Shkup, 6 korrik 2021
Banka jonë qendrore dhe Banka Popullore e Kroacisë kanë një bashkëpunim të shkëlqyer. Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut shquhet ndër shembujt pozitiv në rajon, dhe Banka Popullore e Kroacisë është mbështetëse e madhe në vendosshmërinë e saj për të arritur standardet më të fundit dhe më të larta ndërkombëtare.
Ndër të tjerash, u theksua sot, gjatë nënshkrimit të Memorandumit për bashkëpunim midis Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bankës Popullore të Kroacisë (HNB), në një vizitë pune disa ditore të guvernatorit të HNB-së z.Boris Vujcic.
"Une dhe kolegët e mi nga HNB kemi bashkëpunim të vazhdueshëm, të shkëlqyer dhe konstruktiv me bankën tuaj qendrore dhe guvernatoren, Anita Angelovska-Bezhoska. Nga përvoja personale, unë mund të dëshmoj për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në të gjitha forumet ku ne kemi marrë pjesë, siç është konstituenca e përbashkët në FMN ose Iniciativa e Vjenës. Ekonomia maqedonase mund të jetë krenare me ekspertizën dhe kapacitetin e punës së menaxhmentit, si dhe ekipin e përgjithshëm të bankës tuaj qendrore, i cili është një institucion i shkëlqyer duke u bazuar në standardet relativisht të rrepta të bankave qendrore. Me këtë memorandum, bashkëpunimi ynë merr dimensione të reja, duke mbuluar sfera dhe fusha të reja, të cilat në fakt, janë aktuale edhe në kontekst global. Jam i bindur se dy bankat qendrore do të kenë gjithmonë një partneritet. "Banka Popullore e Kroacisë do të jetë gjithmonë një mbështetëse e fortë e BPRMV-së në rrugë drejt Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, sepse ka vërtetuar se me kapacitetin dhe gatishmërinë e saj, ky është vendi strategjik që i përket," tha guvernatori Vujcic pas nënshkrimit të Memorandumit.
“Ky memorandum i ri nuk fillon, por thellon bashkëpunimin e jashtëzakonshëm dhe shumë të rëndësishëm ndërinstitucional dhe ndërkombëtar. Gjithashtu e rëndësishme është që ky Memorandum nënshkruhet në një periudhë të rëndësishme - një periudhë e mbushur me sfida të shumta për bankat qendrore në lidhje me pandeminë, por gjithashtu një periudhë në të cilën ne përballemi me sfidat kryesore në rrugën evropiane. Ne veçanërisht do të thellojmë bashkëpunimin në lidhje me sfidat që po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e agjendave të bankave qendrore, të tilla si ndryshimet klimatike, financat e gjelbra dhe sfidat që lidhen me inovacionin financiar. Inovacioni financiar mund të japë një kontribut të rëndësishëm në përfshirjen më të madhe financiare me përfitime të shumta për ekonomitë, por gjithashtu shkon paralelisht me nevojën për ti mbrojtur konsumatorët e shërbimeve financiare, përfshirë rritjen e nivelit të edukimit financiar, i cili në rajon mbetet pas ekonomive europiane të zhvilluara. Prandaj, fokusi i bashkëpunimit tonë do të jetë mbrojtja e konsumatorëve"- tha guvernatorja, Anita Angelovska-Bezhoska.
Ajo shprehu kënaqësinë e madhe për bashkëpunim me HNB dhe falënderoi HNB dhe guvernatorin Vujcic për të gjithë mbështetjen e deritanishme, në lidhje me çështje të rëndësishme për bankën tonë qendrore. "Unë besoj se memorandumi i ri do të na mundësojë të vazhdojmë më fort dhe më thellë në ndërtimin e bashkëpunimit dhe miqësisë sonë, e cila është me interes jo vetëm për institucionet tona, por edhe për ekonomitë tona në tërësi" tha Angelovska-Bezhoska.
Zbatimi i Memorandumit fillon menjëherë dhe në kuadër të vizitës së punës të guvernatorit Vujcic, tashmë po mbahen takime në të cilat përveç tij dhe guvernatores Angelovska-Bezhoska, marrin pjesë një numër ekspertësh nga banka jonë qendrore, përpos shkëmbimit të përvojave, diskutohet edhe për çështje tjera të cilave do t'iu kushtohet vëmendje në bashkëpunimin e mëtejshëm.