Norma bazë e interesit mbetet e pandryshueshme dhe qëndron në nivel prej 2,50%
Shkup, 10 gusht 2022
Më 9 gusht 2022 u mbajt mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore. Në mbledhje u rishqyrtuan të dhënat dhe informacionet më të fundit për ekonominë vendase dhe globale dhe zhvillimet më të fundit në tregjet financiare ndërkombëtare dhe vendase.
Në mbledhjen e Komitetit u vendos që norma bazë e interesit e bonove të thesarit të mbetet e pandryshuar në nivelin prej 2,5%, ndërsa oferta e bonove të thesarit në ankandin e rregullt nuk ka ndryshuar dhe do të mbahet në 10 miliardë denarë. Gjatë vendimmarrjes të këtillë u morën parasysh disa faktorë kryesorë, mbi të gjitha, hapat e deritanishëm për normalizimin e politikës monetare, si dhe lëvizjet e fundit të inflacionit dhe të tregut valutor. Në tregun e këmbimit valutor është vërejtur stabilizim i ndjeshëm në periudhën e fundit, ndërsa Banka Popullore ka ndërhyrë me blerje të valutës. Në të njëjtën kohë, presionet nga kriza energjetike janë ulur ndjeshëm, ndërkohë që fluksi i valutës në tregun valutor në këtë periudhë është dukshëm më i lartë nga pritshmëritë. Njëkohësisht, në tregun valutor vërehen disa ndryshime pozitive në raport me kërkesën për valutë nga personat fizikë vendas, gjë që tregon për stabilizim gradual të pritshmërive dhe besueshmërisë të subjekteve vendase.
Në periudhën e kaluar, Banka Popullore ka punuar drejt normalizimit gradual të politikës monetare, me synim ruajtjen e stabilitetit afatmesëm të çmimeve, nëpërmjet administrimit adekuat të likuiditetit, si dhe rritjes së normës bazë të interesit në katër raste radhazi. Ky përcaktim monetar u mbështet edhe nga masa shtesë, respektivisht ndryshime në instrumentin e rezervës së detyrueshme me qëllim të fokusimit të veprimit në procesin e euroizimit (në dy raste), si dhe masat sistematike të vendimmarrjes për vendosjen e shtresës mbrojtëse kundërciklike të kapitalit prej 0,5%, e cila forcon më tej mekanizmat mbrojtës në sistemin bankar. Pritet që rritja e normës bazë të interesit, së bashku me ndryshimet e mëparshme në normat e shpërndarjes së rezervës së detyrueshme në valutë vendase dhe të huaj, të vazhdojë të ndikojë në politikën e interesit të bankave me qëllim që të stimulohet kursimi në monedhën vendase.
Të dhënat më të fundit për inflacionin tregojnë inflacion mesatar prej 10,9% në periudhën janar - korrik 2022, ku tre të katërtat e kësaj rritjeje ende shpjegohen me çmimet në rritje të ushqimeve dhe energjisë. Kështu, dinamika e inflacionit është akoma kryesisht pasqyrim i faktorëve në anën e ofertës, respektivisht i rritjes së çmimeve të importit të ushqimeve dhe energjisë, përfshirë edhe çmimin vendas të energjisë elektrike, i cili është nën ndikimin e zhvillimeve të tregut botëror të energjisë. Megjithatë, duke pasur parasysh natyrën afatgjatë të këtyre prirjeve, presione të tilla përhapen shpejt në çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera dhe nxisin më tej pritjet inflacioniste, gjë që udhëzon në nevojën e zhvillimit të politikave të brendshme të kujdesshme. Megjithatë, ndryshimi mujor i çmimeve të konsumit tregon ngadalësim të caktuar, ndërkaq pjesë e madhe e rritjes mujore i detyrohet edhe vendimit të miratuar në ndryshimin e çmimit të rregulluar të energjisë elektrike. Njëkohësisht, dinamika vjetore e inflacionit bazë ka mbetur e qëndrueshme. Gjithashtu, të dhënat dhe pritshmëritë e fundita në tregjet botërore tregojnë për lehtësim gradual të presioneve të çmimeve, respektivisht pritshmëritë e çmimeve të ushqimeve janë rishikuar në rënie, ndërkohë që çmimet e naftës pritet të stabilizohen në fund të vitit 2022, dhe më pas të ulen. Megjithatë, rreziqet nga ana e ofertës, veçanërisht në lidhje me lëvizjet e ardhshme të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, janë ende të theksuara për shkak të zhvillimeve ushtarake në Ukrainë, kështu që pasiguria lidhur me efektet e transmetuara në inflacionin vendas, mbetet e lartë.
