Shkup, 6 tetor 2021
Shkup, 6 tetor 2021
Përgatitja e Strategjisë Kombëtare për zhvillim të sektorit fintek në vendin tonë do të përfundojë deri në fund të vitit. Për t’u përpunuar me sukses dhe për tu zbatuar Strategjia, si një nga qëllimet strategjike të Bankës Popullore, është e nevojshme të përfshihen në mënyrë aktive një numër i madh institucionesh. Prandaj, në Bankën Popullore u realizua takim midis guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska dhe drejtorit të Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik (FIZHT), Kosta Petrov, si dhe ekipe nga të dy institucionet.

Në takim, drejtori i FIZHT, Petrov, prezantoi masat e propozuara për rritje të përshpejtuar të ekosistemit "startup" të Maqedonisë, dhe gjithashtu shprehu gatishmëri për të përfshirë Fondin në përpilimin e Strategjisë Kombëtare për zhvillim të sektorit fintek. Në të njëjtën kohë, u rishikuan mundësitë për bashkëpunim midis institucioneve në periudhën e ardhshme, në fushën e inovacioneve në sektorin financiar, si temë me interes të ndërsjellë.
Në takim u prezantuan edhe aktivitetet e Grupit të Punës për sektorin fintek në kuadër të Bankës Popullore, siç ishte krijimi i të ashtuquajturës Porta e Inovacionit - platformë për komunikim të Bankës Popullore me komunitetin inovativ të biznesit (sektori fintek) dhe institucionet tjera përkatëse. Siç u theksua, deri më tani, përmes kësaj platforme, janë parashtruar shumë pyetje për konsultim dhe është shprehur interes nga shumë subjekte vendase dhe të huaja për investime në sektorin fintek në vend. Gjithashtu, me mbështetjen e Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE), u krye Sondazh dhe Studim fizibiliteti për zhvillimin e sektorit fintek në vend, dhe gjithashtu është realizuar harta e parë e ekosistemit fintek në vend.
Për më tepër, EFSE përcaktoi Bankën Popullore si udhëheqëse në rajon në aktivitetet për të mbështetur zhvillimin e sektorit fintek, dhe Republikën e Maqedonisë Veriore si i vetmi vend në rajon, banka qendrore e të cilit ka hartuar ekosistemin fintek.
Disa nga ekspertët e Grupit të Punës për sektorin fintek në Bankën Popullore gjithashtu janë të përfshirë edhe në grupet e punës për inovacione financiare të formuara nga Banka për Pagesa Ndërkombëtare (BIS), kështu banka jonë qendrore merr pjesë në përpunimin e vëzhgimeve më të fundit ndërkombëtare dhe rregulloret për sektorin fintek.