Shkup, 9 gusht 2021
Nga fillimi i këtij muaji, të gjitha bankat dhe shtëpit e kursimeve filluan të zbatojnë Udhëzimet e miratuara nga Banka Popullore dhe Shoqata e Bankave të Maqedonisë (SHBM) më 15 korrik 2021, mbi përmbajtjen, formën dhe mënyrën e publikimit të të dhënave të produkteve më përfaqësuese për kredi dhe depozita për persona fizik. Qëllimi është, të arrihet transparencë më e lartë dhe krahasueshmëri e të dhënave për depozita dhe kredi për popullatën, në të gjitha bankat dhe shtëpitë e kursimeve, përfshirë edhe normat e interesit, për informim më të mirë të qytetarëve dhe vendimmarrje duke u bazuar në informacione më të hollësishme.
Në një vend të spikatur, në faqet e tyre të internetit, çdo bankë dhe shtëpi kursimi ka të publikuar tabelë standarde me të dhëna të veçanta për çdo kredi dhe depozita. Është një formë përmes së cilës për herë të parë, në të njëjtën mënyrë sigurohet që të gjitha bankat dhe shtëpitë e kursimeve të publikojnë të dhëna të unifikuara për produktet bankare që janë të rëndësishmet për popullatën. Me qëllim të informimit më të mirë dhe në kohë për qytetarët, si dhe mbrojtjen e tyre si konsumatorë, bankat dhe shëpitë e kursimeve do t'u duhet të përditësojnë këto të dhëna rregullisht, të paktën një herë në tre muaj.
Të dhënat mbi produktet e kredive dhe depozitave për popullatën, në këtë formë të unifikuar, janë të disponueshme dhe të centralizuara - përmes një pjese të re, të veçantë të faqes së internetit të Bankës Popullore, që ka për qëllim informimin e konsumatorëve, e cila është në dispozicion të publikut nga sot. Kjo do t'u mundësojë qytetarëve që të kenë informata për produktet e të gjitha bankave, në një vend, në mënyrë të standardizuar dhe të krahasueshme. Përveç tabelave me të dhëna standarde, në këtë pjesë të faqes së internetit të Bankës Popullore tashmë janë publikuar edhe përmbajtje tjera për nevojat e klientëve të bankave dhe shtëpive të kursimit, përfshirë të dhënat e kontaktit për ankesa në banka dhe shtëpi kursimi të caktuara, si dhe pyetje të parashtruara më shpesh nga konsumatorët për Bankën Popullore. Kjo pjesë e faqes së internetit do të vazhdojë të përmirësohet, paralelisht me aktivitetet që Banka Popullore do të zbatojë për mbrojtjen e konsumatorëve.
Në përputhje me Udhëzimet e miratuara nga Banka Popullore dhe SHBM, të dhënat e publikuara nga të gjitha bankat dhe shtëpitë e kursimeve, përveç informacionit bazë mbi produktet bankare, të tilla si maturia, monedha dhe norma e interesit, përfshijnë edhe informacion shtesë, më të detajuar, si shkalla e kostove totale të kredive konsumatore dhe kostot që nuk përfshihen në këtë normë, llojin e kolateralit dhe raportin minimal të kolateralit / kredisë për kredi për strehim, mundësinë e shlyerjes së parakohshme të depozitave dhe të tjera. Rrjedhimisht, të dhënat e publikuara në këtë formë duhet të japin një pasqyrë më të mirë të kushteve të ofruara nga çdo bankë dhe shtëpi e kursimeve, si bazë për të vendosur mbi produktin më të përshtatshëm, sipas mundësive dhe preferencave të konsumatorëve.
Në krahasim me praktikën e mëparshme kur bankat dhe shtëpitë e kursimeve vendosnin individualisht se cilat të dhëna të publikohen për produktet e tyre dhe në çfarë forme, me qasjen e re të unifikuar të të gjithë sistemit bankar, qytetarëve u sigurohet informacion më i saktë dhe i plotë mbi aspektet më të rëndësishme të cilat duhet të merren parasysh gjatë shqyrtimit kredive dhe depozitave, në mënyrë që të zgjedhin produktin e duhur, duke marrë parasysh rreziqet e mundshme.
Me zbatimin e Udhëzimeve të miratuara nga Banka Popullore dhe SHBM si dhe me sjelljen e një pjese të re në faqen e internetit të Bankës Popullore që ka për qëllim informimin e konsumatorëve në fushën e sistemit bankar, plotësisht u përmbush aktiviteti i parë i Strategjisë së parë nacionale për edukim financiar dhe përfshirje financiare, e cila u miratua kohët e fundit nga rregullatorët financiarë të vendit.