8 maj 2022
Ekonomia maqedonase nuk do të anashkalohet dhe sigurisht që do t’i ndjejë pasojat e krizës ruso-ukrainase. Presim ngadalësim të rritjes ekonomike, si dhe përshpejtim të inflacionit, tha për HTV-në guvernatorja e Bankës Popullore Anita Angellovska-Bezhoska, e cila mori pjesë në Takimin e Dhjetë Vjetor Rajonal të bankave qendrore, i cili po mbahet në Rovinj të Kroacisë.
Temat e diskutimit në takimin e këtij viti janë rimëkëmbja ekonomike në kuadrin e fillimit të konfliktit në Ukrainë dhe sanksioneve ndaj Rusisë, pasiguria dhe sektori financiar, inflacioni dhe politika monetare.
Guvernatorja theksoi se njësoj si vendet e tjera të rajonit, lidhjet e drejtpërdrejta tregtare dhe financiare të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Rusinë dhe Ukrainën janë të dobëta dhe se konflikti do të ndikojë në ekonominë e Maqedonisë përmes kanaleve të tjera. Tregtia me këto dy vende është më pak se 2% e tregtisë totale. Pjesa e investimeve të huaja direkte nga Rusia dhe Ukraina është gjithashtu shumë e ulët, ose 0,5% e totalit të investimeve të huaja direkte në vitin 2020.
Megjithatë, ndikimet indirekte, nëpërmjet ekonomisë globale, por mbi të gjitha ekonomisë europiane në vendet e rajonit, nuk do të mungojnë. Ato do të ndihen përmes katër kanaleve kryesore: tregtisë, çmimit të produkteve parësore, shtrëngimit të tregjeve financiare ndërkombëtare dhe besimit të konsumatorëve, theksoi guvernatorja. FMN-ja parashikon se tregtia globale do të rritet por më ngadalë, respektivisht me 5%, çmimet e lëndëve të para që nga fillimi i vitit kanë ende trend rritës, normat e interesit në tregjet financiare ndërkombëtare janë rritur, ndërsa për shkak të pasigurisë mund të ngadalësohen investimet dhe konsumi. Megjithatë, institucionet financiare ndërkombëtare aktualisht presin që ekonomitë të rriten, por me një ritëm më të ngadaltë, dhe inflacioni në gjysmën e dytë të vitit gradualisht do të stabilizohet.
Guvernatorja theksoi se politika monetare dhe fiskale janë sërish në lëvizje, politika monetare përmes ruajtjes së stabilitetit, ndërsa politika fiskale përmes masave mbështetëse për të zbutur efektet në aktivitetin ekonomik në afat të shkurtër. Në planet afatmesme dhe afatgjatë, është e nevojshme të zbatohet agjenda e reformës strukturore, e cila është e vetmja mënyrë për të arritur efektet afatgjata.