Rezervat valutore janë në zonë të sigurt dhe niveli i tyre plotëson kërkesat e përshtatshmërisë sipas standardeve ndërkombëtare. Për këtë kontribuon niveli i lartë i rezervave devizore në periudhën para pandemisë dhe rritja e mëtejshme në dy vitet e pandemisë. Lëvizjet në tregun valutor për momentin janë të favorshme, gjegjësisht presionet nga kriza energjetike aktualisht janë ulur ndjeshëm, ndërkohë që hyrja e valutës së huaj në tregun valutor gjatë kësaj periudhe është dukshëm më e lartë nga pritshmëritë. Në rrethana të tilla, Banka Popullore gjatë korrikut dhe gushtit ndërhyri me blerjen e valutës së huaj, gjë që rrit edhe më tej nivelin e rezervave valutore.
Të dhënat e aktivitetit në ekonominë vendase në tremujorin e parë prej 2,4%, si dhe vlerësimet për rritje të mëtejshme në pajtim me të dhënat e frekuencës së lartë për periudhën prill - qershor 2022 janë aktualisht në pajtueshmëri me pritshmëritë e fundit. Rreziqet e periudhës së mëtejshme mbeten në rënie, në kushtet kur konflikti ushtarak në Ukrainë, pandemia e zgjatur dhe tensionet gjeopolitike globale veprojnë në paqëndrueshmëri të lartë dhe paparashikueshmëri të kushteve të jashtme ekonomike dhe financiare. Kështu, në këtë periudhë vërehet rritje vjetore e mëtejshme, por pak më e moderuar në industri, qarkullimin e tregtisë totale dhe shërbimeve hotelierike, ndërsa aktiviteti në ndërtimtari në periudhën prill - maj shënon ngadalësim të rënies.
Në aspektin e lëvizjeve në sektorin monetar, të dhënat e fundit tregojnë rritje të mëtejshme si të kredisë ashtu edhe të bazës së depozitave, ku aktiviteti kreditor është mbi parashikimet, ndërkohë që dinamika e depozitave të totalit është disi më e dobët në krahasim me pritshmëritë.
Përsa i përket prirjeve botërore, në muajin korrik, në tregjet financiare ndërkombëtare mbizotëronte shqetësimi i investitorëve rreth rritjes ekonomike globale, respektivisht rrezikut të recesionit në ekonomitë kryesore. Në rrethana të tilla, çmimet e detyrimeve shtetërore në SHBA dhe në eurozonë shënuan rritje, respektivisht prodhueshmëritë e tyre u ulën dhe vlera e dollarit amerikan në raport me euron vazhdoi të rritet. Në të njëjtën kohë, dollari amerikan ra përkohësisht nën nivel në kundërvlerë të euros, kryesisht si pasqyrim i kërkesës për instrumente të sigurta dhe i pritshmërive për shtrëngim të ndjeshëm të politikës monetare të FED-it. Përgjatë muajit është vërejtur rritje e çmimeve të shumicës së produkteve energjetike, ndërsa çmimet e produkteve ushqimore janë ulur.
Në përgjithësi, rreziqet për kontekstin e përgjithshëm makroekonomik janë akoma të theksuara. Rreziku kryesor vazhdon të jetë pasiguria e shkaktuar nga tensionet gjeopolitike globale dhe ndikimi i tyre në çmimet dhe aktivitetin ekonomik në kornizën globale. Nuk duhet të anashkalohen rreziqet e pandemisë Kovid-19, e cila ende nuk ka përfunduar. Në kushte të tilla del në pah më shumë nevoja për politika të brendshme të kujdesshme. Banka Popullore i mbikëqyr nga afër të dhënat makroekonomike dhe rreziqet të cilat lidhen me to dhe do të vazhdojë të veprojë duke përdorur të gjitha instrumentet në dispozicion, për të ruajtur stabilitetin e kursit të këmbimit dhe stabilitetin afatmesëm të çmimeve.