10 maj 2022
Vendosja e duhur e rregullores bankare dhe mekanizmat mbrojtëse të krijuara në periudhën e kaluar kanë mundësuar gjendjen e mirë të sektorit bankar vendas gjatë këtyre dy viteve kur ekonomia vendase është duke u përballur me disa goditje me ndikim negativ. Kështu, rritja e kredisë nuk është ngadalësuar aspak, siç ka ndodhur në episodet e mëparshme të krizës. Përkundrazi, përshpejtimi i saj ishte i moderuar, me ç'ka në gjysmën e dytë të vitit të kaluar ka treguar mbështetje më të madhe për sektorin e korporatave, tha në intervistën për Marilin, guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska.
“Sistemi bankar ofron mbështetje solide gjatë gjithë periudhës së pandemisë. Është e vërtetë se në fillim mbështetja kreditore ishte më e përqëndruar te popullsia dhe më pak në sektorin e korporatave, por nga gjysma e dytë e vitit të kaluar vërehet se ka më shumë mbështetje për sektorin e korporatave. Në vitin 2021, në bazë vjetore, nëse rritja totale e kredisë është rreth 8%, rritja në sektorin e korporatave është më e lartë dhe është 9%. Të dhënat nga fillimi i këtij viti tregojnë vazhdimësi të këtyre trendeve”, tha Angellovska-Bezhoska.
Më tej, guvernatorja theksoi se të dhënat e këtij viti tregojnë se kapaciteti i sistemit bankar vazhdon të forcohet dhe se tashmë është më i mirë krahasuar me periudhën e parakrizës. Mjaftueshmëria e kapitalit është në nivel më të lartë se niveli i parakrizës dhe është një nga normat më të larta që kemi pasur gjatë dhjetë vitet e fundit. Likuiditeti është në nivel solid, ndërkohë që pjesmarrja e kredive me probleme në totalin e portofolit të kredisë është ulur në mënyrë të moderuar gjatë kësaj periudhe krize dhe tashmë është 3,1%. E gjithë kjo tregon se sistemi bankar ka kapacitet të përshtatshëm për mbështetje të mëtejshme solide financiare për sektorin privat, përfshirë edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Guvernatorja gjatë intervistës theksoi se si rezultat i politikës së kujdesshme monetare, rezervat valutore janë vazhdimisht në nivel i cili mundëson stabilitetin e kursit të këmbimit, i cili në fakt është sjellë në përfundim edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare. Përveç kësaj, si rezultat i iniciativës rajonale të nisur nga banka jonë qendrore, BQE-ja për herë të parë në histori ka miratuar qasje deri te likuiditeti valutor, nëse kjo gjë është e nevojshme.
“Duke pasur parasysh nivelin e rezervave valutore të cilat mbahen në nivel historikisht të lartë, si dhe morinë e instrumenteve të tjera të cilat i kemi në dispozicion, nuk duhet të ketë asnjë shqetësim për stabilitetin e kursit të këmbimit devizor. Fatkeqësisht, gjatë kësaj krize, si edhe në ato të mëparshmet, u përballëm me spekulime të shumta, pasojat e dëmshme të të cilave i vuajmë të gjithë. Në këtë kontekst, kërkesa për valutë të huaj është rritur dhe bëhet shkëmbimi nga denarë në kursime devizore, që nënkupton shpenzime të panevojshme për qytetarët. Për shkak të prirjeve të tilla, ne kemi forcuar kontrollet në këmbimore dhe në të njëjtën kohë kemi sjellë ndryshime në rregullativën e tregut të këmbimit, që ka krijuar hapësirë për plotësimin e pandërprerë të nevojave të qytetarëve për valutë të huaj dhe në këtë segment të tregut valutor të huaj. Por, gjithashtu, kemi marrë edhe vendim për ndryshime në instrumentin e rezervës së detyruar, përmes së cilës u japim sinjal bankave që të bëjnë ndryshime në politikën e interesit në mënyrë që të ofrojnë norma më të favorshme të interesit për kursimet në denarë”, tha Angellovska-Bezhoska.
Ajo shtoi se banka qendrore përgjatë viteve e ka mbrojtur me sukses stabilitetin e denarit para sfidave të mëdha dhe të vështira dhe ka ia ka arritur qëllimit të saj, dhe nuk duhet të ketë dilema për kapacitetin e bankës dhe më tutje të mbrojë stabilitetin e valutës vendase.