila sipas parashikimeve të fundit do të zhvillohet me një intensitet prej 3,9% gjatë këtij dhe vitit të ardhshëm.
Lidhur me lëvizjet e inflacionit, rritja vjetore në prill të vitit 2021 është 2,7% dhe është në përputhje me pritjet sipas parashikimeve të fundit pranverore të Bankës Popullore. Sipas strukturës, çmimet e energjisë japin një kontribut dominues në totalin e inflacionit, në përputhje me zhvendosjet në çmimet botërore të lëndëve djegëse, gjatë një kontributi të moderuar pozitiv të komponentit ushqimor dhe inflacionit bazë. Në periudhën e ardhshme, rreziqet e paqëndrueshmërisë së çmimeve të importit, nën ndikimin e zhvillimit të pandemisë dhe dinamikës së rimëkëmbjes ekonomike globale mbeten të theksuara. Sidoqoftë, sipas parashikimeve të fundit, të cilat i përfshijnë supozimet për një rritje të konsiderueshme të çmimeve të importit gjatë këtij viti, inflacioni vendor pritet të mbetet i moderuar dhe të arrijë 2,2% dhe 2%, përkatësisht në vitin 2021 dhe 2022.
Rezervat valutore vazhdojnë të jenë në nivel të mjaftueshëm dhe ruhen në zonën e sigurt. Që nga fillimi i vitit, rezervat valutore shënojnë rritje, mbështetur nga burimet e jashtme të financimit të shtetit. Në të njëjtën kohë, gjatë këtij tremujori, tregu valutor është i favorshëm dhe pa nevojë për një prani të madhe të Bankës Popullore, e cila tani për tani është vetëm në anën e blerjes së valutave të huaja. Lidhur me të dhënat për sektorin e jashtëm për tremujorin e parë të vitit 2021, të njëjtat tregojnë zgjerim të deficitit tregtar, në përputhje me pritjet. Në të njëjtën kohë, në pajtim me të dhënat e fundit për operacionet e këmbimit valutor, vërehet një rritje vjetore e ofertës së valutave të huaja në tregun e këmbimit valutor. Në përgjithësi, pozicioni i jashtëm i ekonomisë vazhdon të jetë i qëndrueshëm, gjë që vërtetohet edhe me parashikimet e fundit të Bankës Popullore. Sipas parashikimeve, deficiti i llogarisë rrjedhëse pritet të ngushtohet dhe të arrijë në 2,9% dhe 2,3% të PBB-së për këtë dhe vitin e ardhshëm, me ç’rast rrjedhat financiare do të jenë të mjaftueshme për financimin e tij dhe rritje shtesë të rezervave valutore.
Lidhur me zhvillimet në totalin e depozitave dhe kredive, të dhënat fillestare për prillin e vitit 2021 tregojnë rritjen e tyre të mëtejshme, e cila është në përputhje me vlerësimet e fundit për rritje mesatare mujore të depozitave dhe kredive prej 7,5% dhe 6,1%, përkatësisht, në vitet 2021-2022.
Në periudhën ndërmjet dy mbledhjeve të Komitetit, likuiditetit shtesë në sistemin bankar u ruajt në një nivel relativisht të qëndrueshëm, kështu që bankat përkohësisht tregtonin me asete afatshkurtra likuide në denarë në tregjet e parasë, vetëm kah fundi i prillit. Në tregun valutor në prill kishte një kërkesë neto mesatarisht të lartë për valuta të huaja nga sektori i korporatave dhe ofertë neto relativisht të qëndrueshme të valutave të huaja nga personat fizikë në tregun e këmbimit valutor dhe tregun valutor. Bankat e kënaqën plotësisht kërkesën neto për valuta të huaja nga mjetet vetjake, të cilat vazhdojnë të jenë në një nivel relativisht të lartë, për shkak të së cilës Banka Popullore ndërhyri në tregun valutor.
Në prill, në tregjet financiare ndërkombëtare vazhdoi të mbizotërojë optimizmi i investitorëve lidhur me perspektivat për rritjen e ardhshme ekonomike globale, i cili mbështetej nga njoftimet për rezultate financiare të qëndrueshme në shumicën e kompanive në Evropë dhe SHBA. Në rrethana të tilla, si dhe me perspektiva të favorshme për procesin e vaksinimit në BE, indekset e bursës së aksioneve në korniza globale arritën nivele të reja më të larta historike, ndërsa çmimet e obligacioneve më të sigurta shtetërore në eurozonë shënuan rënie. Në anën tjetër, çmimet e obligacioneve shtetërore në SHBA shënuan rritje e cila ishte më e shprehur në maturitetet e mesme dhe të gjata, kryesisht nën ndikimin e qëndrimeve nga procesverbali i mbledhjes së FED-it se ende është herët për reduktimin e mbështetjes monetare.
Në përgjithësi, në mbledhjen e Komitetit u konstatua se zhvillimet në parametrat kryesorë ekonomikë vazhdojnë të jenë të favorshme, pa devijime më të mëdha në raport me pritjet, gjë që vërtetohet dhe me parashikimet e fundit të cilat nuk tregojnë ndonjë ndryshim më të madh të pasqyrës makroekonomike nga vlerësimet paraprake. Pasiguria dhe rreziqet nga pandemia e shkaktuar nga Kovid-19 vazhdojnë të jenë të pranishëm. Banka Popullore edhe në periudhën e ardhshme do të monitorojë me kujdes tendencat dhe rreziqet e mundshme, me qëllim reagimin e duhur nëse është e nevojshme.