Shkup, 10 nëntor 2021
Më 9 nëntor 2021, u zhvillua mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore, në të cilën u shqyrtuan treguesit kryesorë për ekonominë e vendit dhe zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare dhe të vendit në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.
Në mbledhje u vlerësua se niveli aktual i normës bazë të interesit është i përshtatshëm për kushtet makroekonomike dhe financiare dhe u vendos që të mbetet në nivel prej 1.25%. Me këtë, politika monetare vijon të lehtësohet, duke kontribuar në mbështetjen e flukseve të kredisë në ekonomi. Në mbledhje sërish u vlerësua se në mungesë të presioneve të kërkesës, lëvizjet e moderuara rritëse të inflacionit janë të përkohshme dhe për momentin janë pasojë e faktorëve të kahut të ofertës. Prandaj, aktualisht nuk ka nevojë për reagim monetar për këto lëvizje çmimesh, por edhe më tej nevoitet monitorim vigjilent i inflacionit. Në mbledhje u konfirmua se likuiditeti aktual i sistemit bankar është adekuat me trendet e tregut, dhe u vendos në ankandin e bonove që do të mbahet sot të ofrohen bono në vlerë të pandryshuar prej 10 miliardë denarë.
Sipas treguesve më të fundit makroekonomikë për aktivitetin ekonomik, produkti i brendshëm bruto në gjysmën e parë të vitit shënoi rritje prej 5.2%, dhe vlerësimet aktuale për tremujorin e tretë të vitit 2021 tregojnë rritje të mëtejshme, por më të moderuar të aktivitetit ekonomik në këtë periudhë, të dukshme përmes të dhënave të disponueshme me frekuencë të lartë, kryesisht në fushën e konsumit personal. Rimëkëmbja ekonomike do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, me intensitet prej 3.9% gjatë këtij dhe vitit të ardhshëm dhe gradualisht do të arrijë në 4% në periudhën afatmesme.
Lidhur me lëvizjet e inflacionit, në periudhën janar-tetor, rritja vjetore e çmimeve është 2,9%. Për momentin, vlerësohet se presionet mbi çmimet lidhen kryesisht me faktorë të kahut të ofertës, pa presione më të mëdha nga kërkesa. Me këtë, theksohet pasiguria dhe ndryshueshmëria në lëvizjen e çmimeve botërore të produkteve primare, në radhë të parë të energjisë, në periudhën e ardhshme, për çka kërkohet monitorim vigjilent i tyre. Sipas parashikimeve të fundit, respektivisht supozimeve për rritje më të ndjeshme të çmimeve të importit gjatë këtij viti, inflacioni vendas do të vazhdojë të jetë i moderuar dhe i kontrolluar dhe do të arrijë në 3.1% dhe 2.4% në vitin 2021 dhe 2022, dhe gradualisht do te reduktohet në nivelin historik prej rreth 2% në periudhën afatmesme.
Rezervat devizore edhe më tej janë në nivel të duhur dhe në zone të sigurtë. Nga fillimi i vitit, rezervat devizore shënojnë rritje. Vlerësimet për pozicionin e jashtëm të ekonomisë, në përputhje me arritjet e deritanishme dhe brenda këtij cikli të parashikimeve janë të volitshme. Por, vlerësimet e fundit tregojnë deficit pak më të lartë në llogarinë rrjedhëse sidomos gjatë periudhës 2021-2022, si pasojë e presioneve më të larta nga kërkesa dhe efekt më të madh ndaj bilansit të pagesave nga çmimet gjithënjë më të larta të energjisë. Në projeksionet e fundit, pritet që deficiti i llogarisë rrjedhëse të bilancit të pagesave të thellohet në vitin 2021 në 3.8% të PBB-së dhe të mbetet në të njëjtin nivel në vitin 2022, pas së cilës do të jetë rreth 2% e PBB-së në peridhën afatmesme.
Përsa i përket lëvizjeve tek totali i depozitave dhe kredive, të dhënat fillestare për muajin tetor të vitit 2021 tregojnë rritje të mëtejshme solide vjetore, dhe sipas vlerësimeve të fundit, kjo tendencë e favorshme do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, me rritje mesatare vjetore të depozitave dhe kredive prej 7, 4% dhe 7,0% në periudhën 2021 - 2023.
Në tregun valutor është vërejtur tendencë rritëse e aktivitetit të tregut, i cili korrespondon me mjedisin e jashtëm ekonomik të ekonomisë vendase. Gjatë muajit tetor, bankat plotësuan kërkesën e shtuar për valuta kryesisht nga mjetet vetanake devizore, dhe pjesërisht edhe me ndërhyrjet e Bankës Popullore për shitje të valutave.
Në tetor, në fokus të pjesëmarrësve në tregjet financiare ndërkombëtare ishte dinamika e inflacionit në nivel global, pritshmëritë për njoftimin e fundit të FED për shtrëngim të politikës monetare në Shtetet e Bashkuara dhe forcimi i perceptimeve për tërheqjen e stimulit monetar në mbarë botën. Në rrethana të tilla, çmimet e obligacioneve qeveritare në eurozonë dhe në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të bien (rendimentet e tyre u rritën), dhe vlera e dollarit amerikan kundrejt euros vazhdoi trendin e rritjes së moderuar.
Në përgjithësi, në mbledhje u konstatua se lëvizjet në parametrat kryesorë makroekonomikë janë kryesisht brenda pritshmërive, dhe projeksionet e fundit nuk tregojnë ndryshim të madh të pasqyrës makroekonomike nga vlerësimet paraprake. Pasiguria nga pandemia e Kovid-19 vazhdon të jetë prezente, ndërkohë që rreziqet janë më të theksuara dhe kryesisht në rënie. Kështu, Banka Popullore vazhdon të monitorojë nga afër lëvizjet dhe rreziqet nga mjedisi i brendshëm dhe i jashtëm, për të përshtatur në mënyrë adekuate pozicionimin e politikës monetare.