Në Raportin vjetor për indeksin e barazisë gjinore në institucionet financiare, të botuar dje nga think-tenku britanik OMFIF, është publikuar një prezantim i veçantë nga guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, si përfaqësuese e komunitetit të bankave qendrore. Në prezantimin e saj, ajo iu referua rëndësisë së barazisë gjinore për produktivitetin dhe arritjet e ekonomive, duke komentuar situatat aktuale në plan global.
Angelovska-Bezhoska thekson se gjysma e popullsisë me aftësi punuese në botë janë gra, por vetëm 50% e tyre marrin pjesë në fuqinë punëtore. Ajo thekson se ndryshimet në qasjen në arsim, mbrojtjen shëndetësore, financat dhe teknologjinë, të drejtat ligjore dhe faktorët socialë dhe kulturorë janë faktorë kufizues për arritjen e potencialit të plotë të grave. Në të njëjtën kohë, prezantimi vuri në dukje se pandemia krijoi sfida shtesë për gratë, duke pasur parasysh përfshirjen e tyre relativisht të madhe në segmentet më të prekura të ekonomisë.
„Mundësitë e pabarabarta për gratë çojnë në produktivitet më të ulët dhe rritje më të ulët të ekonomive. Është vlerësuar se humbja ekonomike lëviz nga 10% të PBB-së në ekonomitë e zhvilluara deri në më shumë se 30% në vendet me të ardhura të ulëta. Kjo nuk duhet të na habisë, sepse hulumtimet tregojnë se prania më e madhe e grave aktive në tregun e punës sjell përfitime ekonomike.“ - thekson guvernatorja, duke iu referuar në këtë mënyrë edhe trajtimit më të kujdesshëm të rreziqeve, të të menduarit dhe pragmatizmit - tipare që në hulumtim dhe analizë lidhen me kontributin e aktivitetit të grave në ekonomi.
Siç thuhet në Raport, vetëm 18 banka qendrore në nivel global drejtohen nga gratë, dhe vetëm 16% të bankave qendrore kanë një grua në këshillin e tyre ose në bordin ose komitetin për politikë monetare.
Angelovska-Bezhoska tregon se në bankën tonë qendrore, gratë përbëjnë 57.5% të ekipit, dhe se gratë mbajnë 69.4% të pozicioneve udhëheqëse, përfshirë edhe dy viceguvernatore. Ajo thekson se struktura e këtillë gjinore e ekipit është për shkak të politikës së bankës qendrore e cila bazohet në arritjet dhe aftësitë e profesionistëve që përbëjnë ekipin.
„Forcimi i mundësive për gratë nënkupton sigurimin e qasjes së barabartë dhe të papenguar në arsim dhe financa dhe largimin nga barrierat kulturore dhe sociale.“ - thekson guvernatorja, duke iu referuar pikëpamjeve të kryetares së Komision Evropian, Ursula fon der Lajen, në Strategjinë për Barazi Gjinore të Komisionit Evropian për periudhën e viteve 2020-2025.
Në fund të prezantimit, Angelovska-Bezhoska thekson: „Jam e bindur se me një mbështetje dhe qasje të barabartë, gratë do ta rrisin potencialin e ekonomive dhe mirëqenien e shoqërisë.“
Ndryshe, Raporti OMFIF-it tregon se më pak se 1% e institucioneve kryesore financiare globale kanë arritur ekuilibrin gjinor. Vetëm 2,2% të institucioneve financiare në korniza globale kanë arritur nivelin e indeksit, që tregon se një institucion është afër arritjes së barazisë gjinore në ekip.
Përfundimet nga indeksi i prezantuar, siç njoftuan dje nga OMFIF janë të qarta: mungesa e barazisë gjinore në sektorin financiar është një problem strukturor, i vazhdueshëm, pa dallim nëse është në sektorin publik ose privat. Nevojiten politika progresive për të korrigjuar nën-përfaqësimin historik të grave dhe për të barazuar mundësitë në hapësirën për veprim dhe biznes.
Raportin e OMFIF-it mund ta gjeni në lidhjen në vijim:
https://www.omfif.org/gbi2021/