Shkup, 7 tetor 2021
Bruto prodhimi i brendshëm, në gjysmën e parë të këtij viti, shënoi rritje e cila përkon pothuajse plotësisht me parashikimet e Bankës Popullore, të stimuluara nga mbështetja e kredisë nga sektori bankar. Pritet rimëkëmbje e mëtejshme e ekonomisë, e cila do të varet kryesisht nga rimëkëmbja e partnerëve tanë më të rëndësishëm tregtarë, e cila, nga ana tjetër, kushtëzohet kryesisht nga rreziqet që lidhen me situatën epidemiologjike. Kjo u diskutua në takimin e punës midis guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska dhe ambasadorit të Republikës së Bullgarisë në vend, Angel Angelov dhe Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Bullgarisë në Manastir, Dimitar Ivanov. Takimi u përqëndrua në situatën e përgjithshme ekonomike, si dhe masat që ndërmirren për të stimuluar aktivitetin ekonomik.

Guvernatorja Angelovska-Bezhoska theksoi se situata në ekonominë maqedonase, si një ekonomi shumë e hapur, varet shumë nga zhvillimet në eurozonë dhe Gjermani, e cila është partneri ynë kryesor tregtar. Duke pasur parasysh parashikimet e BQE-së për rimëkëmbjen e tyre të mëtejshme, pritet që kjo të ketë ndikim pozitiv edhe në ekonominë tonë. Guvernatorja gjithashtu iu referua gjendjes së ekonomisë maqedonase këtë vit, duke theksuar se politika e lehtësuar monetare kontribuon në rimëkëmbjen e ekonomisë. Në gjysmën e parë të këtij viti, është realizuar rritje prej 5.2%, e cila përkon pothuajse plotësisht me parashikimet e Bankës Popullore (5.4%). Sipas parashikimeve të fundit makroekonomike, pritet që aktiviteti ekonomik të kthehet në nivelet e para krizës në fillim të vitit 2022.
Lidhur me politikën monetare në kushte pandemie, guvernatorja vuri në dukje se niveli i rehatshëm i rezervave valutore është i një rëndësie të veçantë për lehtësimin e saj, dhe në atë kontekst, aksesi në likuiditetin në valutë të huaj u sigurua për herë të parë përmes repo-linjës të miratuar nga Banka Qendrore Evropiane. Edhe pse Banka Popullore nuk kishte nevojë të përdorte mjetet, gatishmëria e Bankës Qendrore Evropiane kontribuoi ndjeshëm në ruajtjen e stabilitetit të monedhës vendase gjatë lëvizjeve të luhatshme të tregut gjatë krizës shëndetësore.
Guvernatorja Angelovska-Bezhoska vuri në dukje se masat e Bankës Popullore mundësuan uljen e çmimeve të kredive dhe rritjen e vazhdueshme të kredisë gjatë pandemisë. Sektori bankar deri më tani është ballafaquar mirë me rreziqet e pandemisë, siç dëshmohet nga rritja e depozitave dhe rritja solide e kredisë. Gjithashtu, performancat e mira të bankave dhe kërkesat e kujdesshme rregullatore në periudhën e kaluar mundësojnë kapitalizim adekuat të sistemit bankar dhe gatishmërinë e tij për t'u përballur me sfidat edhe në periudhën e ardhshme. Rimëkëmbja graduale e ekonomisë, e cila është e vazhdueshme, kontribuon pozitivisht në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar dhe zbut rreziqet sistemike. Sidoqoftë, natyra e pasigurt e krizës me koronë imponon nevojën për gatishmëri të vazhdueshme dhe monitorim vigjilent të situatës, në mënyrë që të merren masat e duhura për t'u përballuar sfidat.