Shkup, 6 shkurt 2023
“Me Ligjin e ri të Shërbimeve Pagesore dhe Sistemeve Pagesore, i cili filloi të zbatohet në fillim të vitit, rritet mbrojtja e të drejtave të shfrytëzuesve të shërbimeve pagesore. Ofruesit e shërbimeve pagesore detyrohen t'i rregullojnë të drejtat dhe detyrimet e konsumatorëve me marrëveshje kornizë në formë të standardizuar, përpara lidhjes së të cilës janë të detyruar t'u dorëzojnë dokument informues për tarifat, si dhe së paku një herë në vit t'u dorëzojnë raport për tarifat e ngarkuara. Ofruesit do të kenë gjithashtu obligim në bazë të rregullt t'i dorëzojnë Bankës Popullore të dhëna për lartësinë e tarifave për shërbimet më përfaqësuese të lidhura me llogarinë pagesore, të cilat qytetarët do t'i kenë në dispozicion në bazë krahasuese përmes faqes së internetit të Bankës Popullore. Parashikohet edhe mbrojtje shtesë në fushën e transaksioneve të paautorizuara”, thekson viceguvernatorja Emilia Nacevska, në intervistë për MIA-n.
“Korniza e re rregullatore qartë i rregullon detyrimet e ofruesve të shërbimeve pagesore në segmentin e mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve që dalin nga shfrytëzimi i shërbimeve të pagesave. Për herë të parë në historinë e shërbimeve pagesore në vendin tonë, me dispozitat e ligjit të ri futet detyrimi për ofruesin e shërbimeve pagesore për t'i rregulluar të drejtat dhe detyrimet e konsumatorëve me marrëveshje kornizë në formë të standardizuar, e cila duhet të përmbajë set të detyrueshem të informacioneve, si dhe mundësitë dhe kushtet në të cilat mund të ndryshohet ose ndërpritet. Me këto dispozita arrihet transparencë më e madhe e ofruesve të shërbimeve dhe sigurohet informim më i mirë, siguri juridike dhe trajtim i barabartë i konsumatorëve”, thotë Nacevska dhe shton se korniza e re rregullative pa mëdyshje precizon jo vetëm përmbajtjen e dokumenteve, por edhe formën, afatet dhe mënyrën e dorëzimit.
Ofruesit e shërbimeve pagesore janë të obliguar që rregullisht t'i dorëzojnë Bankës Popullore të dhëna për lartësinë e tarifave për shërbimet më përfaqësuese në llogarinë pagesore, të cilat Banka Popullore do t'i publikojë në faqen e saj të internetit në kontekst komparativ. Është paraparë deri në fund të shtatorit të këtij viti të publikohen të dhënat e para.
“Në këtë mënyrë, qytetarët do të kenë informacion të shpejtë dhe lehtësisht të qasshëm për tarifat kur vendosin se te cili ofrues do të shfrytëzojnë shërbimet pagesore. Pritet që përmes rritjes së transparencës dhe krahasueshmërisë më të lehtë të tarifave, të krijohen kushte për konkurrencë më të madhe, dhe me këtë edhe çmime më të favorshme për shërbimet e pagesave për qytetarët”.
Zëvendësguvernatorja Nacevska më tej thekson se mbrojtja e konsumatorëve reflektohet në përgjegjësitë e përcaktuara saktësisht të ofruesve dhe shfrytëzuesve të shërbimeve pagesore në rast të transaksioneve të paautorizuara pagesore.
“Në dispozitat e ligjit të ri, për sa i përket përgjegjësive të ofruesit të shërbimeve pagesore parashikohet se në rast se ai ka kryer transaksion pagesor të paautorizuar nga mbajtësi i llogarisë, është i detyruar të kthejë gjendjen e llogarisë në të njëjtën gjendje siç do të ishte nëse nuk do të ishte kryer transaksioni pagesor i paautorizuar dhe me ç'rast data e miratimit nuk mund të jetë më e vonshme se data në të cilën llogaria është debituar për shumën e transaksionit. Në rast se janë kryer transaksione pagesore të paautorizuara për shkak se mbajtësi i llogarisë ka humbur ose i është vjedhur instrumenti i pagesës (për shembull, kartela pagesore), me ligj kufizohet shuma në të cilën qytetari mund t'i marrë humbjet dhe ajo është përcaktuar në më së shumti 1.200 denarë”, thotë Nacevska.