Shkup, 9 nëntor 2021
Këshilli i Bankës Popullore mbajti mbledhje të rregullt në të cilën u shqyrtua dhe miratua Raporti i fundit tremujor, i cili përfshinë parashikimet e fundit makroekonomike të Bankës Popullore. Pas miratimit të Raportit, guvernatorja prezantoi parashikimet makroekonomike në konferencë për shtyp.
Për të dytin vit radhazi, parashikimet makroekonomike zbatohen dhe publikohen në kushtet e imponuara nga pandemia dhe pasiguria globale. Në rrethana të tilla, Banka Popullore ndjek vazhdimisht politikë monetare të relaksuar, për të zbutur efektet e pandemisë në ekonominë vendase. Në periudhën ndërmjet parashikimeve të prillit dhe të këtij cikli, parametrat ekonomikë kryesisht kanë qenë në përputhje me pritjet. Rreziqet mbeten të lidhura nga pasiguria rreth gjendjes shëndetësore, me ndërprerje më të theksuara të zinxhirit të furnizimit dhe paqëndrueshmërisë në tregjet e lëndëve të para.
Pritjet e fundit për rritjen ekonomike janë të pandryshuara nga parashikimet e prillit, ku edhe më tej pritet rikthim i plotë dhe tejkalim i nivelit të parakrizës. Në përputhje me supozimet e integruara për mjedisin e jashtëm dhe faktorët e brendshëm, në këtë dhe vitin e ardhshëm, aktiviteti ekonomik do të shënojë rritje të ngjajshme prej 3.9% dhe gradualisht në periudhën aftatmesme do të arrijë rritje prej 4% . Gjatë gjithë periudhës së parashikimeve, pritet që rritja të vijojë të nxitet nga kërkesa e brendshme, ndërkohë që eksporti neto do të ketë kontribut negativ në rritjen në periudhën e parashikimeve. Gjegjësisht, rimëkëmbja e kërkesës së huaj do të kishte efekt stimulues në aktivitetin eksportues, por duke pasur parasysh komponentin e lartë të importit të eksporteve, por edhe rimëkëmbje më të shpejtë të kërkesës së brendshme, priten edhe presione më të mëdha importi.
Inflacioni mbetet nën kontroll. Parashikimet e fundit tregojnë për një inflacion të moderuar prej 3.1% në vitin 2021. Pjesa më e madhe e presioneve aktuale në rritje janë pasojë e faktorëve në anën e ofertës, të lidhura me lëvizjet e çmimeve të produkteve primare në bursat botërore, me efektin e transmetuar të rritjes së çmimeve me karakter rregullator të vitit të kaluar, si dhe nga faktorë të caktuar specifikë për krizën pandemike, dhe në kushtet e lehtësimit të masave kufizuese. Vitin e ardhshëm pritet normalizimi i këtyre faktorëve dhe ngadalësimi i inflacionit, i cili do të reduktohej në 2.4%, dhe më pas gradualisht në rreth 2% në periudhën afatmesme. Në të njëjtën kohë, nuk priten efekte të rëndësishme të transmetuara nga rritja aktuale e çmimeve, duke pasur parasysh vlerësimet për rimëkëmbje të moderuar të kërkesës. Nën ndikimin e kohëzgjatjes së pandemisë, në tregjet ndërkombëtare ka ende luhatshmëri të madhe të çmimeve të produkteve primare, e me këtë edhe pasiguri rreth lëvizjeve të çmimeve të importit, si në afat të shkurtër ashtu edhe në afat të gjatë.
Deficiti i llogarisë momentale do të ishte ende i moderuar, por në një nivel pak më të lartë se vitin e kaluar (3.8% e PBB-së), dhe në planin afatmesëm do të ishte rreth 2% e PBB-së, ngjashëm me nivelin e parakrizës. Zgjerimi i deficitit është kryesisht reflektim i deficitit më të lartë tregtar gjatë rritjes së çmimeve botërore të ushqimit dhe energjisë, ndërprerjes së përkohshme në zinxhirët e furnizimit që po ngadalësojnë eksportin dhe rimëkëmbjes graduale të kërkesës së brendshme. Këto efekte në masë të madhe neutralizohen nga rimëkëmbja më e shpejtë i transfereve private si dhe nga eksporti neto më i mire i shërbimeve. Deficiti i llogarisë rrjedhëse, ashtu si edhe në periudhën para krizës, do të financohet plotësisht nga flukset hyrëse në llogarinë financiare, të cilat do të mundësojnë rritjen e mëtejshme të rezervave valutore në periudhën afatmesme.
Treguesit për mjaftueshmërinë e rezervave devizore tregojnë për mbajtjen e tyre në zonën e sigurt gjatë gjithë periudhës së parashikimeve, që konfirmom stabilitetin e valutës vendase - denarit.
Aktiviteti kreditues i sistemit bankar mbetet një nga faktorët e rëndësishëm për mbështetjen e rritjes ekonomike. Në periudhën e parashikimeve pritet rritje solide e kredisë, e cila këtë vit do të jetë 7.1% dhe gradualisht do të përshpejtohet, duke arritur në rreth 8% në periudhën afatmesme. Të ngjajshme janë edhe pritshmëritë për lëvizjen e depozitave në periudhën e parashikimeve, si burimi kryesor i financimit të bankave.
Në përgjithësi, vlerësimet e fundit për periudhën katërvjeçare 2021 - 2024 konfirmojnë pritshmëritë për rimëkëmbje të ekonomisë vendase nga pandemia dhe në thelb janë të pandryshuara nga parashikimet e prillit. Vlerësimet shoqërohen me pasiguri të lartë, ku rreziqet janë kryesisht në rënie dhe lidhen kryesisht me zhvillimin e mëtejshëm të pandemisë dhe ndërprerjet në zinxhirët globalë të furnizimit dhe prodhimit. Banka Popullore vazhdon të monitorojë nga afër lëvizjet dhe rreziqet nga mjedisi i brendshëm dhe i jashtëm, për të përshtatur në mënyrë adekuate pozicionimin e politikës monetare.
|
Галерија прес-конференција за макроекономски проекции, 9.11.2021 |