Shkup, 8 mars 2023
“Informim i detyrueshëm i konsumatorit për kushtet në të cilat i përdor shërbimet e pagesave, si dhe informim për tarifat e shërbimeve më të përdorura në llogarinë e pagesave - me kornizën e re ligjore forcohet mbrojtja e përdoruesve të shërbimeve të pagesave në vend”, thotë në intervistë për “Marili”, guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska dhe thekson se Banka Popullore vazhdimisht po punon për përmirësimin e mbrojtjes së përdoruesve të shërbimeve bankare, madje edhe përmes formimit të njësisë së posaçme organizative për këtë qëllim, e cila nga ky vit do të fillojë me kontrolle të rregullta të dedikuara nga ajo fushë.
Guvernatorja thekson se Ligji i ri për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave hap tregun për ofruesit e rinj të shërbimeve të pagesave dhe zgjerohen shërbimet që do të ofrohen, por gjithashtu ndryshimet shoqërohen edhe me kërkesat e duhura rregullatore për mbrojtjen e konsumatorëve.
“Banka Popullore ka nxjerrë listën e 11 shërbimeve më përfaqësuese në lidhje me llogarinë e pagesave për të cilat rregullisht do të mbledhë të dhëna për tarifat nga secili ofrues i shërbimeve të pagesave dhe do t'i publikojë në ueb faqen e saj në një kontekst krahasues. Publikimi i parë i tarifave në ueb faqen e Bankës Popullore është parashikuar në fund të muajit shtator të këtij viti. Në këtë mënyrë qytetarët do të kenë informacion të shpejtë dhe lehtësisht të çasshëm për tarifat”, thotë guvernatorja.
Risi në Ligj është përcaktimi i llogarisë me funksione bazë për qytetarët, përmes së cilës do të mund të kryejnë transaksione të rregullta pagesore me para në dorë, me kartela debitore dhe transferta kreditore, në korniza të mjeteve të asaj llogarie.
“Për këto shërbime tarifa do të kufizohet në 0,1% nga paga mesatare e paguar neto, ose rreth 31 denarë. Përveç këtij kufizimi të kostos për mirëmbajtje, Ligji parasheh që bankat dhe kursimoret të mos paguajnë tarifa për përdorimin e llogarisë me funksione bazë për konsumatorët nga kategoritë e rrezikuara”, thotë Angellovska-Bezhoska.
Guvernatorja thekson se në vitet e fundit Banka Popullore ka punuar vazhdimisht në forcimin e aktiviteteve në fushën e mbrojtjes së përdoruesve të shërbimeve bankare, si dhe në forcimin e mëtejshëm të edukimit financiar të popullatës si parakusht i rëndësishëm për përfshirje më të madhe financiare. Nga viti i kaluar në Bankën Popullore ka filluar të funksionojë njësi e veçantë organizative - Drejtoria për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Edukim Financiar, e cila në vitin e parë ka punuar në rishikimin dhe plotësimin e rregulloreve ekzistuese në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, mbledhjen e të dhënave dhe analizën e vendosjes së bankave në fushën e mbrojtjes së konsumatorit dhe gjatë vitit do të fillojnë kontrollet e rregullta të dedikuara mbi bankat në këtë fushë.
Në fazën përfundimtare është përgatitja e një qarkoreje për bankat që përmban praktikat më të mira në këtë fushë, e cila duhet të mundësojë përmirësimin e mëtejshëm të transparencës dhe çasjes së bankave dhe kursimoreve ndaj klientëve të tyre, përfshirë edhe ndaj ankesave. Për shkak të rritjes së transparencës, nga viti 2021 bankat filluan të publikojnë tabela standarde me të dhëna bazë për kreditë dhe depozitat që i ofrojnë, të cilat janë të disponueshme edhe në ueb faqen e internetit të Bankës Popullore. Banka Popullore, në bashkëpunim me rregullatorë të tjerë financiarë, tanimë një periudhë të caktuar punon në përgatitjen e Propozim-Ligjit për Avokatin Financiar të Popullit, me çka rregullohet zgjidhja e kontesteve të mundshme ndërmjet personave fizikë si shfrytëzues të shërbimeve financiare dhe institucioneve financiare.